Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta e plogësht e përtacit

Jeta e plogësht e përtacit

Jeta e plogësht e përtacit

«EJA shpejt dhe merr aparatin!»—i thirra sime motre me të dalluar një përtac të gjelbër tek ecte para meje në një shteg të xhunglës. Qeshëm kur kuptuam se s’ishte nevoja të nguteshim: përtaci është një nga kafshët më të ngadalta në botë.

Për ta njohur më mirë këtë gjitar, vizitova Co Aven, në La Garita-de-Alahuela, Kosta-Rikë. Ky nuk është thjesht një kopsht zoologjik, por një qendër për të shpëtuar, rehabilituar dhe për t’i kthyer në natyrë kafshët vendëse. Atje takova biologen entuziaste Shirli Ramirez, e cila ishte drejtuese e kërkimeve. Ajo më çoi te përtaci i kopshtit zoologjik, Pelota, që në spanjisht do të thotë «top». Dhe vërtet, kur flenë, përtacët mund të mblidhen kular e të ngjishen si top. Pelota është një lloj përtaci që në këmbë ka dy gishta. Është sa një qen i vogël, ka gëzof të butë, hundë të vockël e të ngritur dhe sy kafe të mëdhenj e të përlotur.

Me ç’kisha mësuar, përtacët janë kafshë vetmitare dhe lindin vetëm një këlysh gati një herë në vit. I vogli qëndron ngjitur pas trupit të nënës katër deri në gjashtë javët e para, derisa i hiqet gjiri, por edhe për pesë a tetë muaj të tjerë mund të lëvizë i shtrënguar pas barkut të saj. Gjatë kësaj kohe, nëna e ushqen të voglin me gjethe të buta e që treten kollaj, të cilat ia jep me buzët e saj. Më vonë, ai zgjatet që t’i këputë vetë gjethet, por pa e lëshuar të ëmën. Ndërsa rrinë së bashku, nëna e njeh të voglin me atë copëz pylli ku do të jetojë.

Dygishtor, tregishtor, i gjelbër dhe i ftohtë

Mësova se përtaci që kisha parë në xhungël ishte i llojit me tre gishta këmbe. Përreth syve ishte i zi sikur të kishte vënë një maskë. Kishte bisht si të prerë e buçko, gëzof ashpërak, gjymtyrët e parme shumë më të gjata se të prapmet dhe një pullë ngjyrë floriri midis shpatullave. Ky lloj përtaci ka nëntë rruaza në qafë, dhe kjo bën të mundur që ta rrotullojë kokën 270 gradë për të kërkuar gjethet e preferuara. Po pse dukej i gjelbër? Shirli përgjigjet: «Nuancën e gjelbër e krijojnë algat që rriten në gëzofin e përtacit.»

Ndryshe nga kushërinjtë e tyre tregishtorë e me krahë më të gjatë, llojet dygishtore i kanë gjymtyrët e parme thuajse po aq të gjata sa të prapmet. Kanë qime të gjatë e të butë në ngjyrë kafe të praruar.

Përtaci e kalon ditën duke u thekur në diell në kurorën e pemëve. Temperatura e trupit mund të ndryshojë nga 24 gradë celsius, që është temperatura e ambientit gjatë natës, në 33 gradë celsius gjatë ditës. Ky është ndryshimi më i madh i temperaturës që haset te gjitarët. Përtaci ka kaq pak muskuj, saqë nuk dridhet dot nga të ftohtët që të ngrohet. Ja pse ai shpesh fle i mbledhur si top për të ruajtur nxehtësinë. Poshtë qimeve të gjata ka qime të shkurtra e të buta që shërbejnë si izolues nxehtësie. E ç’të fjetur që bën, deri në 20 orë në ditë!

I ngathët në të ngrënë

Meqë tretja kërkon nxehtësi trupore që bakteret të veprojnë dhe të kryhet fermentimi, temperatura e ulët e trupit bën që metabolizmi i përtacit të jetë jashtëzakonisht i ngadaltë. Mund të duhet gati një muaj që gjethet të kalojnë fazat e tretjes në stomakun me shumë dhoma të përtacit, para se të arrijnë në zorrën e hollë. Gjatë stinës së shirave, kur ditët e freskëta pasojnë njëra-tjetrën, përtaci mund të ngordhë nga uria me stomakun plot ushqim. Shirli shpjegon: «Te përtacët ngrohtësia e diellit është e domosdoshme për tretjen.»

Shirli shton: «Si kujdestare kafshësh që jam, u pastroj edhe kafazet dhe gjëja që më pëlqen më shumë te përtacët është se bëjnë jashtëqitje e urinojnë vetëm një herë në javë. Ata zbresin poshtë në tokë, hapin një gropë dhe i mbulojnë jashtëqitjet. Kjo është gjëja e vetme që bëjnë në tokë.»

Të krijuar për të jetuar kokëposhtë

Thuajse çdo gjë tjetër, si ngrënien, fjetjen, çiftimin dhe lindjen, përtacët e bëjnë të varur në pemë. Këta gjitarë të vegjël u projektuan me shumë zgjuarsi nga Krijuesi i tyre për të jetuar kokëposhtë. Përtaci qëndron varur me gishtat e këmbëve e të duarve që kanë kthetra 7 centimetra. Kthetrat kapen si grremç dhe mbërthehen te degët e pemëve dhe te bimët kacavarëse. Që lëkura të mos i qullet nga rrebeshet tropikale, edhe qimet i rriten në të kundërt. Qimet fillojnë nga barku dhe rriten në drejtim të kurrizit, tamam e kundërta e qimeve të kafshëve të tjera që jetojnë në tokë. Kështu shiu i rrëshqet nga trupi. Ndonëse përtaci duket i ngathët dhe si i çorientuar kur është në tokë, ka lezet ta shohësh me sa hijeshi e me nge lëviz në degët e pemëve. Por s’mbaron me kaq, përtaci është edhe një notar i hatashëm.

Ç’mësova tjetër për këtë banor të urtë që jeton në majë të pemës? Më ranë në sy dy gjëra. Së pari, përtaci ka një aftësi të mahnitshme për t’ia hedhur paq kur dëmtohet, madje edhe kur merr doza helmi që do të ishin vdekjeprurëse për gjitarë të tjerë. Plagët e rënda i shërohen shpejt dhe rrallë i infektohen. Prandaj, do të ishte me dobi për mjekësinë po të mësonin më shumë për imunitetin e përtacit. Së dyti, njerëzve që vetëm vrapojnë dhe janë të stresuar, do t’u bënte mirë ta imitonin pakëz përtacin për ritmin e ngeshëm dhe natyrën e tij që s’e prish terezinë kollaj.—Nga një bashkëpunëtore.

[Kutia dhe figurat në faqen 15]

«MIKPRITËS I SHKËLQYER»

Nuanca e gjelbër e gëzofit të shpupurishur vjen nga simbioza me një algë që rritet në brazdat përgjatë secilës prej qimeve të sipërme të gjitarit. Përtaci mikpret algën, kurse alga, për t’ia kthyer nderin, i siguron lëndë ushqyese që përtaci i merr duke lëpirë gëzofin ose duke i thithur nëpërmjet lëkurës. Ngjyra gri në të gjelbër bën që përtaci të duket si një tufë gjethesh të thara që varen nga dega: s’ka maskim më të mirë për xhungël! Dhe sa më gjatë të jetojë përtaci, aq më gjelbërosh bëhet!

[Burimet]

Sipër djathtas: © Michael dhe Patricia Fogden; poshtë: © Jan Ševčík