Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kultivo një pikëpamje të ekuilibruar për punën

Kultivo një pikëpamje të ekuilibruar për punën

Kultivo një pikëpamje të ekuilibruar për punën

NË KËTO kohë të krizës së rëndë ekonomike, ndër shqetësimet kryesore është të kesh një punë të rregullt që të sjell të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar nevojat e familjes. Kjo nuk është gjithnjë e lehtë, sidomos sot, kur po heqin nga puna mijëra punëtorë. Nëse befas mbetesh i papunë, sfida është të bësh çmos për të gjetur një punë tjetër.—Shih kutitë në faqet 8 dhe 9.

Sidoqoftë, jeta nuk është vetëm të sfilitesh në punë. «Le ta pranojmë hapur,—thotë Gleni, kryefamiljar nga Australia.—Askush nuk thotë në shtratin e vdekjes: ‘Ah sikur të kisha kaluar më shumë kohë në punë!’» Natyrisht, të bësh një jetë të kënaqshme e me kuptim përfshin të rezervosh kohë për punën. Por, për çfarë tjetër duhet të rezervosh kohë? Për familjen, për t’u çlodhur dhe për nevojat shpirtërore. Si të kujdesesh me ekuilibër për këto fusha të rëndësishme të jetës?

Kohë për punën, kohë për veten

Bibla na thotë të punojmë pa u lodhur që të plotësojmë nevojat e familjes. (Efesianëve 4:28) Gjithsesi na nxit edhe ‘të hamë e të pimë e të shohim të mira për gjithë mundin tonë’. (Eklisiastiu 3:13) Po, orët e gjata të punës, pa pushimin e duhur ose argëtimin, të grabitin shumë kënaqësi të jetës. Kjo mund të çojë edhe në probleme të rënda shëndetësore.

Mbingarkesën e vazhdueshme me punë e kanë lidhur me dhjamosjen, alkoolizmin, sëmundjet e zemrës, aksidentet në punë, varësinë nga droga, ankthin, rraskapitjen, depresionin dhe mjaft çrregullime të tjera me bazë stresin. Kjo mbingarkesë është edhe vdekjeprurëse. Sipas një raporti, në Japoni vdesin çdo vit rreth 10.000 veta nga mbingarkesa në punë, pra njësoj sa vdesin çdo vit nga aksidentet me makinë në këtë vend. Kjo dukuri, e quajtur karoshi ose «vdekje nga puna a tepërt», i kalon kufijtë e Japonisë.

Vër re se Bibla këshillon me mençuri: «Më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.» (Eklisiastiu 4:6) Po, ekuilibri është jetësor. Mos u bëj i fiksuar pas punës. Mbroje shëndetin mendor, fizik dhe emocional, duke gjetur kohën për të pushuar e për të shijuar frytet e mundit tënd.

«Duhet të punojmë për të jetuar dhe jo të jetojmë për të punuar»,—thotë Andrea, i martuar dhe me tre fëmijë. Ekuilibri mes punës dhe pushimit e kohës së lirë do të të ndihmojë edhe të kujdesesh për nevojat e familjes. Por kjo nuk është e lehtë, sidomos kur ke fatura për të paguar.

Trego ekuilibër mes punës dhe familjes

Sot shumë familjarë janë tepër të zënë dhe kalojnë fare pak kohë bashkë. «Puna më thith shumicën e energjive, kështu që fëmijët marrin ç’mbetet»,—ankohet një grua nga Anglia. Në Shtetet e Bashkuara, 1 në 5 adoleshentë të anketuar thanë se shqetësimi kryesor ishte që «nuk kalonin kohë mjaftueshëm me prindërit». Një studim tjetër në SHBA tregoi se çiftet ku të dy bashkëshortët punojnë, bisedojnë mesatarisht vetëm 12 minuta në ditë me njëri-tjetrin.

Të mërzitur nga stresi i punës që sa vjen e rritet, shumë njerëz po e shqyrtojnë jetën e tyre që të vënë në radhë të parë gjërat kryesore dhe po bëjnë ndryshime. Timoteu, familjar me dy fëmijë të vegjël, thotë: «Punoja jashtë orarit, kurse ime shoqe punonte në fundjavë. Mezi takoheshim. Si përfundim, i peshuam prapë gjërat dhe bëmë ndryshime me punën. Tani jemi shumë më të kënaqur.» Brajani, administratori i një dyqani, thotë: «Kur prisnim fëmijën e dytë, kërkova një punë që të përshtatej me nevojat e familjes. Pranova të merrja 10.000 dollarë më pak në vit vetëm që të kisha orar më të mirë. Megjithatë ia vlejti.» Melina e la punën kur lindi vajzën e parë. Ajo kujton: «Ishte e vështirë të mësoheshe prapë me një rrogë. Por me tim shoq menduam se ishte më mirë të rrija në shtëpi me Emilinë, sesa ta mbante dikush tjetër.»

Gjithsesi, duhet të pranojmë se shumë familje mezi mbyllin muajin. Disa bashkëshortë bëjnë dy punë vetëm për të plotësuar nevojat elementare. Në raste të tjera të dy bashkëshortët punojnë dhe fëmijët i lënë me gjyshërit ose në çerdhe a kopsht.

Ti mund të gjesh mënyra të tjera për të ekuilibruar punën me detyrimet familjare. Thelbi është: mos i braktis gëzimet e jetës familjare duke iu kushtuar tepër punës.

Ji i sigurt se, po të tregosh ekuilibër mes punës, çlodhjes dhe nevojave të familjes, do të shpërblehesh më së miri. Në artikullin përmbyllës do të shqyrtojmë një faktor edhe më të rëndësishëm për një jetë të thjeshtë e të ekuilibruar.

[Diçitura në faqen 5]

Mos u bëj i fiksuar pas punës

[Diçitura në faqen 5]

«Më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.»—Eklisiastiu 4:6

[Diçitura në faqen 6]

Mos i braktis gëzimet e jetës familjare duke iu kushtuar tepër punës

[Kutia dhe figura në faqen 6]

PARATË APO KOHËN E LIRË?

Disa studiues të shekullit të 20-të mendonin se zhvillimi i teknologjisë do t’i çlironte njerëzit nga barra e punës dhe do të hapte «një epokë të paparë të kohës së lirë».

Në fillim të viteve 30 të shekullit të 20-të, profesori Xhulian Haksli parashikoi se në të ardhmen askujt nuk do t’i duhej të punonte më shumë se dy ditë në javë. Biznesmeni Uolter Giford deklaroi se teknologjia do t’i jepte «çdonjërit mundësinë të bënte ç’të dëshironte . . . , kohën për të zhvilluar artin e të jetuarit [dhe] për aktivitete që të kënaqin mendjen dhe zemrën».

Por ç’të themi për aspiratat materialiste të njerëzve? Sociologu Henri Ferçajëlld krenohej se fabrikat mund «të prodhojnë më shumë të mira nga ç’mund të shfrytëzojmë me efektshmëri, duke punuar mesatarisht . . . jo më shumë se katër orë në ditë».

A dolën të sakta këto parashikime? Gjatë shekullit të 20-të dhe të 21-të pati vërtet një shpërthim ekonomik. Teorikisht, kjo duhej ta pakësonte ndjeshëm ngarkesën në punë. Mirëpo, ç’ka ndodhur? Xhon de Grafi shkruan: «[Njerëzit] kanë vendosur ta përdorin këtë rendiment më të madh për të grumbulluar më shumë para, më shumë pasuri dhe jo të kënaqen me më shumë kohë të lirë. Me fjalë të thjeshta, ne si shoqëri kemi zgjedhur paratë para kohës.»