Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rritësh orkide: Si shpërblehet durimi?

Të rritësh orkide: Si shpërblehet durimi?

Të rritësh orkide: Si shpërblehet durimi?

RRITJA e orkideve mund të kthehet në zakon. Disa admirues kalojnë orë të tëra duke studiuar emrat latinë të luleve të tyre të preferuara, që t’i shqiptojnë siç duhet. Pse njerëzit magjepsen kaq shumë pas orkideve?

Ka një numër marramendës orkidesh të llojeve të ndryshme. Në natyrë janë zbuluar rreth 25.000 lloje të ndryshme dhe organizatat zyrtare njohin më shumë se 100.000 hibridë artificialë! Termi «hibrid artificial» nuk do të thotë që botanistët kanë krijuar organizma të gjallë të rinj nga dheu, uji dhe ajri. Do të thotë se këta hibridë janë produkt i pjalmimit të kryqëzuar nën kontrollin e njeriut.

Si orkidetë në natyrë, ashtu edhe ato që janë kultivuar me ndihmën e njeriut, kanë përmasa nga më të ndryshmet. Ka orkide të vockla që shihen më mirë me lupë, kurse të tjera pozojnë gjithë nur në parvazet e dritareve. Një orkide që rritet në pyllin e shiut të Indonezisë, mund të peshojë mbi 500 kilogramë.

Orkidetë i gjen në një larmi ngjyrash e në shumë forma të ndryshme. Disa prej tyre ngjasojnë jashtëzakonisht me bletët, fluturat dhe zogjtë. Format e disa të tjerave nuk ngjasojnë me asgjë tjetër që mund të kesh parë më përpara, dhe këto janë veçanërisht tërheqëse, sidomos për rritësit e orkideve. Për shumë vjet, këto bimë të bukura mund t’i blinin vetëm të pasurit, por tani orkidetë mund t’i blejnë edhe ata që kanë më pak të ardhura. Lexoni historinë e orkideve të bukura që mund të shihni sot.

«Ethet e orkideve»

Njerëzit i kanë admiruar për shekuj me radhë orkidetë, por rritësit vetëm kohët e fundit kanë mësuar mënyra të efektshme për t’i riprodhuar ato. Në vitin 1856, çeli orkideja e parë hibride e prodhuar nga njeriu. Megjithatë, rritja e këtyre luleve të mrekullueshme, por nazelie, shpesh ishte më tepër e lodhshme, se e kënaqshme.

Farat e orkideve janë të vogla, madje disa janë si pluhur i imët. Të punosh me këto fara të vockla ka qenë dhe shpesh është akoma një sfidë, por vështirësia më e madhe ka qenë t’i rritësh ato. Për dekada të tëra, rritësit eksperimentuan me lëndë dhe mjedise të ndryshme, që të gjenin kushtet e duhura për mbirjen e farave të orkidesë. Në vitin 1922, doktor Ljuis Knudseni, shkencëtar në Universitetin «Kornell» në Shtetet e Bashkuara, zbuloi se farat mbinin e lulëzonin kur viheshin në një përzierje me ujë, sheqer dhe agar (lëndë e qullët që nxirret nga disa leshterikë). Shpejt, të pasionuarit pas orkideve, nisën të prodhonin me bollëk hibride të reja orkidesh. Këto «ethe të orkideve» vazhdojnë ende, dhe çdo vit shfaqen shumë hibride që s’janë parë kurrë më parë në publik.

Megjithatë, shumë kohë para se t’i kultivonin njerëzit, orkidetë rriteshin në natyrë. Si prodhojnë ato hibridë në mjedisin e tyre natyror?

Orkidetë në natyrë

Kur në të njëjtën zonë lulëzojnë dy ose më shumë lloje të afërta orkidesh, ka mundësi që të zhvillohet një hibrid natyror. Në natyrë, si pjalmues veprojnë insektet dhe krijesa të tjera. Kur një pjalmues viziton orkidetë në kërkim të nektarit, pjalmi i njërës bimë i ngjitet në trup dhe kështu ai pjalmon bimët e tjera që viziton. Më pas, orkidetë e pjalmuara mund të pllenohen. Si të tilla, do të prodhojnë boça me fara.

Me kalimin e kohës, boça me fara piqet, çahet dhe lëshon në ajër mijëra ose edhe miliona fara. Disa bien në tokë, kurse shumë të tjera i merr me vete era. Farat që zënë rrënjë, duhet të kalojnë shumë peripeci dhe vetëm pak prej tyre arrijnë të çelin. Ato bimë që rriten pasi pjalmi nga njëri lloj ka pllenuar një lloj tjetër, njihen si hibridë natyrorë. Po një hibrid artificial, si prodhohet?

Prodhimi i hibridëve

Një orkide hibride është kombinim i tipareve nga secili prind. Kështu, fillimisht rritësi merr në shqyrtim ç’lloj luleje dëshiron të prodhojë. Ndoshta kërkon një ngjyrë të veçantë ose vija a pika. Mbase kërkon t’i kombinojë këto tipare te një bimë me lule më të vogla ose më të mëdha. Aroma është një faktor tjetër. Duke pasur në mendje këto gjëra, rritësi zgjedh dy orkide, me shpresë se do t’u përçojnë pasardhësve të tyre tiparet e dëshiruara. Për shembull, një rritës orkidesh mund të zgjedhë orkidenë Paphiopedilum armeniacum si një nga llojet që do të përdorë. Kjo orkide u zbulua në Kinë në vitin 1979. Shpesh u jep një ngjyrë të fortë të verdhë në të artë pasardhësve të vet hibridë, disa prej të cilëve kanë një bukuri marramendëse.

Pasi ka gjetur dy bimët prindër, rritësi heq të gjithë pjalmin nga prindi boçë, domethënë lulja që do të marrë pjalmin nga bima tjetër. Orkideja që jep pjalmin, njihet si prindi pjalm. Me një kruajtëse dhëmbësh ose diçka të ngjashme, rritësi heq pjalmin nga prindi pjalm dhe e vendos në fund të gypit pjalmor të lules së prindit boçë. Këtë orkide, së cilës i ka bërë pjalmim të kryqëzuar, e emërton me emrat e dy prindërve dhe datën e pjalmimit.

Duhet durim

Nëse kryhet pllenimi, në lulen e prindit boçë ndodh diçka e mahnitshme. Tuba të hollë si fije dalin nga gypi pjalmor dhe zgjaten drejt një pjese të lules që quhet vezore. Pastaj vezorja fryhet dhe formon një boçë farash. Brenda saj po formohen qindra mijë fara të vockla, secila e lidhur me një tub pjalmi. Mund të duhen muaj ose më shumë se një vit që të piqet një boçë farash. Në atë pikë, rritësi i mbledh farat nga boça dhe i vendos në një epruvetë të sterilizuar, ku ka një solucion me agar dhe ushqyes. Nëse farat mbijnë, pas pak do të shfaqen orkide të vogla si një qilim bari të gjelbër.

Pas disa muajsh, rritësi i heq filizat nga epruveta dhe i vendos afër njëri-tjetrit në një vazo. U kushton vëmendje filizave, duke i ujitur shpesh që të mos thahen. Pas njëfarë kohe, rritësi i ndan orkidetë e reja në vazo më vete. Në këtë pikë, durimi është vërtet një virtyt. Orkideve mund t’u duhen nga disa vjet në mbi një dekadë që të lulëzojnë.

Përfytyroni kënaqësinë e rritësit kur sheh një lule në një orkide që është përpjekur të prodhojë. Nëse hibridi është një kombinim i ri, rritësi mund ta regjistrojë duke përdorur një emër që e zgjedh vetë. Të gjithë hibridët e prodhuar më pas, duke përdorur këtë kombinim midis gjinive ose llojeve, do të quhen sipas emrit të regjistruar.

Nganjëherë, një rritës gjen një kombinim ideal që bën bujë ndër të pasionuarit pas orkideve. Për këtë mund të marrë çmime dhe bimët e tij të bukura do të kushtojnë shumë. Por, pavarësisht nga paratë e fituara, kënaqësia e tij kur sheh një lule te një orkide që ka prodhuar vetë, është vërtet e paçmuar.

Tani e dini se sa kohë e durim duhet për të prodhuar orkidetë e bukura që admironi. Por, në të vërtetë, puna që bëjnë njerëzit për të krijuar orkide hibride është e thjeshtë në krahasim me atë të Krijuesit të madh të çdo gjëje të gjallë, Jehovait. Ai ka vënë te çdo bimë kodin e ndërlikuar gjenetik, duke krijuar mundësinë për lule kaq të bukura. Ne thjesht mund të admirojmë pasionin e tij artistik, të shfaqur te larmia mahnitëse e orkideve hibride. Është pikërisht ashtu si shkroi psalmisti David: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti.»—Psalmi 104:24.

[Figura në faqen 17]

Hibridi «Beallara»

[Figura në faqen 17]

Hibridi «Doritaenopsis»

[Figura në faqen 18]

Hibridi «Brassidium»