Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shtëpitë në miniaturë të Stambollit

Shtëpitë në miniaturë të Stambollit

Shtëpitë në miniaturë të Stambollit

● Kafaze zogjsh prej druri i sheh në shumë vende të botës. Janë vende ideale ku zogjtë mund të ushqehen, të rrinë ngrohtë, të bëjnë fole, të rritin të vegjlit dhe të mbrohen nga grabitqarët ose nga kushtet e motit. Në Stamboll, kafazet janë projektuar që të duken si ndërtesa me përmasa të zakonshme. Disa duken si vila, të tjera si xhami ose si pallate mbretërore. * I quajnë kafaze pëllumbash, vila zogjsh, madje edhe si pallate mbretërore harabelash.

Më i vjetri nga këto kafaze daton të paktën që nga shekulli i 15-të dhe ato ndërtohen sipas arkitekturës otomane. Janë modele të thjeshta, por duke filluar nga shekulli i 18-të, kafazet u kthyen në banesa mahnitëse dhe luksoze. Disa kishin enë për ushqim dhe për ujë, kalime e madje dhe ballkone ku zogjtë, si të thuash, mund të shihnin të gjithë peizazhin. Këto kafaze zakonisht vendoseshin në atë krah të ndërtesës ku dielli binte më shumë, ku sigurohej mbrojtja më e mirë nga era dhe ku macet, qentë e njerëzit nuk arrinin dot. Ndonjëherë këto veçori shtoheshin jo vetëm për të mirën e zogjve, por edhe për të zbukuruar ndërtesën. Kafazet mund t’i shohësh anash xhamive, të mëdha e të vogla, si edhe pranë çezmave publike me ujë të pijshëm, librarive, urave dhe shtëpive.

Mjerisht, shumë nga këto shtëpi në miniaturë janë dëmtuar me kalimin e kohës nga elementet atmosferike, ndërsa të tjera janë prishur me qëllim nga njerëz që nuk ia dinin vlerën. Kafazet tani shihen gjithnjë e më rrallë. Megjithatë, nëse viziton Stambollin dhe nëse të pëlqen arkitektura historike, shiko nëse mund t’i pikasësh këto shtëpiza të brishta të strukura nën strehët e çative. Tani që e di çfarë janë, nëse i vë re këto shtëpi në miniaturë, vizita jote në qytet do të bëhet më interesante.

[Shënimi]

^ par. 2 Edhe pse ngjajnë si reale, këto kafaze nuk ndërtohen sipas modelit të ndonjë ndërtese specifike.