Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Doni një xhiro me rikshë?

Doni një xhiro me rikshë?

Doni një xhiro me rikshë?

SAPO mbërrin në Dake, në kryeqytetin e Bangladeshit, vizitorit i bie në sy diçka e veçantë. Mes valës së njerëzve çan armata e rikshave-biçikletë. Një mori karrocash të tilla pushtojnë rrugët e rrugicat duke transportuar njerëz e mallra.

Në Dake, riksha mbetet një mjet transporti mjaft i përhapur. Ndonëse numërohen rreth 80.000 riksha të regjistruara, shumë veta mendojnë se numri i rikshave që lëvrijnë rrugëve çdo ditë, është shumë më i madh. Ç’është e vërteta Dakja është quajtur kryeqyteti botëror i rikshave.

Rikshat e hershme

Edhe pse modelet e hershme të ndenjëseve që transportoheshin me krahë përdoreshin gjatë mbretërimit të Luigjit të 14-të të Francës (1638-1715), merita për shpikjen e rikshës që tërhiqej nga njeriu, nganjëherë i jepet Xhonatan Gejbëllit, misionar amerikan në Japoni gjatë viteve 70 të shekullit të 19-të. Thuhet se ai projektoi një mjet novator transporti për gruan e tij të brishtë. Pikërisht ky model ishte i pari që në Japoni u quajt jinrikisha, që do të thotë mjet transporti i tërhequr nga njeriu. Me kalimin e kohës kjo fjalë u bë e njohur si rikshë. Ndër vite, modele të ndryshme rikshash u përhapën në çdo skaj të Azisë si një mjet i lirë transporti. Kur Çarls Tejz Rasëlli (djathtas), që drejtonte me zell veprën e Studentëve të Biblës (siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait), vizitoi Japoninë në vitin 1912, delegacioni i tij me Studentë të Biblës përdori rikshat tek udhëtonin brenda vendit.

Në Dake, rikshat me tri rrota dolën në skenë në fund të viteve 30 të shekullit të 20-të. Ndryshe nga riksha që tërhiqej nga një njeri duke përdorur dy shufra të trasha të ngjitura në trupin e mjetit, këto të fundit dukeshin si një triçikël i madh. Uallahu i rikshës ose drejtuesi i saj, pedalonte në fillim të rikshës. Kjo bënte që t’i çonte pasagjerët ose mallin më larg, duke manovruar më kollaj përmes trafikut të rrëmujshëm dhe rrugëve të bllokuara nga dyndja.

Arti i rikshave

Rikshat në Dake duket se janë zbukuruar cep më cep. Nga erdhi tradita e zbukurimit të rikshave? Kur rikshat dolën për herë të parë në Dake u duhej të konkurronin me tomtomet, karrocat me kuaj që transportonin pasagjerë dhe mallra. Mbase, për të joshur klientët me këtë mjet të ri transporti, të zotët e rikshave nisën t’i zbukuronin. Vizatimet dhe reklamat pak nga pak krijuan një art më vete.

Kur gjendesh për herë të parë mes gjithë atyre rikshave të zbukuruara, mbetesh gojëhapur. Ky është art që lëviz me rrota. Në fakt, Sajed Manzurul Islami, kritik arti nga Bangladeshi, i përshkroi rikshat e Dakes si «galeri lëvizëse pikturash». Çdo pëllëmbë e rikshës është e stolisur me vizatime, piktura dhe motive shumëngjyrëshe. Nga anët ose nga kupola e palosshme e rikshës varen xhufka që tunden, xhingla-mingla dhe rruaza të shndritshme.

Çdo artist ka stilin dhe preferencat e veta. Disa punime duken pak a shumë si afishe me skena të marra nga filmat e vjetër dhe modern të kinemasë indiane dhe të Bangladeshit. Në këto zbukurime pasqyrohet nostalgjia për jetën e fshatit dhe peizazhin fshataresk e, nganjëherë, edhe çështje shoqërore e politike. Kafshët, zogjtë, gjuetia dhe peizazhi i gjelbër janë ndër motivet e zakonshme.

Në vitet 50 të shekullit të 20-të piktorët e rikshave ishin vetëm një grusht. Sot ka 200-300 artizanë që nxjerrin nga duart e tyre këto copëza arti të pashoqe. Rikshat mblidhen pjesë-pjesë në punishte të specializuara, shpesh duke përdorur materiale të ricikluara. Për shembull, artisti merr një copë llamarine nga bidoni i vajit të gatimit ose nga diçka tjetër e flakur, e lyen me bojë smalti dhe krijon një pikturë mbresëlënëse plot ngjyra. Arti i rikshave është arti popullor i Bangladeshit. Ai ka një origjinalitet dhe bukuri unike.

Drejtuesi i rikshës

Siç mund ta kuptoni mirë, drejtuesi i rikshës bën një jetë sfilitëse. Imagjinoni që ta kaloni gjithë ditën e ditës duke pedaluar për të transportuar ngarkesa të rënda me njerëz a mallra. Ndër klientët janë shtëpiake, nxënës, tregtarë a blerës me çanta. Shpesh në rikshë ngjeshen dy, tre a më shumë veta. Riksha përdoret edhe për të mbajtur thasë me oriz, patate, qepë a erëza, që tregtarët i çojnë në treg. Nganjëherë pasagjeri ulet majë pirgut të mallrave të veta. Një kalimtari mund t’i duket e pamundur që drejtuesi i rikshës të tërheqë ngarkesa kaq të rënda. Megjithatë në pikë të diellit ose në mes të rrebeshit të stinës së musoneve, uallahu i thjeshtë punon vendçe pa u ankuar.

Shumica e uallahëve kanë ardhur në qytet nga fshatrat e varfra, ku me bujqësi nuk e nxirrnin dot bukën e gojës për veten dhe familjen. Ngaqë s’mund të gjejnë një punë me rrogë më të mirë, shumë lënë familjet dhe bëhen uallahë rikshash. Duke vënë në punë forcën dhe energjitë e tyre, mund të fitojnë në ditë një shumë të barabartë me pak dollarë.

Mjet transporti i pashoq

Rikshat ende përdoren rëndom në Dake falë terrenit të sheshtë dhe rrugëve e rrugicave të panumërta ku mjetet e tjera të transportit publik mezi çajnë. Për shumë njerëz, ky mjet udhëtimi që nuk ndot, është jo vetëm i dobishëm, por edhe i këndshëm.

Në shumicën e qyteteve aziatike rikshat janë bërë «specie në zhdukje». Dëshira për transportin masiv dhe mënyra moderne e jetesës kanë bërë që rikshat thuajse të dalin nga përdorimi. Prapëseprapë, megjithëse shumë njerëz e shohin rikshën si të dalë nga moda, po bëhen përpjekje për ta ruajtur atë me anë të modeleve më të reja.

Kur udhëtoni në Dake, mund të zgjidhni një nga mjetet e shumta të transportit publik—autobusin, taksinë, motoçikletën, autorikshën ose rikshën biçikletë. Por, nëse provoni këtë të fundit, kurrë s’keni për ta harruar udhëtimin e rehatshëm e të shtruar nëpër rrugët e tejmbushura të Dakes.

[Figura që zë gjithë faqen 23]