Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur në Evropë endeshin gjigantët

Kur në Evropë endeshin gjigantët

Kur në Evropë endeshin gjigantët

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

MË 1932-shin, ndërsa një skuadër e ndërtimit të rrugëve po gërmonte pranë Koloseut, në Romë, një nga punëtorët goditi diçka të fortë. Doli se ishte kafka dhe dhëmbi i një elefanti. Zbulime të tilla kanë ndodhur edhe herë të tjera. Ndër vite, brenda në Romë e në rrethinat e saj kanë dalë në dritë rreth 140 fosile elefantësh. I pari i dokumentuar ka qenë në shekullin e 17-të.

Në fillim njerëzit menduan se këto fosile u përkitnin ose elefantëve të importuar nga Roma e lashtë, ose atyre që solli në Itali gjenerali kartagjenas, Hanibali. Këto hipoteza u kundërshtuan në shekullin e 19-të nga prifti dhe profesori i shkencave të natyrës në Viterbo, Xh. B. Piançani. Ai doli në përfundimin se këto fosile u përkitnin kafshëve që kishin ngordhur diku tjetër, por aty ku u zbuluan kishin arritur nga ujërat e ndonjë përmbytjeje, meqë kockat u gjetën kryesisht në depozitime lymi.

Shumë prej fosileve të elefantëve që janë zbuluar në Itali, nuk janë si elefantët e sotëm, por i përkasin një lloji të zhdukur që njihet si Elephas antiquus, ose elefanti i lashtësisë. (Shih faqen 15.) Kjo krijesë kishte dhëmbë gati të drejtë dhe në pjesën e shpatullave arrinte rreth 5 metra lartësi, pra nja 2 metra më e lartë se elefantët e ditëve tona.

Sa të përhapur ishin ata gjigantë? Dëshmitë fosile tregojnë se ashtu si kushërinjtë e tyre mamuthët, edhe ata endeshin kudo nëpër Evropë. Për më tepër, fosilet e elefantëve nuk janë gjetur gjithnjë të veçuara, por disa herë janë zbuluar në shtresa fosile bashkë me mbetjet e shumë llojeve të tjera, disa prej të cilave ishin armike me njëra-tjetrën.

Nga hienat deri te hipopotamët

Nga fosilet e zbuluara në Lacio, rajon i Italisë Qendrore ku futet edhe Roma, mund të mendohet se në atë zonë klima do të ketë qenë si ajo e Afrikës sot, pasi atje jetonin kafshë si hipopotami, gazela, e madje edhe kafshë të mëdha nga familja e maceve. Në fakt, në mes të Romës janë zbuluar fosilet e një kafshe që dyshohet të ketë qenë leopardi i Monte-Sakros. Jashtë qytetit, në Poledrara, janë zbuluar mbi 9.000 mbetje fosile që u përkasin një larmie kafshësh: elefantë të lashtësisë, buaj, drerë, majmunë berberë, rinoqerontë dhe urusi, një lloj bualli i madh që u zhduk nja katër shekuj më parë. Muzeu i ngritur aty ka një urë nga ku vizitorët i shohin fosilet tamam në vendin ku u zbuluan.—Shih faqen 16.

Plot tonelata me mbetje u gjetën në një shpellë pranë Palermos, në Sicili, ndër të cilat kocka të fosilizuara drerësh, buajsh, elefantësh e hipopotamësh të moshave të ndryshme, madje edhe të një fetusi. Njëzet tonë prej tyre dolën në treg gjashtë muajt e parë nga zbulimi.

Paleontologu Xh. Manson Valentini zbuloi në Anglinë Jugore shtresa fosile plot me ashkla kockash të shumë kafshëve si ato të mësipërmet, si edhe të hienave dhe të arinjve polarë. Si shpjegohet që shtresa të tilla me fosile gjenden në vende kaq të ndryshme?

Disa shkencëtarë thonë se rrethanat e ngordhjes janë të njëjtat me ato të një katastrofe natyrore. Cilido të ketë qenë shkaku ose shkaqet e kësaj shfarosjeje masive, pasojat janë ndier në një shkallë të gjerë: në gjithë Evropën, në Siberi e Alaskë.

Falë dëshmive fosile mund të imagjinojmë në mendjen tonë një botë shumë ndryshe nga kjo e sotmja. Të marrim për shembull Italinë, nëse kthehemi goxha mbrapa në kohë, mund ta imagjinojmë veten si të jemi në natyrën e egër të Afrikës.

[Kutia në faqen 17]

ÇFARË JANË FOSILET?

Në pamje të parë fosili mund të duket tamam si një kockë, por në të vërtetë ai është rezultat i një shndërrimi kimik—fosilizimit—që ndodh para se kufoma e kafshës të dekompozohet.

Një formë e zakonshme fosilizimi është mineralizimi. Mineralizimi është një proces ku lënda organike zëvendësohet tërësisht ose pjesërisht nga lëndët minerale që gjenden në shtresa të lagëta toke të sjella nga ujërat. Pra, që të ndodhë fosilizimi duhen plotësuar më parë disa kushte rrethanore. Ujërat duhet të kenë depozituar me bollëk lym e materiale, kufoma duhet varrosur shpejt dhe kushtet e mjedisit duhet të pengojnë shpërbërjen e kufomës. Normalisht ato kufoma kafshësh që mbeten pa ngrënë, konsumohen nga bakteriet dhe nga faktorë mekanikë e kimikë si era dhe uji. Për pasojë, fosilizimi ndodh shumë rrallë.

[Kutia dhe figura në faqen 17]

MAMUTHË NË HEMISFERËN VERIORE

Dëshmitë fosile tregojnë se mamuthët leshtorë ishin të përhapur në një sipërfaqe të paanë si në Azi, Evropë dhe në Amerikën e Veriut. Në Evropë duket se Italia ishte skaji më jugor ku banonin këto kafshë.

Mamuthi leshtor ishte përafërsisht sa elefanti i sotëm aziatik. Ai kishte qime që rriteshin deri në 50 centimetra, dhe meshkujt kishin dhëmbë të gjatë e të harkuar që arrinin deri në 5 metra. Sasi të mëdha me fildish mamuthësh janë zbuluar në Siberi. Ishin aq të shumta sa janë eksportuar në Kinë dhe Evropë, që në kohën e mesjetës.

[Burimi]

Fotografi me mirësjellje nga Royal BC Museum

[Figura në faqet 16, 17]

Fosilet në Poledrara

[Burimi]

Soprintendenza Archeologica di Roma

[Burimet e figurës në faqen 15]

Sipër: Museo di Paleontologia dell’Università degli Studi “La Sapienza” di Roma; poshtë: © Comune di Roma - Sovraintendenza Beni Culturali (SBCAS; fald. 90, fasc. 4, n. inv. 19249)