Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjumi​—Sa i rëndësishëm është?

Gjumi​—Sa i rëndësishëm është?

Gjumi​—Sa i rëndësishëm është?

● Studimet e fundit tregojnë se një amerikano-verior fle mesatarisht shtatë deri shtatë orë e gjysmë çdo natë. * Sa i rëndësishëm është gjumi? Kur flemë, çdo 60 deri 90 minuta gjatë natës kalojmë në disa faza gjumi që quhen gjumë me lëvizje të shpejta të syve. Gjatë këtyre fazave, truri është më aktiv dhe studiuesit besojnë se kryen një proces vetëpërtëritjeje. Disa ekspertë thonë se kur cikli i gjumit ndërpritet dhe zgjohesh, kjo pak nga pak ndikon për keq te trupi ynë. Ndikon edhe në funksionimin e trurit, dhe kjo na bën më pak të efektshëm në aktivitetet tona dhe më të prirur ndaj shumë sëmundjeve fizike.

Disa substanca, si kafeina, mund të bllokojnë për pak kohë përbërësit kimikë që sinjalizojnë nevojën për të fjetur. Megjithatë, truri ynë ka një mekanizëm që na vë në gjumë kur nuk kemi fjetur mjaftueshëm, duke shkaktuar ato që janë quajtur microsleeps (përhumbje të shkurtra). Sipas gazetës The Toronto Star, «pavarësisht se çfarë je duke bërë, truri i pangopur me gjumë do të hyjë periodikisht në fazën e parë të gjumit që mund të zgjatë nga dhjetë sekonda deri në një minutë». Imagjinoni sikur jeni duke ngarë makinën me 48 kilometra në orë dhe përhumbeni për dhjetë sekonda. Gjatë kësaj kohe mund të keni përshkuar një distancë më të gjatë se një fushë futbolli. Gjithashtu, mungesa e gjumit të nevojshëm mund të dobësojë sistemin imunitar, sepse pikërisht gjatë gjumit trupi prodhon limfocitet T që luftojnë patogjenët. Gjatë procesit të gjumit, trupi prodhon leptinën, një hormon që ndihmon për të rregulluar oreksin. Po, trupi ka nevojë për gjumë, aq sa ka nevojë edhe për ushtrimet e ushqimin e duhur.

A po ju vjedh puna e tepërt kohën e gjumit, që është aq i domosdoshëm? Po ankthi dhe shqetësimi për atë që keni vënë mënjanë për të ardhmen? Mbreti i mençur Solomon njëherë tha: «I ëmbël është gjumi i atij që shërben, qoftë në ngrëntë pak ose shumë; por bollëku nuk e lë të pasurin të flejë.»​—Eklisiastiu 5:12.

[Shënimi]

^ par. 2 Shih artikullin me titull «A vuani nga mungesa e gjumit?» në revistën Zgjohuni! të 8 shkurtit 2004.