Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Është për t’u habitur që vit pas viti Bibla mbetet libri më i shitur në Amerikë, ndonëse 90% e familjeve tashmë kanë të paktën një kopje. . . . Sipas llogaritjeve, çdo vit shiten 25 milionë kopje.»​​—THE WALL STREET JOURNAL, SHTETET E BASHKUARA.

«Në mbarë botën, kafshimi i gjarprit ndikon në jetën e rreth 4,5 milionë njerëzve çdo vit dhe llogaritje të kujdesshme tregojnë se të paktën 100.000 njerëz vdesin prej tyre dhe 250.000 të tjerë gjymtohen përgjithmonë.»​​—UNIVERSITETI I MELBURNIT, AUSTRALI.

Rreth «210 miliardë letra në ditë janë dërguar me anë të postës elektronike gjatë vitit 2008». ​​—NEW SCIENTIST, BRITANI.

Zhurma e autostradës vështirëson kujtesën

«Njerëzit që e kanë dhomën e gjumit afër një autostrade, hekurudhe ose aeroporti e kanë të vështirë të kujtojnë informacione të së kaluarës dhe të mësojnë gjëra të reja, ndonëse flenë edhe me zhurmë.» Kështu thotë Ajsbrand van der Verfi i Institutit të Holandës për Neuroshkencën. Pagjumësia ndikon te kujtesa dhe te aftësia për të mësuar, por, siç thotë gazeta holandeze de Volkskrant, e njëjta gjë ndodh edhe kur njeriu pëson «një prishje të lehtë të gjumit të thellë pa . . . u zgjuar». Që të funksionojë si duhet kali i detit, një zonë e rëndësishme e trurit për kujtesën, ka nevojë për gjumë të thellë, të pandërprerë nga «faktorë të jashtëm stresues, si zhurma dhe drita».

Fishekzjarrët dhe rrugët e frymëmarrjes

Fishekzjarrët mund të jenë spektakolarë, por grimcat e tyre që përhapen në ajër mund të jenë të rrezikshme për shëndetin. Për të përftuar ngjyrat, shumë fishekzjarrë përmbajnë kripëra të metalit, për shembull, stroncium për të kuqen dhe barium për të gjelbrën. Studiuesit austriakë që krahasuan kampionë të borës së rënë para dhe pas fishekzjarrëve të Vitit të Ri, panë se përqindja e bariumit në borë ishte rritur 500 herë. Ngaqë helmi i bariumit ngushton rrugët e frymëmarrjes, studiuesit thonë se thithja e tymit të fishekzjarrëve mund të keqësojë sëmundjet e frymëmarrjes, si astma.

Turbinat me erë vrasin lakuriqët e natës

Sipas revistës Scientific American, në Albertë të Kanadasë, po gjejnë lakuriqë nate të ngordhur në rrëzë të turbinave me erë. Kjo i ka habitur studiuesit, duke pasur parasysh aftësitë e jashtëzakonshme të lakuriqëve të natës për të dëgjuar dhe fluturuar. Megjithatë, studiuesit kanë zbuluar hemorragji të brendshme te 92 për qind e viktimave. Nga kjo kanë arritur në përfundimin se sistemi delikat i frymëmarrjes te lakuriqët nuk mund ta përballojë rënien e papritur të trysnisë së ajrit që shkaktojnë fletët e turbinës. Skajet e fletëve mund të arrijnë një shpejtësi prej 200 kilometrash në orë. Më shumë preken lakuriqët shtegtarë që ushqehen me insekte dhe frika është se mos turbinat me erë mund të ndikojnë për keq tek ekosistemi.