Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa e rëndësishme është të tregosh përzemërsi?

Sa e rëndësishme është të tregosh përzemërsi?

Sa e rëndësishme është të tregosh përzemërsi?

«PËRQAFOJINI shpesh!»—i tha një profesor i psikiatrisë së fëmijëve nënës së dy binjakëve, e cila sapo kishte lindur për herë të parë. Ajo i kishte kërkuar këshillë si t’i rriste sa më mirë fëmijët. «Dashuria dhe përzemërsia duhen shfaqur në lloj-lloj mënyrash,—shtoi profesori,—si për shembull, me përqafime, puthje, shprehje që përcjellin ngrohtësi, mirëkuptim, lumturi, bujari, falje dhe, kur është e nevojshme, disiplinë me baza. Kurrë nuk duhet të mendojmë se fëmijët e dinë që i duam.»

Duket se Tifani Filldi, drejtoreshë e Institutit Kërkimor për Prekjen pranë Universitetit të Majamit, Florida, SHBA, është dakord me këshillën e mësipërme. Ajo pohon me bindje: «Prekja është po aq jetësore për mirëqenien e fëmijës, sa ushqimi i shëndetshëm dhe fizkultura.»

A kanë nevojë edhe të rriturit që t’u shfaqet përzemërsia me prekje. Po. Nga kërkimet e tij, psikologu Klod Stajner nxori përfundimin se inkurajimi me fjalë e me veprime është thelbësor për mirëqenien tonë emocionale, pavarësisht nga mosha. Laura, infermiere që kujdeset për një grup të madh të moshuarish, thotë: «Kam vërejtur se, kur të moshuarve u tregohet përzemërsi, kjo ndikon mjaft tek ata. Kur i trajton me dashamirësi dhe me një prekje të ngrohtë, fiton besimin e tyre dhe janë të gatshëm të ndjekin udhëzimet që u jep. Për më tepër, ky trajtim i përzemërt tregon respekt për dinjitetin e tyre.»

Veç kësaj, përzemërsia i bën po aq mirë edhe atij që e shfaq. Siç tha dikur Jezu Krishti, «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh». (Veprat 20:35) Ndien shumë kënaqësi sidomos kur përzemërsinë ua shfaq njerëzve që janë të shqetësuar, të trishtuar a të pasigurt. Ka shumë raste në Bibël që përshkruajnë si iu dha kjo ndihmë njerëzve të tillë.

Përfytyroni sa duhet të jetë ngushëlluar «një burrë plot lebër», që ishte i dëbuar nga shoqëria, kur ndjeu prekjen plot dhembshuri të vetë Jezu Krishtit!—Luka 5:12, 13; Mateu 8:1-3.

Mendoni sa fuqi duhet të ketë marrë profeti i moshuar Daniel kur një engjëll i Perëndisë i dha forcë me inkurajim të ngrohtë dhe e preku tri herë. Ato prekje të dashura dhe fjalët zemërdhënëse ishin pikërisht ajo që i duhej Danielit që të merrte veten nga rraskapitja fizike dhe mendore.—Danieli 10:9-11, 15, 16, 18, 19.

Një herë, disa miq të dashur të apostullit Pavël bënë rreth 50 kilometra nga Efesi në Milet për ta takuar. Atje Pavli u tha se mund të ishte hera e fundit që shiheshin. Sa i inkurajuar duhet të jetë ndier apostulli kur miqtë e tij besnikë «iu hodhën . . . në qafë dhe e puthën me butësi»!—Veprat 20:36, 37.

Pra, edhe Bibla, edhe kërkimet bashkëkohore na nxitin t’i tregojmë përzemërsi njëri-tjetrit. Plotësimi i kësaj nevoje sjell dobi fizike dhe emocionale. Është e qartë se shprehjet e sinqerta dhe me vend të përzemërsisë nuk janë vetëm për fëmijët.