Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse nuk u pëlqej djemve?

Pse nuk u pëlqej djemve?

Të rinjtë pyesin

Pse nuk u pëlqej djemve?

Ai e di se të gjithë më admirojnë, pasi i kam thënë se u pëlqej edhe djemve të tjerë. Qeshi kur i thashë sa budallaqe janë disa nga shoqet e mia. E di edhe se jam e zgjuar, sepse e kam korrigjuar për disa gjëra që ka thënë. Çuditem pse akoma s’më ka ftuar të dalim bashkë.

Duket tërheqëse, por edhe kaq e cekët! S’më ka lënë të flas fare. Edhe kur flas, më korrigjon gjithnjë. Sapo e shoh, më vjen t’ia mbath.

A KE merak mos nuk u dukesh tërheqëse djemve? Shumë vajza merakosen, madje edhe ato që ti mendon se s’kanë asnjë problem. Për shembull, mendo për Joanën. Ajo është e bukur, e zgjuar dhe e shkathët nga goja. Megjithatë thotë: «Shpesh, më duket sikur nuk u pëlqej djemve. Nja dy që kam pëlqyer, treguan njëfarë interesi për ca kohë, por pastaj as më flitnin me gojë!»

Çfarë i tërheq djemtë te një vajzë? Çfarë nuk i tërheq? Pa e ulur veten, ç’mund të bësh që t’i tërheqësh vëmendjen një djali për së mbari?

Ç’duhet të bësh

Njih mendjen dhe zemrën tënde. Pak pasi hyre në pubertet, me siguri filluan të të pëlqenin më tepër djemtë. Ndoshta je ndier e tërhequr jo vetëm ndaj një djali. Kjo është normale. Por, nëse do t’ia kishe falur menjëherë zemrën djalit të parë për të cilin ajo të rrahu fort, do të kishe rrezikuar të pengoje rritjen tënde emocionale e frymore. Duhet kohë që të zhvillosh tipare të mira të personalitetit, ‘ta përtërish mendjen’ për çështje të rëndësishme dhe të arrish disa synime të tuat.—Romakëve 12:2; 1 Korintasve 7:36; Kolosianëve 3:9, 10.

Është e vërtetë se shumë djem pëlqejnë vajzat që ende nuk kanë formuar bindje të forta ose që janë naive. Por, këtyre djemve kryesisht u intereson trupi i vajzës, jo njeriu që është ajo nga brenda. E vërteta është se një djalë i ekuilibruar do të kërkojë një vajzë, cilësitë e mira të së cilës mund të plotësojnë personalitetin e tij.—Mateu 19:6.

Ja çfarë thonë djemtë: «Më pëlqen kur një vajzë është në gjendje të formojë idetë e saj, kur duket e bindur se mund të ketë personalitetin e vet.»—Xhejmsi.

«Do të më interesonte një vajzë që mund të shprehet me respekt e ndershmëri, jo një që thjesht është dakord me çdo gjë që them. Edhe sikur të jetë e bukur, nuk ndihem rehat me një vajzë që më thotë vetëm gjërat që dua të dëgjoj. Kjo më fut frikën!»—Dareni.

«E pranoj se shpesh, më tërheqin fillimisht vajzat e bukura. Por kjo mund të shuhet shpejt, nëse vajza nuk ka synime të qarta e të vlefshme. Në anën tjetër, nëse e di se çfarë dëshiron të bëjë me jetën e saj, sidomos nëse tashmë i ka arritur disa synime, kjo mund ta bëjë shumë tërheqëse.»—Damieni.

Zhvillo respekt për të tjerët. Ashtu siç ti ke nevojë që të të duan, djemtë që njeh kanë një dëshirë të thellë që t’i respektojnë. Nuk është rastësi që Bibla i thotë burrit se duhet të dojë gruan, kurse gruas se duhet të ketë «respekt të thellë» për burrin e saj. (Efesianëve 5:33) Në përputhje me këtë kuptueshmëri, një anketë me qindra djem zbuloi se mbi 60 për qind thanë se vlerësonin më tepër respektin se dashurinë. Mbi 70 për qind e burrave të anketuar, bënë të njëjtën zgjedhje.

Respekti nuk nënkupton dorëzim, domethënë që duhet të heqësh dorë nga e drejta për të pasur një mendim ndryshe e për ta shprehur. (Zanafilla 21:10-12) Mënyra si e shpreh mendimin, ka të ngjarë të përcaktojë nëse do t’i pëlqesh apo jo një djali. Nëse gjithnjë e kundërshton ose e korrigjon kur flet, ai mund të mendojë se s’ke shumë respekt për të. Por, nëse tregon se e kupton pikëpamjen e tij dhe komenton për atë që të duket me vlerë, do të ketë më shumë të ngjarë që ta pranojë e ta vlerësojë mendimin tënd. Natyrisht, një i ri mendjemprehtë do të dallojë edhe nëse i trajton familjarët e tu dhe të tjerët me respekt. *

Ja çfarë thonë djemtë: «Djemve u pëlqen të mendojnë se opinioni i tyre ka rëndësi për dikë, sidomos për një vajzë që e pëlqejnë.»—Entoni.

«Mendoj se respekti është gjëja më e rëndësishme në fillim të një lidhjeje. Dashuria mund të lindë më vonë.»—Adriani.

«Nëse një vajzë mund të më tregojë respekt, mendoj se patjetër mund të më dojë.»—Marku.

Vishu me modesti dhe mbaj një higjienë të mirë. Veshja e rregullimi janë si altoparlantë që u transmetojnë të tjerëve mendimet e tua të brendshme dhe qëndrimet e tua. Shumë kohë para se të fillosh të flasësh me një djalë, veshja jote i ka thënë tashmë shumë për ty. Nëse rrobat janë të rregullta e modeste, do t’u dërgojnë të tjerëve një mesazh shumë pozitiv. (1 Timoteut 2:9) Nëse janë provokuese ose të shkujdesura, mesazhi do të jetë i qartë, si edhe negativ.

Ja çfarë thonë djemtë: «Standardi që ka një vajzë në veshje tregon shumë për qëndrimin që ka ndaj jetës. Nëse vesh rroba transparente ose të shkujdesura, kjo më thotë se vdes që ta vënë re.»—Adriani.

«Më tërheq një vajzë që kujdeset për flokët, vjen erë të mirë dhe ka një zë qetësues. Në anën tjetër, edhe pse më tërhiqte një vajzë e bukur, higjiena e saj e keqe i dha fund gjithçkaje.»—Rajani.

«Më tërheq vërtet një vajzë që s’e ndien të nevojshme të ngarkohet me tualet e që s’ka nevojë të veshë rroba të ngushta ose transparente për të tërhequr vëmendjen.»—Etani.

«Nëse një vajzë ka veshje provokuese, natyrisht që të tërheq fillimisht. Por nuk është ky lloji i vajzës me të cilën dua të lidhem.»—Nikolasi.

Çfarë nuk duhet të bësh

Mos flirto. Gratë kanë aftësinë të ushtrojnë një ndikim të jashtëzakonshëm te burrat. Kjo fuqi tërheqëse mund të përdoret për mirë e për keq. (Zanafilla 29:17, 18; Proverbat 7:6-23) Nëse e vë në provë këtë fuqi te çdo djalë që takon, do të të dalë nami si flirtuese.

Ja çfarë thonë djemtë: «Thjesht ulja afër një vajze tërheqëse dhe prekja e supeve, mund të jetë emocionuese për një djalë e t’i zgjojë ndjenjat. Prandaj, mendoj se një vajzë që vazhdimisht të prek ndërsa flet me ty, po flirton.»—Nikolasi.

«Nëse një vajzë vazhdimisht gjen mënyra për t’i prekur krahun çdo djali që takon ose nëse i hedh vështrime lozonjare çdo mashkulli që kalon, mendoj se është flirtuese dhe nuk më tërheq.»—Hozeja.

«Do ta përshkruaja si flirtuese një vajzë që prek çdo djalë që takon dhe, sapo dikush i kushton më shumë vëmendje, shumë kollaj i heq sytë nga i pari dhe përqendrohet te i dyti.»—Etani.

Mos ji shumë e ngjitur. Kur një çift martohet, bëhen «një mish i vetëm», siç e quan Bibla. (Zanafilla 2:24) Në atë fazë të lidhjes së tyre, burri e gruaja heqin dorë nga shumë liri që kishin si beqarë, dhe i zotohen njëri-tjetrit. (1 Korintasve 7:32-34) Por, nëse sapo ke filluar ta njohësh një djalë, s’ke të drejtë të presësh këtë nivel angazhimi prej tij, dhe as ai prej teje. Nëse nxiton dhe kërkon gjithë vëmendjen e tij, mund ta dëmtosh miqësinë me të. *

Ja çfarë thonë djemtë: «Mendoj se një vajzë po bëhet shumë e ngjitur, nëse do të dijë çdo lëvizje timen dhe duket sikur s’mund të ketë një jetë shoqërore të vetën ose interesa të tjera përveç meje.»—Dareni.

«Nëse një vajzë që kam takuar kohët e fundit, më dërgon vazhdimisht mesazhe dhe do të dijë me kë jam, sidomos emrat e vajzave të grupit, mendoj se është një shenjë paralajmëruese.»—Rajani.

«Një vajzë që nuk të lë të kalosh kohë me shokët e tu dhe mërzitet kur nuk e fton gjithnjë, bëhet e varur ndaj teje dhe nuk është tërheqëse.»—Adriani.

Ji e vetëdijshme për vlerën tënde

Ndoshta njeh vajza që do të bënin gjithçka për të pasur vëmendjen dhe miratimin e një djali. Të tjera mund t’i ulin normat e tyre vetëm që të kenë një të dashur, ose edhe një burrë. Por, parimi ‘atë që mbjell, do të korrësh’ zbatohet edhe në këtë rast. (Galatasve 6:7-9) Nëse nuk e vlerëson veten dhe normat sipas të cilave përpiqesh të jetosh, ka të ngjarë të tërheqësh djem që nuk të vlerësojnë as ty dhe as normat e tua.

E vërteta është se jo të gjithë djemve do t’u pëlqesh, dhe kjo mund të jetë gjë e mirë. Por nëse bën çmos të kujdesesh si për bukurinë e jashtme, ashtu edhe atë të brendshme, do të kesh «vlerë të madhe në sytë e Perëndisë» dhe do të tërheqësh atë lloj djali që meriton.—1 Pjetrit 3:4.

[Shënimet]

^ par. 14 Shih kapitullin 3 të librit Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike, vëllimi 2, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 28 Natyrisht, kur një çift fejohet, me të drejtë kanë më shumë përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit.

PËR TË MENDUAR

● Si mund të tregosh se i respekton mendimet dhe ndjenjat e një djali?

● Si mund ta tregosh se e vlerëson veten?

[Figura në faqen 27]

Dashuria dhe respekti janë si rrotat e biçikletës; të dyja janë të domosdoshme