Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bekim apo mallkim?

Bekim apo mallkim?

Bekim apo mallkim?

Një shofer humbet kontrollin e makinës, godet një shtyllë elektrike dhe plagos rëndë një pasagjere. Menjëherë merr celularin dhe telefonon për ndihmë. Po pse e humbi kontrollin? Sepse për një çast i hoqi sytë nga rruga që të përgjigjej në telefon.

SIÇ tregon ky shembull, artikujt e teknologjisë moderne mund të jenë ose bekim, ose mallkim; kjo varet nga ne. Megjithatë, njerëzve s’para u pëlqen të kthehen tek artikujt primitivë të së djeshmes. Për shembull, kompjuterët na heqin disa angari, na krijojnë mundësi të blejmë dhe të kryejmë kollaj veprime bankare me anë të Internetit, si dhe na ndihmojnë të ruajmë lidhjet me të tjerët nëpërmjet postës elektronike ose të komunikojmë me zë a me figurë.

Jo shumë kohë përpara, familjarët shkonin çdo mëngjes në punë të vet dhe nuk flitnin me njëri-tjetrin deri në mbrëmje. Kurse sot, siç thotë gazeta USA Today, «70% e çifteve, ku të dy partnerët kanë celularë, flasin përditë sa për t’i thënë njëri-tjetrit ‘ç’kemi?’, 64% lidhen për t’u organizuar me njëri-tjetrin dhe 42% e prindërve flasin çdo ditë me fëmijët nëpërmjet celularit».

Mos lejoni që e mira t’ju bëjë dëm

A mund të na bëjë dëm mendërisht dhe fizikisht teknologjia po ta teprojmë ose të mos e përdorim siç duhet? Të marrim rastin e dy të sapomartuarve në një vend perëndimor. Sipas një lajmi, ata «ishin gjithë kohën në telefon: në makinë, në palestër, madje i telefononin njëri-tjetrit edhe nga dhoma në dhomë brenda shtëpisë». Nganjëherë harxhonin 4.000 minuta, pra më shumë se 66 orë në muaj dhe thoshin se nuk rrinin dot pa celularët. Dr. Haris Stretneri, specialist i shëndetit mendor, thotë se ata shfaqin «shenjat tipike të varësisë». «Është sikur kanë një marrëdhënie nëpërmjet një objekti.»

Ky rast mund të duket ekstrem, por pasqyron një prirje shqetësuese. Shumë njerëz nuk e përballojnë dot mendimin të shkëputen qoftë edhe një orë nga mjetet e komunikimit. «Gjithnjë kemi nevojë të kontrollojmë postën elektronike, të jemi në Internet, të çatojmë me miqtë»,—thotë një vajzë në të 20-at.

Dr. Brajan Jeu, në botimin The Business Times of Singapore, thotë që, në rast se teknologjia «ju merr gjithnjë e më shumë kohë dhe bëhet aktiviteti i preferuar i jetës suaj, aq sa nuk bëni asgjë tjetër, kjo është shenja më e sigurt paralajmëruese që diçka nuk shkon». Veç kësaj, njerëzit që mbyllen për orë të tëra dhe merren me pajisjet elektronike, shpesh bëjnë fare pak ose aspak fizkulturë dhe rrezikojnë të vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, diabeti a ndonjë sëmundje tjetër e rëndë.

Ka edhe pasoja më të shpejta. Për shembull, një studim i kohëve të fundit nxori si përfundim se shoferët që flasin në celular, qoftë duke e mbajtur në dorë, qoftë duke përdorur pajisje për t’i pasur duart e lira, janë po aq të kufizuar sa shoferët e dehur. Edhe dërgimi i mesazheve teksa i jep makinës mund të jetë vdekjeprurës, dhe një studim zbuloi se gati 40 për qind e shoferëve nën moshën 27-vjeçare shkruajnë mesazhe kur janë në timon. Gjithashtu, nëse doni të flitni në celular a të dërgoni ndonjë mesazh ndërsa ngitni makinën, mbani parasysh se, në rast aksidenti, policia dhe shoqëria e sigurimeve mund të kontrollojë nëse po përdornit celularin para përplasjes. Një telefonatë ose një mesazh i thjeshtë mund t’ju kushtojë mjaft shtrenjtë. * Hetimet rreth aksidentit të një treni në vitin 2008, që mori 25 jetë njerëzish në Kaliforni, SHBA, zbuluan se makinisti kishte dërguar një mesazh disa sekonda para përplasjes. Ai as i kishte përdorur fare frenat.

Meqenëse gjithnjë e më shumë fëmijë po përdorin celularët dhe kompjuterët, si edhe pajisje të tjera elektronike për t’u argëtuar, duhet të mësojnë t’i përdorin këto mjete me mençuri dhe përgjegjësi. Si t’i ndihmojmë? Ju lutemi të lexoni artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 9 Të gjithë ata që përpiqen të jetojnë sipas mësimeve të Biblës, duhet të kenë veçanërisht kujdes të mos shpërqendrohen nga asgjë çfarëdolloj situate që mund të përbëjë rrezik.—Zanafilla 9:5, 6; Romakëve 13:1.

[Figura në faqen 5]

A po ju merr gjithnjë e më shumë kohë teknologjia?