Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund t’ia dalësh mbanë!

Mund t’ia dalësh mbanë!

Mund t’ia dalësh mbanë!

ËSHTË koha të tregohesh ‘guximtar dhe të veprosh’. (1 Kronikave 28:10) Ç’hapa të fundit mund të bësh që të arrish ta lësh duhanin?

Cakto një datë. Ministria Amerikane e Shëndetësisë dhe e Shërbimeve Publike këshillon se, që nga momenti që ke vendosur ta lësh, dita e parë që nuk do të vësh cigare në gojë të jetë brenda dy javësh. Kështu do të kesh motive më të forta. Shënoje datën në kalendar, thuajua miqve dhe mos e ndrysho, edhe nëse rrethanat ndryshojnë.

Bëj një listë. Në këtë listë mund të përfshish pikat e mëposhtme ose edhe ndonjë gjë tjetër që të forcon motivet:

● Arsyet pse do ta lësh.

● Numra telefoni të personave që mund të marrësh kur tundohesh të pish prapë.

● Shprehje​—ndoshta edhe shkrime biblike si Galatasve 5:22, 23—​që do të të ndihmojnë të arrish qëllimin.

Mbaje listën gjithmonë me vete dhe lexoje disa herë në ditë. Edhe pasi ta kesh lënë, vazhdo ta lexosh sa herë tundohesh të pish prapë.

Shkëputu nga zakonet paraprakisht. Disa ditë para datës së caktuar për ta lënë duhanin, fillo të shkëputesh nga çdo zakon që lidhet me të. Për shembull, nëse e ke zakon të pish duhan sapo zgjohesh në mëngjes, shtyje për një orë a më tepër. Nëse pi gjatë vakteve ose menjëherë pas tyre, mos e bëj më. Mos shko në vende ku pihet duhan. Kur je vetëm, thuaj me zë: «Jo faleminderit. E kam lënë.» Këto hapa do të të përgatitin më së miri për ditën e caktuar. Gjithashtu do të të kujtojnë se së shpejti duhani do t’i përkasë së kaluarës.

Përgatitu. Ndërsa afron dita e caktuar, mblidh sa më shumë gjëra që t’i hash kur të të pihet duhan si: karota, çamçakëz, fruta të thata etj. Kujtojua miqve dhe familjes ditën e lënies dhe thuaju si të të ndihmojnë. Një ditë para saj, hiq qafe tavllat e duhanit, çakmakët e ndonjë gjë tjetër tunduese, si: cigaret e mbetura nëpër shtëpi, në makinë, në xhepa ose në vendin e punës. Patjetër, është më e vështirë t’i kërkosh një shoku një cigare ose të blesh një paketë, sesa ta marrësh nga sirtari. Po ashtu, lutju pa pushim Perëndisë për mbështetje, e më shumë akoma pas thithjes së fundit.​​—⁠Luka 11:⁠13.

Një numër i madh njerëzish «i kanë prerë lidhjet» me ish⁠⁠-⁠⁠mikun e rremë e të rrezikshëm: duhanin. Edhe ti mund t’ia dalësh mbanë. Të pret një shëndet më i mirë dhe një ndjenjë e mrekullueshme çlirimi.

[Figura në faqen 9]

Mbaje listën gjithmonë me vete dhe lexoje shpesh gjatë ditës