Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Gjatë një periudhe 35-vjeçare, nga viti 1970 deri në 2005-n, çereku i llojeve kurrizore—peshqit, amfibët, zvarranikët, shpendët dhe gjitarët—u zhdukën.—SÜDDEUTSCHE ZEITUNG, GJERMANI

Për të përballuar inflacionin prej 2,2 milionë për qind, Zimbabve hoqi dhjetë zero nga bankënotat në gusht të vitit 2008. Pra, një bankënotë me vlerë 10 miliardë dollarë u rivlerësua me një «dollar zimbab».—AGENCE FRANCE PRESSE, ZIMBAB.

«Më 2005-n, në Shtetet e Bashkuara u raportuan mbi 12.000 vrasje me armë. Por numri i të plagosurve dhe i të mbijetuarve nga sulmet me armë është shumë më i madh—afro 53.000 u trajtuan në urgjencë në vitin 2006.»—THE SEATTLE TIMES, SHBA.

«Hareja» e Krishtlindjeve!?

Sipas gazetës Sunday Telegraph të Sidneit, rreth 20 për qind e kërkesave për divorc në Australi nisin fill pas periudhës së Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri. «Shohim plot njerëz që kanë grindje dhe prishje të marrëdhënieve, të cilët na trokasin në derë sapo i hapim prapë zyrat,—thotë avokati për divorcet Bari Freiks.—Njerëzit presin që Krishtlindjet të jenë të përsosura, si në shfaqjet televizive dhe në reklama.» Por ai shton se, kur jeta e tyre nuk përputhet me këtë «model», kërkojnë divorcin. Sidoqoftë, sipas Anxhela Kanueit, zëdhënëse e Shoqatës Australiane të Familjes, «divorci zor se i zgjidh problemet rrënjësore dhe as nuk sjell paqen dhe lumturinë që presin njerëzit». Ajo këshillon: «Ia vlen ta mbani fort martesën dhe të përpiqeni që ajo të shkojë mbarë.»

«Shtëpitë e lindjes» shpëtojnë jetë

Në Peru po bëhen përpjekje për të ulur vdekshmërinë në lindje. Për të nxitur gratë në Ande që të marrin kujdes mjekësor në klinikë në vend që të lindin në shtëpi, në Peru janë ngritur 390 «shtëpi lindjesh» gjatë dekadës së fundit. Gruaja shtatzënë dhe familja e saj mund të qëndrojë në një nga këto shtëpi derisa të lindë. Çdonjëra nga këto shtëpi ndodhet ngjitur me një klinikë. Agjencia Rojters raporton nga Kuskoja se një ndër arsyet pse pëlqehen këto klinika është se ato kombinojnë «mjekësinë moderne me zakonet vendëse», si «lindja në këmbë», e cila «pakëson dhembjet dhe kohën e lindjes . . . dhe bën të mundur që nëna ta shohë lindjen më mirë se po të ishte shtrirë».

Gjithnjë me vonesë

Sipas një raporti në vitin 2008 të Ministrisë së Transportit të Shteteve të Bashkuara, rreth 30 për qind e të gjitha fluturimeve përfundojnë më shumë se 15 minuta me vonesë. Ndër më problematiket ishte një nga linjat ajrore Teksas-Kaliforni, avionët e së cilës nuk arrinin kurrë në orar.