Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Depresioni—Si trajtohet?

Depresioni—Si trajtohet?

«UNË dhe im shoq kemi gjetur një trajtim mjekësor, kemi bërë ndryshime në mënyrën e jetesës dhe jemi përpjekur shumë të krijojmë një rutinë të cilën mund ta përballoj,—thotë Rutha që prej shumë vitesh vuan nga depresioni.—Me sa duket, mjekimi që kemi gjetur bën efekt dhe jam më mirë. Por, kur asgjë nuk bënte punë, dashuria e pareshtur e tim shoqi dhe e miqve më ndihmonte të mos dorëzohesha.»

Siç tregon përvoja e Ruthës, pacientët që vuajnë nga depresioni kanë nevojë për gjithë mbështetjen e mundshme, duke përfshirë çfarëdo trajtimi mjekësor të përshtatshëm. Është e rrezikshme ta shpërfillësh depresionin, sepse në disa raste, kur lihet pas dore, mund të kërcënojë jetën. Rreth dy mijë vjet përpara, Jezu Krishti tha se ‘ata që janë të sëmurë, kanë nevojë për mjek’, duke pohuar kështu se njerëzit me përvojë në mjekësi mund të ndihmojnë. (Marku 2:17) Mjekët mund të bëjnë mjaft për t’ua lehtësuar vuajtjen shumë pacientëve me depresion. *

Disa trajtime të dobishme

Ka një sërë trajtimesh për depresionin në varësi të simptomave dhe të shkallës së sëmundjes. (Shih kutinë  «Ç’lloj depresioni?») Shumë njerëz mund të marrin ndihmë nga mjeku i familjes, por disa kanë nevojë për një trajtim më të specializuar. Mjeku mund të japë ilaçe kundër depresionit ose të këshillojë ndonjë trajtim tjetër. Disa kanë pasur rezultat duke përdorur barna bimore, duke ndryshuar ca dietën ose duke bërë fizkulturë sipas një programi të këshilluar nga mjeku.

Çështje që hasen dendur

1. Miq të nisur nga e mira, por me pak ose aspak përvojë në mjekësi, mund të përpiqen të të bindin cilin trajtim të pranosh e cilin të refuzosh. Shumë të sigurt, mund të të thonë të marrësh barna bimore, ilaçe a të mos marrësh gjë fare.

Mbaj parasysh: Sigurohu që çdo këshillë të vijë nga një burim i besueshëm. Në fund je ti që duhet të zgjedhësh pasi je informuar.

2. Shkurajimi mund t’i bëjë pacientët të mos e vazhdojnë trajtimin, pasi nuk shohin ndonjë përmirësim ose për shkak të efekteve anësore.

Mbaj parasysh: «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim, por përmbushen aty ku ka shumë këshilltarë.» (Proverbat 15:22) Trajtimi mjekësor bën më shumë efekt kur ka komunikim të mirë mes mjekut dhe pacientit. Tregoja hapur mjekut shqetësimet dhe përshkruaja shenjat. Pyete nëse duhet të ndryshosh disi trajtimin apo nëse nevojitet të tregosh durim që të provosh dobitë.

3. Siguria e tepërt i bën pacientët ta ndërpresin kurën pas pak javësh, ngaqë ndihen më mirë. Mund të harrojnë sa ligështuese ishin simptomat para se të fillonin ilaçet.

Mbaj parasysh: Po e ndërpreve kurën papritur pa u këshilluar me mjekun, mund të kesh pasoja të rënda, madje të rrezikosh jetën.

Ndonëse Bibla nuk është libër mjekësor, Autori i saj, Perëndia Jehova, është Krijuesi ynë. Artikulli tjetër do të marrë në shqyrtim ngushëllimin dhe drejtimin që u jep Fjala e Perëndisë atyre që vuajnë nga depresioni dhe njerëzve që kujdesen për ta.

^ par. 3 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë trajtim të veçantë. Çdokush duhet t’i shqyrtojë me kujdes mundësitë që ka, para se të marrë vendimin e vet.