Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Herodi i Madh​—Mjeshtër i ndërtimit

Herodi i Madh​—Mjeshtër i ndërtimit

Herodi i Madh​—Mjeshtër i ndërtimit

NË HISTORI njihet si Herodi i Madh. Mbretëroi për afro tre dekada, mbi 2.000 vjet më parë. Mbretëria e tij e kishte qendrën në Jude dhe përfshinte disa nga zonat përreth.

Herodi mbahet mend më tepër si një vrasës xheloz, që vrau jo vetëm disa familjarë të vet, por edhe djem të vegjël të pambrojtur. Njëherë, kur disa astrologë nga Lindja i thanë se kishte lindur mbreti i ardhshëm, Herodi u hoq sikur donte ta nderonte fëmijën. U tha ta gjenin dhe më pas të ktheheshin tek ai. Por, kur Perëndia i paralajmëroi astrologët të mos ktheheshin, Herodi urdhëroi të vriteshin të gjithë djemtë nga mosha dy vjeç e poshtë që ndodheshin në Betlehem, qyteti ku astrologët kishin gjetur Jezuin, dhe në krahinat përreth.—Mateu 2:1-18.

Gjithsesi, më herët, Herodi ua kishte fituar zemrën shumë vetave me projektet e tij madhështore të ndërtimit. Ai ndërtoi tempuj, amfiteatro, hipodrome dhe ujësjellës, si dhe kështjella madhështore me banja luksoze. Projektet e tij ishin vërtet mbresëlënëse, madje edhe për inxhinierët e sotëm që studiojnë rrënojat arkeologjike.

Për ndërtimet, Herodi zgjodhi vende të spikatshme dhe e ndërthuri arkitekturën me relievin e vendit. Si zbukurime, pallatet e tij kishin afreske të ndërlikuara, punime të larmishme me stuko dhe dysheme me mozaikë. Gjithashtu, ishte i pari që ndërtoi në Jude banjën e stilit romak, me dhoma të nxehta e të ngrohta dhe me sisteme ngrohjeje nën dysheme. Në fakt, ndërtoi qytete të tëra, njërin prej tyre me një port artificial.

Cezarea, një qytet-port

Në Cezare, Herodi ndërtoi një nga portet detare më të mëdha të botës romake. Përmasat e këtij porti i kanë mahnitur arkeologët. Kishte vend ankorimi për njëqind anije, një dëshmi e heshtur se Cezarea u bë qendër tregtare ndërkombëtare.

Skelat dhe dallgëpritëset u ndërtuan me metodat më të përparuara të epokës. Gjithsesi, studiuesit nuk arrinin të kuptonin si mund t’i kishin transportuar punëtorët blloqet gjigante me përmasa afërsisht 15x3x3 metra, që përshkroi historiani Jozef Flavi. Kohët e fundit, palombarët kanë zbuluar se blloqet që përdori Herodi, ishin prej betoni. Për të ndërtuar skelat dhe dallgëpritëset, punëtorët e derdhën betonin në struktura prej druri, pastaj i zhytën në ujë blloqet dhe i ankoruan.

Qyteti-port i planifikuar deri në hollësi, kishte një tempull kushtuar Cezar Augustit, një pallat, një hipodrom, një teatër me 4.000 vende dhe një sistem të nëndheshëm kanalizimi të ujërave të zeza. Ujësjellësit dhe tunelet e furnizonin Cezarenë me ujë të pijshëm nga burimet e vargmalit të Karmelit, që ndodhej rreth 6 kilometra larg.

Jerusalemi dhe tempulli i Herodit

Projekti më i madh i Herodit ishte tempulli që ndërtoi në Jerusalem. Tempulli i parë në atë truall u ndërtua nga mbreti Solomon, i cili ndoqi planet arkitekturore që i ati, Davidi, kishte marrë nën frymëzim nga Perëndia. (1 Mbretërve 6:1; 1 Kronikave 28:11, 12) Ai tempull u shkatërrua nga babilonasit rreth 420 vjet më vonë dhe afro 90 vjet më pas u zëvendësua me një strukturë tjetër modeste të ndërtuar nga guvernatori i Judës, Zorobabeli.

Për tempullin që ndërtoi Herodi në të njëjtin truall, Jozef Flavi shkroi se ishte «i mbuluar nga çdo anë me pllaka ari masive dhe sapo dilte dielli, flakërinte aq shumë, sa njerëzit që përpiqeshin ta shikonin, detyroheshin t’i hiqnin sytë, sikur t’ua vritnin rrezet e diellit. Të huajve që vinin drejt qytetit, nga larg u dukej si një mal i mbuluar me borë, sepse ato pjesë që nuk ishin veshur me ar, ishin të bardha borë».

Me mijëra burra punuan për të ndërtuar muret rrethuese të tempullit, të cilat në perëndim kishin një gjatësi prej pothuajse 500 metrash. Gurët e stërmëdhenj u vunë njëri mbi tjetrin pa llaç. Njëri prej tyre peshonte afro 400 tonë dhe sipas një studiuesi, «në asnjë vend të botës së lashtë s’kishte tjetër si ai për nga përmasat». Ja pse dishepujt e Jezuit u mahnitën prej tempullit! (Marku 13:1) Mbi mure vinte një platformë gjigante e quajtur Mali i Tempullit, e cila ishte platforma më e madhe e botës së lashtë e ndërtuar nga njeriu. Ishte më e madhe se 25 fusha futbolli.

Herodi ndërtoi edhe objekte të tjera në Jerusalem. Njëra prej tyre ishte kulla e Antonias, ngjitur me tempullin që e kishte ndërtuar më herët. Gjithashtu, ndërtoi një pallat, si dhe tre kulla të pashoqe me shumë kate, në hyrje të qytetit.

Samaria dhe Jerikoja

Cezar Augusti i dhuroi Herodit qytetin e lashtë të Samarisë, që ky e quajti Sebaste. E zbukuroi qytetin me struktura të ndryshme, ndër të cilat mund të ketë qenë edhe një stadium i rrethuar me kolonada. Gjithashtu, ngriti shumë ndërtesa të mëdha, të zbukuruara me afreske të ndërlikuara.

Jerikoja ndodhet rreth 250 metra nën nivelin e detit, në luginën e Jordanit, dhe ka klimë subtropikale. Qyteti zinte rreth 1.000 hektarë tokë dhe kishte tiparet e një qyteti-kopsht. Atje Herodi ndërtoi një pallat dimri. Bashkoi në një ndërtesë të madhe tre pallate që kishte ndërtuar, dhe secilin pallat e pajisi me salla pritjeje, banja, kopshte dhe pishina. S’është për t’u habitur që parapëlqente Jerikonë si rezidencë dimërore.

Pallate madhështore që shërbenin si fortesa

Gjithsesi, Herodi kishte edhe një alternativë tjetër ku të kalonte dimrin. Ai zgjeroi një kështjellë në rrafshinën e lartë shkëmbore që njihet si Masada, e cila është më shumë se 400 metra mbi nivelin e Detit të Vdekur. Atje ndërtoi një pallat elegant me tri nivele, me një verandë dhe pishina, si dhe një pallat tjetër që kishte një banjë romake me tuba ngrohjeje të futur në mure e madje edhe një WC me shkarkues.

Në atë mjedis të egër shkretëtire, Herodi krijoi tamam një qendër klimaterike mbretërore. E pajisi me një duzinë cisternash që mund të mbanin rreth 40.000.000 litra ujë. Meqë kështjella ishte e pajisur edhe me një sistem të efektshëm të mbledhjes dhe ruajtjes së ujit të shiut, kishte ujë të bollshëm për të vaditur të mbjellat e për t’u larë në banja e në pishina.

Një bëmë tjetër madhështore inxhinierike e Herodit ishte kështjella-pallat e Herodiumit, që ndodhej në një kodër të lartë, rreth pesë kilometra në juglindje të Betlehemit. Përbëhej nga dy pjesë kryesore: Herodiumi i Sipërm dhe Herodiumi i Poshtëm. Pjesa e sipërme kishte një kështjellë-pallat hijerëndë, në majë të së cilës ishte një kullë lindore pesëkatëshe (tani në rrënoja), që dikur spikaste në horizont. Dy vjet më parë, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve raportuan se në shpatet e sipërme të Herodiumit ishin zbuluar mbetjet e varrit të Herodit, dhe thanë se kjo vërtetonte raportin që bëri në shekullin e parë Jozef Flavi për kortezhin e funeralit të Herodit atje.

Njëherë e një kohë, në Herodiumin e Poshtëm kishte një kompleks kthinash dhe zyrash të pallatit. Pjesa qendrore ishte një kopsht i stilit romak, i zbukuruar me kolona, që rrethonte një pishinë gjigante me një ishull dekorativ në mes. Pishina ishte pothuajse sa dyfishi i një pishine olimpike moderne. Shërbente si rezervuar, por përdorej edhe për të notuar ose për të shëtitur me barkë. Uji vinte nga një burim që ndodhej pesë kilometra larg, me anë të një ujësjellësi.

Disa vjet më parë, një vizitor tha kështu për peizazhin përreth: «Në lindje, shihje gjithçka deri në Detin e Vdekur. Para nesh shtrihej shkretëtira e Judesë, ku Davidi arriti t’i shpëtonte ndjekësit të tij, Saulit. Duke parë sa i thyer është terreni, e kuptuam si arriti të shpëtonte, sidomos meqë e kishte njohur atë terren që në fëmijëri. Gjithashtu, menduam se ndoshta, ndërsa kulloste delet, Davidi vinte shpesh në këtë kodër për të shijuar pamjen madhështore që po shijonim ne.»

Janë shkruar libra të tërë për projektet e ndërtimit të Herodit. Ka shumë hamendje se përse ai nisi një program kaq të gjerë ndërtimesh. Disa thonë se e bëri për famë, të tjerë për të fituar favor politik. Sido që të ketë qenë, kjo përmbledhje e shkurtër vërteton se Herodi i Madh nuk ishte vetëm një tiran i pamëshirshëm, por edhe një mjeshtër i ndërtimit.

[Figura në faqen 25]

CEZAREA

Skicë e një artisti

[Figura në faqen 25]

PALLATI NË JERUSALEM

Model

[Figura në faqen 25]

TEMPULLI I HERODIT

Model

[Figura në faqen 26]

MASADA

Rrënojat e pallatit me tri nivele

[Burimi]

Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.

[Figura në faqen 26]

HERODIUMI

Skicë e një artisti

[Burimet e figurave në faqen 25]

Cezarea: Hiram Henriquez/​National Geographic Stock; Pallati: Me mirësjellje nga Muzeu i Izraelit, Jerusalem, dhe Todd Bolen/​Bible Places.com