Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Prindër: Mbrojini fëmijët!

Prindër: Mbrojini fëmijët!

Prindër: Mbrojini fëmijët!

PRINDËRIT e merakosur me të drejtë pyesin: «Pse gjithnjë e më shumë adoleshentë po rrëmojnë fshehurazi për ilaçe?» Përgjigjet ndryshojnë. Disa të rinj i kërkojnë thjesht për eufori. Të tjerë, për të pasur më shumë rezultat kur studiojnë ose për të hequr ankthin. Disa të tjerë mund të vuajnë fizikisht ose emocionalisht dhe thjesht duan të ndihen më mirë. Po, edhe fëmijët 12-vjeçarë janë bërë robër të abuzimit me ilaçet, mbase duke i porositur te një a më shumë site në Internet që, pa e ekzagjeruar, janë me qindra mijë. Këto site t’i sigurojnë kollaj ilaçet, madje as nuk të kërkojnë të dhëna për veten. Të tjerë kanë blerë hape nga ata që gjoja quhen miq. Nëse je prind, ç’mund të bësh për të mbrojtur fëmijët?

Së pari, fol hapur me ta për rreziqet e abuzimit me barnat—ilaçe a droga qofshin. Gjithashtu, mbaji ilaçet me recetë në një vend të sigurt, madje mund t’i mbyllësh me çelës. Mbaj parasysh ilaçet që ke në shtëpi dhe kontrollo sa përdoren. Në qoftë se një ilaç nuk duhet më, hidhe duke marrë masa që askush të mos e përdorë dot. Nëse fëmijës i ka kaluar kolla, por i vazhdon prapë ilaçet, pyete përse. Veç këtyre kontrollo ç’bën fëmija në Internet, si i përdor kartat e kreditit dhe çfarë i vjen me postë. Së fundi, ji syçelë ndaj çdo ndryshimi që mund të vëresh në shoqëritë e tij, në pamje dhe paraqitje, në sjellje ose çdo rënie të papritur në mësime.

Ç’të bësh kur fëmija abuzon?

Ç’të bësh kur fëmija abuzon me ilaçet, drogën, alkoolin ose me substanca të tjera? Po kur ke arsye të forta për të dyshuar? Është e nevojshme të bisedosh me fëmijën dhe këtë ta bësh me dashuri e butësi. Bibla thotë: «Qëllimet në zemrën e njeriut janë si ujëra të thella, por njeriu me aftësi dalluese i nxjerr në sipërfaqe.» (Proverbat 20:5) T’i nxjerrësh të vërtetën një fëmije për të cilin dyshon se abuzon me barnat ose alkoolin, është sikur të ngresh një kovë ujë me një litar të brishtë. Po ta tërheqësh shumë fort, duke e akuzuar ose trajtuar me zemërim, mund ta këputësh litarin e komunikimit. Mos harro: synimi yt është i dyfishtë. E para, do që të zbulosh nëse vërtet ka një problem. E dyta, nëse problemi ekziston, cilat janë shkaqet në rrënjë të tij. Shpesh mund të jetë një a më shumë nga shkaqet vijuese.

Shoqëritë e këqija dhe presioni i moshatarëve. «Mos u mashtroni!—thuhet te 1 Korintasve 15:33.—Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» Prandaj, prindërit e mençur i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë rreziqet që vijnë nga shokët e këqij, të cilët mund të ndikojnë mjaft tek ata. Këta prindër mund të bëjnë diçka praktike duke i ndihmuar fëmijët të zgjedhin shokë të mirë. (Proverbat 13:20) Mbase do të ishte një ndihmë sikur babi dhe mami të ftonin shokë të tillë në shtëpi ose kur dalin si familje.

Stresi. Presioni për të çarë në këtë botë është i madh dhe, nganjëherë, prindërit e rëndojnë edhe më shumë gjendjen duke kërkuar tepër nga fëmijët. * A i njeh aftësitë dhe pikat e dobëta të fëmijëve? A ke pretendime të arsyeshme për ta dhe a i ndihmon t’i arrijnë këto synime? A tregon kujdes që as të mos zësh në gojë krahasime përçmuese që mund ta dërrmojnë fëmijën dhe të mbjellin tek ai farat e depresionit? Një gjë është e sigurt: nëse fëmijëve nuk u plotësohen në shtëpi nevojat emocionale, do ta kërkojnë tjetërkund përzemërsinë dhe vlerësimin që dëshirojnë me gjithë shpirt. Prindërit e mençur kujdesen edhe që të krijojnë në familje një ambient ku adhurimi i Perëndisë zë vendin kryesor. Për këtë mund të lexojnë Biblën së bashku me fëmijët. «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë»,—tha Jezu Krishti.—Mateu 5:3.

Mungesa e kufijve për sjelljen. Disa fëmijë abuzojnë me substancat, thjesht ngaqë prindërit i lënë të bëjnë çfarë t’u dojë qejfi. «Djali [a vajza] i lënë pa fre, e turpëron nënën e tij»,—thuhet te Proverbat 29:15. E vërteta është se, pavarësisht nga ankesat, fëmijët i vlerësojnë kufijtë e qartë lidhur me sjelljen. Vënia e kufijve i bën të ndihen të sigurt dhe të ndiejnë se prindërit i duan. Prandaj, Bibla i nxit prindërit t’u japin drejtim të shëndoshë fëmijëve dhe të lënë shembull të mirë. (Efesianëve 6:4) Gjithashtu Bibla nxit që prindërit të veprojnë sipas asaj që thonë e të tregohen të vendosur kur duhet. «Po-ja juaj le të jetë Po dhe Jo-ja juaj, Jo.»—Jakovi 5:12.

Sigurisht, po të marrësh vesh se fëmija yt ka probleme me abuzimin, është mirë të flasësh me një mjek. Ta nxjerrësh nga varësia ndaj substancave mund të jetë e vështirë dhe mund të jetë e nevojshme ndihma e specialistit. Veç kësaj, nëse familja jote bën pjesë në kongregacionin e krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait, duhet të kërkosh mbështetjen e pleqve vendës. (Jakovi 5:13-16) Këta burra të pjekur mund të të ndihmojnë të zbatosh parimet biblike që do ta përshpejtojnë shërimin.

Në artikullin vijues do të trajtohen disa parime të tjera dhe do të flitet edhe për shpresën e mrekullueshme që mund të kemi për një të ardhme shumë më të mirë.

[Shënimi]

[Diçitura në faqen 7]

«Qëllimet në zemrën e njeriut janë si ujëra të thella, por njeriu me aftësi dalluese i nxjerr në sipërfaqe.»—Proverbat 20:5

[Kutia në faqen 7]

SHENJA RREZIKU TE TË RINJTË

▪ Ndonjë në familje ka abuzuar me substancat ose me alkoolin

▪ Është me depresion ose ka vlerësim të paktë për veten

▪ Mendon se nuk përshtatet me të tjerët dhe se nuk pëlqehet në shoqëri

▪ Shpesh është i plogësht; mezi e zë gjumi

▪ Është agresiv dhe ka qëndrim rebel *

[Shënimi]

^ par. 21 Sipas informacioneve të revistës në Internet Teen Help (Ndihmë për adoleshentët).