Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ateistët në Kryqëzatë

Ateistët në Kryqëzatë

Ateistët në Kryqëzatë

NË SHOQËRINË e sotme është shfaqur një grup i ri ateistësh. Janë një lloj i ri ateistësh, që nuk u pëlqen t’i mbajnë vetëm për vete pikëpamjet e tyre. Përkundrazi, kanë nisur një kryqëzatë dhe, siç shprehet gazetari Riçard Bërnshtajn, «janë duke u përpjekur me zell, zemërim dhe pasion t’u ngulitin njerëzve fetarë idetë e tyre». Ata kanë vënë në shënjestër edhe agnosticistët, sepse këta ateistë të rinj nuk i tolerojnë mëdyshjet. Për ta, thjesht nuk ka Perëndi, dhe këtë s’e luan topi.

«Bota ka nevojë të zgjohet nga makthi i gjatë i besimit te feja,​—tha laureati i çmimit Nobel Stiven Uinberg.​—Ne shkencëtarët duhet të lëvizim çdo gur për të dobësuar pushtetin e fesë dhe ky do të ishte kontributi ynë më i madh ndaj civilizimit.» Një nga mjetet për ta arritur këtë, është fjala e shkruar, e cila duket se po ngjall mjaft interes, pasi disa nga librat e ateistëve të rinj janë ndër më të shiturit.

Vetë feja e ka ushqyer kauzën e ateistëve të rinj, sepse njerëzve u ka ardhur në majë të hundës ekstremizmi fetar, terrorizmi dhe konfliktet që kanë pllakosur në botë. «Feja helmon çdo gjë»,​—tha një nga krerët e ateistëve. Për më tepër, thuhet se ky ‘helm’ vjen nga besimet fetare në përgjithësi, jo vetëm nga pikëpamjet ekstremiste. Dogmat bazë, thonë ateistët e rinj, duhen demaskuar, braktisur dhe zëvendësuar me racionalizmin dhe arsyen. Ateisti Sem Haris shkruan se njerëzit nuk duhet të kenë frikë të flasin hapur për këtë «mal me budallallëqe jetëshkatërruese» që gjendet në Bibël dhe në Kuran. Ai vazhdon: «Sot nuk e kemi më luksin të flasim . . . me gjuhë diplomatike.»

Ndërkohë që hedhin poshtë fenë, këta ateistë të rinj lartësojnë shkencën. Madje, disa pretendojnë se shkenca vërteton që Perëndia nuk ekziston. Por a është e vërtetë kjo? Ose më saktë, a arrin dot shkenca ta bëjë këtë? «Pas një kohe të mjaftueshme,​—thotë Harisi,​—njëra palë do të dalë fitimtare dhe tjetra do të humbasë përfundimisht.»

Cilën palë mendoni se koha do të nxjerrë fitimtare? Ndërsa mendoni për këtë, pyetni veten: «A është në thelb i dëmshëm besimi te një Krijues? A do të sillte ateizmi universal një botë më të mirë?» Le të shqyrtojmë se çfarë kanë thënë disa shkencëtarë dhe filozofë të respektuar për ateizmin, fenë dhe shkencën.