Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund të ngasësh një elefant?

Si mund të ngasësh një elefant?

Si mund të ngasësh një elefant?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË INDI

MAHUTI, stërvitësi i elefantit, po gatuante buzë lumit Narmada. Fëmijën e kishte lënë mes feçkës dhe këmbëve të parme të elefantit që po pushonte. Siç tregon libri Projekti «Elefant» (anglisht), vogëlushi u përpoq disa herë të largohej, por, «i dystuar siç ishte, elefanti e rrotullonte me kujdes noçkën përreth fëmijës dhe e kthente ku e kishte lënë i ati. Babai vazhdonte të gatuante dhe dukej plotësisht i bindur se fëmija ishte në duar të sigurta».

Elefantët e punës i kanë shërbyer njeriut që nga viti 2000 p.e.s. Në kohët e lashta elefantët stërviteshin kryesisht për luftë. Në Indinë e sotme stërviten për punë. Ata përdoren në festa fetare, në dasma, në cirk, për reklama, për të transportuar drurë, madje edhe për të lypur. Si zbuten elefantët? Si stërviten?

Kurs për stërvitjen e elefantit

Në Indi ka shumë qendra të specializuara për t’u kujdesur për këlyshët e elefantëve që janë braktisur, kapur a gjetur të plagosur në natyrë. Një qendër e tillë stërvitjeje gjendet në Koni të shtetit të Keralës. Këtu këlyshët stërviten për t’u bërë elefantë pune. Në fillim mahuti duhet të fitojë besimin e të voglit. Taktikë e mirë për këtë është ushqimi. Këlyshi e njeh zërin e mahutit dhe, kur ai e thërret për të ngrënë, elefanti vrapon te qumështi dhe te brumi i melit. Zakonisht stërvitja fillon kur elefantët janë rreth 13 vjeç. Ata e fillojnë punën kur mbushin 25 vjeç. Në Keralë, shteti kërkon që elefantët të dalin në pension në moshën 65-vjeçare.

Për të ngarë elefantin pa rrezikuar, mahuti duhet të stërvitet mirë. Sipas Shoqatës për Mirëqenien e Elefantëve të Triçurit, Keralë, një mahut i ri duhet të marrë stërvitje intensive të paktën për tre muaj. Në këtë stërvitje nuk mësojnë vetëm të japin urdhra, por çdo gjë që ka të bëjë me elefantët.

Për të stërvitur një elefant të rritur duhet më shumë kohë. Mjeshtri ia mëson në fillim urdhrat me gojë, duke qëndruar jashtë vendit ku është mbyllur elefanti. Në Keralë, mahuti përdor nja 20 urdhra dhe sinjale për t’i diktuar elefantit punën e kërkuar. Mahuti jep urdhra të qartë e më zë të lartë e, në të njëjtën kohë, e shpon elefantin me hosten dhe i tregon çfarë të bëjë. Po t’i bindet urdhrit, elefanti merr si shpërblim diçka të shijshme. Kur është i sigurt se elefanti është zbutur, mjeshtri futet në ambientin e mbyllur dhe nis ta përkëdhelë. Ky afrimitet ua forcon besimin reciprok. Me kalimin e kohës, elefantin e nxjerrin jashtë, por sigurisht tregojnë kujdes, pasi akoma ka disa tipare të egra. Derisa të duket qartë se elefanti është zbutur tërësisht, atë e nxjerrin për ta larë e për shëtitje, të lidhur me zinxhirë mes dy elefantëve të stërvitur.

Pasi elefanti i ka kapur urdhrat gojorë, mahuti i hipën në kurriz dhe i mëson urdhrat fizikë, duke e shtypur me gishtat e këmbëve ose me thembra. Që elefanti të ecë përpara, mahuti ia ngjesh prapa veshëve gishtat e mëdhenj të këmbëve. Që të ecë prapa, ia shtyp shpatullat elefantit me të dyja thembrat. Për të mos e hutuar, urdhrat gojorë ia jep vetëm një mahut. Elefanti i përvetëson të gjitha urdhrat brenda tre-katër vjetësh. Më tej nuk i harron më. Ndonëse trurin e ka të vogël në raport me trupin, ai është mjaft inteligjent.

Kujdesi për elefantët

Për elefantin duhet përkujdesje që të jetë i shëndetshëm e me humor të mirë. Larja e përditshme është e rëndësishme. Kur i bën banjë, mahuti përdor gurë dhe lëvozhga arre kokosi të prera me kujdes për të kruajtur lëkurën e trashë, por edhe të butë e të ndjeshme të elefantit.

Pastaj e ka radhën mëngjesi. Mahuti përgatit brumë të trashë me grurë, mel dhe me një lloj fasuleje që përdoret si foragjere. Ai përgatit edhe pjatën kryesore me bambu, gjethe palmash dhe bar. Elefanti është akoma më i lumtur nëse këtyre u shtohen karota të gjalla dhe kallamsheqer. Elefantët e kalojnë shumicën e kohës duke ngrënë. Vetëm në një ditë konsumojnë 140 kg ushqim dhe nja 150 litra ujë. Që t’i shkojë vaj me mikun e tij lëkurëtrashë, mahuti duhet t’ia plotësojë këto nevoja.

Pasojat e abuzimit

Elefanti i dashur indian nuk mund të ngitet apo të detyrohet të punojë përtej një caku. Ai mund t’i kundërvihet mahutit që i bërtet apo e ndëshkon. Gazeta indiane Sunday Herald shkruante për një elefant mashkull me dhëmbë të mëdhenj që «u xhindos . . . nga keqtrajtimi i mahutëve. Ai reagoi ndaj goditjeve të mahutit duke dalë jashtë kontrollit . . . dhe u desh ta vinin në gjumë me qetësues». Në prill të 2007-s, revista India Today International raportonte: «Vetëm në dy muajt e fundit nëpër festa janë egërsuar 10 elefantë meshkuj me dhëmbë të mëdhenj; që nga janari i vitit të shkuar janë vrarë 48 mahutë nga bishat e tërbuara.» Ngjarje të tilla ndodhin kryesisht gjatë periudhës që quhet mast. Ky fenomen fiziologjik i përvitshëm lidhet me sezonin e shumimit të elefantëve, gjatë të cilit te meshkujt e rritur e të shëndetshëm, ngrihet niveli i testosteronit, hormonit mashkullor. Si pasojë, bëhen agresivë dhe reagojnë në mënyrë të paparashikueshme ndaj elefantëve meshkuj dhe njerëzve. Kjo periudhë mund të zgjasë nga 15 ditë deri në tre muaj.

Një elefant mund të acarohet edhe kur e shesin dhe i kalon një mahuti të ri. Kjo nxjerr në pah sa ngushtë lidhet ai me mahutin. Që ndryshimi të jetë sa më i lehtë, mahuti i vjetër e shoqëron vetë elefantin për në shtëpinë e re. Atje, të dy mjeshtrat punojnë së bashku, derisa mahuti i ri t’ia mësojë huqet elefantit. Kur një mahut vdes dhe vendin e tij e zë një tjetër, problemet mund të jenë akoma më të mëdha. Megjithatë, me kalimin e kohës elefanti e kupton dhe e pranon situatën e re.

Ndonëse disa njerëz i tremben këtij gjiganti të tokës, një elefant i stërvitur mirë i bindet një pronari të dashur. Nëse mahuti e trajton me butësi elefantin, nuk ka nevojë ta lidhë me zinxhir, edhe kur i duhet të largohet për pak kohë. Mjafton vetëm të mbështetë njërën anë të hostenit mbi këmbën e elefantit dhe tjetrën në tokë e ta urdhërojë të mos lëvizë. I bindur, ai qëndron në vend pa e lëvizur hostenin. Siç u duk qartë në hyrje të artikullit, bashkëpunimi mes elefantit dhe mahutit mund të jetë sa i habitshëm aq edhe prekës. Po, një mahut i mirë mund t’i besojë elefantit të tij.

[Kutia dhe figura në faqen 18]

NJERIU DHE ELEFANTI—HISTORI E GJATË

Zbutja e elefantëve nga njeriu ka një histori të gjatë. Ndoshta shembulli më i njohur i lashtësisë është ai i Hanibalit, një gjeneral kartagjenas. Në shekullin e tretë p.e.s., Kartagjena, qytet në veri të Afrikës, luftoi kundër Romës për një shekull në betejat e njëpasnjëshme që njihen si Luftërat Punike. Hanibali mblodhi një ushtri në qytetin e Kartagjenës në Spanjë, me synim që të marshonte në Romë. Në fillim ai kaloi Pirenejtë për të hyrë në Francën e sotme. Pastaj ushtria e tij me 25.000 burra, e shoqëruar nga 37 elefantë afrikanë dhe shumë kafshë barre të ngarkuara me furnizime, hyri në Itali nga Alpet, duke kryer atë që revista Archaeology e quan «një nga manovrat më të guximshme të historisë ushtarake». Atyre iu desh të përballeshin me të ftohtët, stuhitë e dëborës, rrëshqitjet e gurëve dhe fiset armiqësore të maleve. Ky udhëtim ishte tejet sfilitës për elefantët. Të gjithë ngordhën brenda vitit të parë që Hanibali kaloi në Itali.

[Burimi]

© Look and Learn Magazine Ltd/​The Bridgeman Art Library

[Figura në faqen 17]

Mahuti kruan lëkurën e trashë, por edhe të butë e të ndjeshme të elefantit

[Burimi]

© Vidler/​mauritius images/​age fotostock

[Burimi i figurës në faqen 16]

© PhotosIndia/​age fotostock