Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Menjëherë në ndihmë!

Menjëherë në ndihmë!

Menjëherë në ndihmë!

Me një shtypje të çelësit, dritat vezulluese të ambulancës sonë nisin të pasqyrohen në automjete e ndërtesa. Piskama e mprehtë e sirenës paralizon trafikun e mjeteve e të këmbësorëve, e kështu çajmë përmes automjeteve që t’i përgjigjemi thirrjes për ndihmë.

PËR më shumë se 20 vjet kam qenë ndihmësmjek i urgjencës dhe u kam dhënë ndihmën e shpejtë pacientëve të sëmurë ose të plagosur përpara se të shkojnë në spital. * Çdo ditë pune është si të lundrosh në ujëra të panjohura. Jam përballur me situata nga më të ndryshmet, që nga rastet më të rëndomta e deri te më të jashtëzakonshmet. Kam parë shumë përfundime të lumtura, por edhe tragjedi të papërshkrueshme.

Në ndihmë të njerëzve

Ndihmësmjekët e urgjencës luajnë rol jetësor në sistemin e kujdesit shëndetësor në Kanada. Ndihma profesionale që japin para se pacienti të mbërrijë në spital mund të lehtësojë pasojat e disa aksidenteve a sëmundjeve, madje në disa raste mund të shpëtojë jetën. *

Në shumë zona ndihmësmjekët e urgjencës janë në gatishmëri 24 orë në ditë, 365 ditë në vit. Ata mund të jenë punësuar nga ndonjë agjenci e ndihmës së shpejtë shtetërore, private ose spitalore. Disa punojnë në urgjencë, disa në shërbimin zjarrfikës.

Këta burra dhe gra të përgatitur enkas, hidhen në veprim me të marrë një telefonatë për ndihmë. Ajo mund të vijë papritur e papandehur. Shqyrtoni se ç’përgatitje profesionale marrin ata.

Përgatiten të shpëtojnë jetë

Ndonëse përgatitja e ndihmësmjekëve të urgjencës dhe termat e përdorur ndryshojnë nga njëra provincë e Kanadasë në tjetrën, në përgjithësi ajo kategorizohet në katër nivele. Diploma për të punuar si ndihmësmjek urgjence kërkohet nga institucione të ndryshme qeveritare dhe nga autoritete të mjekësisë.

Në rastin tim këtu në Kanada, përgatitja bazë përfshinte shumë orë mësimi në klasë, spital dhe në autoambulancë. Mësuam si të matnim treguesit jetësorë, si të përdornim pajisjen për t’i dhënë pacientit oksigjen dhe për të ndihmuar frymëmarrjen, si të bënim reanimimin zemër-mushkëri, si të fashonim, të vinim shina për imobilizimin e gjymtyrëve dhe pajisje për imobilizimin e shtyllës kurrizore.

Pastaj kalova edhe 300 orë të çmuara duke vëzhguar trajtimin e pacientëve në urgjencë, gjatë terapisë intensive dhe në pavijonin e lindjeve në disa spitale. Lindja e parë që pashë, ishte një përvojë e paharrueshme—një mrekulli. Kjo përvojë dhe raste të tjera më ndihmuan për fazën tjetër të përgatitjes, ku përfshiheshin më shumë se 300 orë punë në një autoambulancë, nën drejtimin e dy ndihmësmjekëve me eksperiencë që më mbështetnin. Pasi kalova provimet në teori dhe në praktikë, u kualifikova si ndihmësmjek urgjence për dhënien e ndihmës së parë.

Disa vjet punova në zona rurale dhe urbane. Shpejt kuptova sa e çmuar ishte përgatitja jetëshpëtuese që kisha marrë kur, një punëtor ndërtimi me dhembje në gjoks, erdhi në urgjencën e spitalit. Pak pasi mbërriti, i pushoi zemra. Punova përkrah mjekëve dhe infermierëve që i bënë reanimimin zemër-mushkëri, defibrilimin dhe ilaçet. Pas disa minutash zemra e pacientit rrahu sërish dhe filloi të merrte frymë vetë. Pastaj e çuan në pavijonin e rasteve kritike. Të nesërmen, shkova në atë pavijon dhe mjeku më prezantoi me një burrë të ulur në shtrat që po fliste me të shoqen. Nuk e njoha, derisa ai më tha: «Më mban mend? Më shpëtove jetën dje.» Provova një ndjesi të mrekullueshme.

Në fazën e fundit të stërvitjes punova me një mjek i cili më shoqëroi për 12 orë, për të vëzhguar si kujdesesha për pacientët. Së fundi e kalova provimin si në teori, edhe në praktikë, e u diplomova si ndihmësmjek urgjence më i specializuar.

Ndihmësmjekët e urgjencës punojnë nën drejtimin e një mjeku, i cili zakonisht bashkëpunon me një komitet konsultativ mjekësor, që të hartojnë plane të detajuara për trajtimin e pacientëve. Për dhënien e ndihmës mjekësore, ndihmësmjekët e urgjencës bazohen në këto plane ose komunikojnë direkt me radio a telefon me një grup mjekësh. Prandaj, për këta ndihmësmjekë thuhet se janë sytë, veshët dhe duart e mjekut. Ndihma që japin në një shtëpi private, në ndërtesat publike ose në vendngjarjen e aksidentit mund të shkojë nga dhënia e oksigjenit, ilaçeve dhe defibrilimi deri tek intubimi dhe procedurat kirurgjikale.—Shih kutinë  «Ndihma që japin», në faqen 15.

Rreziqet dhe vështirësitë

Rreziqet dhe vështirësitë janë pjesë e pandashme e punës së përditshme të ndihmësmjekëve të urgjencës. Ata punojnë në çfarëdolloj moti dhe, nganjëherë, në vende e rrethana të pasigurta. Edhe vajtja me autoambulancë për te vendi i ngjarjes mund të jetë e rrezikshme.

Rrezik i vazhdueshëm është kontakti me gjakun, lëngjet e trupit dhe sëmundjet infektive. Për t’u mbrojtur, mbajmë doreza, maska, syze, mbrojtëse për fytyrën dhe veshje speciale.

Kur kujdesesh për pacientët, përballesh me familjarët e tyre, miqtë, madje edhe me të panjohur, reagimi emocional i të cilëve mund të jetë ekstrem ose i paparashikueshëm. Është tragjike kur një burrë dhe një grua që kanë kaluar dhjetëvjeçarë së bashku, i ndan vdekja. Nuk është e lehtë ta njoftosh bashkëshortin. Njëherë m’u desh t’i thosha një gruaje se i shoqi kishte vdekur. Ajo më goditi me grusht dhe vrapoi në rrugë duke ulëritur e duke qarë. E ndoqa dhe e arrita. Ajo u kthye, më kapi fort, më përqafoi dhe filloi të qante me dënesë.

Të merresh me njerëz që janë të tronditur emocionalisht ose nën efektin e alkoolit a të drogës, duhet mirëkuptim, takt dhe dhembshuri. Në këto raste, njerëzit mund të jenë të paparashikueshëm. Pacientë që nuk kontrollonin dot veten më kanë kafshuar, pështyrë e sulmuar në mënyra të tjera.

Kjo punë është e rëndë edhe fizikisht, pasi shpesh duhet të ngresh pesha të rënda e nganjëherë në pozicion shumë të vështirë. Kur kujdesesh për pacientët, kalon mjaft kohë në gjunjë ose i përkulur. Gjatë punës edhe vritemi. Në të shumtën e rasteve na dëmtohen shpina, shpatullat dhe gjunjët. Disa dëmtime janë kaq të rënda sa të detyrojnë ta lësh profesionin. Gjithashtu punojmë me turne, dhe kjo mund të jetë sfilitëse.

Të kujdesesh për njerëz që e kanë jetën në rrezik nga një sëmundje a plagosje, është stresuese mendërisht dhe emocionalisht. Një ndihmësmjek urgjence duhet të ruajë qetësinë, të përdorë gjykim të shëndoshë dhe të marrë vendime të arsyeshme në momente kritike. Këta ndihmësmjekë janë dëshmitarë të vuajtjeve dhe tragjedive njerëzore, shohin dhe kujdesen për njerëz që kanë pësuar dëmtime fizike të tmerrshme. Më kujtohet si sot një djalë që ishte shtypur në një aksident në fabrikë. Nga pjesa e poshtme e kraharorit deri te këmbët ishte bërë petë. Më përgjërohej mua dhe shokut tim që ta shpëtonim. Mjerisht, ndonëse bashkë me mjekët e infermierët bëmë të pamundurën, vdiq pa kaluar as një orë.

Disa skena ta bëjnë zemrën copë. Një ditë herët në mëngjes, na telefonuan se në një shtëpi kishte rënë zjarri. Burri sapo ishte kthyer nga puna kur e shoqja dhe vajza trevjeçare dolën nga shtëpia që po digjej. Tre fëmijë të tjerë nga katër muaj deri në pesë vjeç dhe gjyshi mbetën brenda, derisa i nxorën zjarrfikësit. Bëja pjesë në njërën prej skuadrave të ndihmësmjekëve që u munduam t’u shpëtonim jetën, por më kot.

Mbase tani po pyesni përse dikush do të dëshironte të bëhej ndihmësmjek urgjence. Nganjëherë edhe unë e pyes veten. Më vjen ndër mend ilustrimi i Jezuit për samaritanin e mirë që nuk u kursye për të ndihmuar një të plagosur. (Luka 10:30-37) Edhe një ndihmësmjek nuk kursehet fizikisht dhe emocionalisht për t’iu gjendur pranë dikujt që thërret për ndihmë. Mua personalisht më ka sjellë kënaqësi ky profesion, por mezi pres kohën kur të jem i papunë. Pse i papunë? Sepse Perëndia premton se së shpejti askush nuk do të thotë: «Jam sëmurë.» Për më tepër «nuk do të ketë më vdekje . . . as dhembje». (Isaia 33:24; Zbulesa 21:4)—Treguar nga një ndihmësmjek urgjence në Kanada.

[Shënimet]

^ par. 3 Për pyetje që mund ta shqetësojnë ndërgjegjen e një të krishteri që punon si ndihmësmjek urgjence, shih Kullën e Rojës të 15 prillit 1999, faqja 29 dhe të 1 prillit 1975, faqet 215, 216, anglisht.

^ par. 5 Në disa vende autoambulancat nuk kanë personel mjekësor. Është përgjegjësi e shoferit të autoambulancës ta çojë sa më shpejt pacientin në spital.

[Diçitura në faqen 13]

Nuk e njoha, derisa ai më tha: «Më mban mend? Më shpëtove jetën dje.» Provova një ndjesi të mrekullueshme

[Diçitura në faqen 14]

Pacientë që nuk kontrollonin dot veten më kanë kafshuar, pështyrë e sulmuar në mënyra të tjera

[Kutia dhe figurat në faqen 15]

 NDIHMA QË JAPIN

Një ndihmësmjek urgjence është i përgatitur që pacientit t’i sigurohet kalimi i ajrit në mushkëri. Për këtë mund të nevojitet intubimi, pra futja e një tubi të përkulshëm në trake nëpërmjet gojës dhe kordave të zërit, duke përdorur laringoskopin. Në raste të tjera bëhet një krikotirotomi, duke përdorur një gjilpërë, një kateter të vogël, tel drejtues dhe një bisturi për të futur një kateter më të madh nëpërmjet qafës direkt në trake. Kur jeta rrezikohet nga një komplikacion për shkak të mosfunksionimit të mushkërisë, futet një gjilpërë dhe një kateter në kafazin e kraharorit.

Trajtim tjetër është terapia brendavenore. Përdoret një gjilpërë për të futur në venë një kateter. Kështu mund të futen në trup lëndë të tilla, si solucioni kripor fiziologjik. Në disa raste përdoret një pajisje që futet në kockë për të çuar lëng në palcë.

Ndihmësmjeku i urgjencës mund të përdorë monitoruesin/​defibrilatorin kardiak për të kontrolluar elektrokardiogramën e pacientit. Kjo pajisje mund të përdoret edhe për defibrilimin (goditje elektrike për t’i kthyer zemrës rrahjet dhe funksionimin normal nëse ka pushuar) ose për kardioversionin (dhënia e një goditjeje elektrike e sinkronizuar për të ngadalësuar rrahjet e shpejta e të rrezikshme të zemrës). Aparati përdoret edhe si peismeikër i jashtëm i përkohshëm për të përshpejtuar një zemër që rreh ngadalë.

[Burimi]

Të gjitha fotografitë: me mirësjellje nga Shërbimi Mjekësor i Urgjencës në Toronto (EMS)

[Burimi i figurës në faqen 12]

Me mirësjellje nga Shërbimi Mjekësor i Urgjencës në Toronto