Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka faj feja?

A ka faj feja?

A ka faj feja?

NË FILLIM të shekullit të 18-të, kleriku dhe autori Xhonatan Suift shkroi: «Jemi mjaft fetarë për të urryer njëri-tjetrin, por jo aq fetarë për të dashur njëri-tjetrin.» Shumë kanë argumentuar se në fakt feja është një forcë që ka shkaktuar më tepër përçarje sesa unitet. Por jo të gjithë janë dakord me këtë.

Për shembull, mendoni për përfundimin në të cilin arritën një grup studiuesish në Degën e Studimeve për Paqen në Universitetin e Bredfordit në Mbretërinë e Bashkuar. Grupi ishte caktuar nga BBC-ja për t’i dhënë një përgjigje të logjikshme pyetjes nëse feja sjell paqe apo luftë.

Në një raport të tyre, studiuesit thoshin: «Pasi pamë analizën historike nga një sërë specialistësh, arritëm në përfundimin se në 100 vitet e fundit luftërat vërtet fetare kanë qenë të pakta.» Skuadra e studiuesve shpjegoi se disa luftëra «të cilësuara shpesh në media ose gjetkë si luftëra për fenë, ose luftëra që vijnë nga dallime fetare, në fakt kanë qenë luftëra nacionale, luftëra për çlirimin e territoreve ose për vetëmbrojtje».

Megjithatë, mjaft të tjerë mendojnë se klerikët, me veprat ose me heshtjen e tyre, kanë toleruar dhe mbështetur aktivisht shumë konflikte të armatosura, siç tregojnë edhe citimet më poshtë.

● «Feja duket se lidhet me dhunën gati kudo. . . . Vitet e fundit, dhuna fetare ka shpërthyer mes të krishterëve konservatorë në Shtetet e Bashkuara, mes myslimanëve dhe judenjve të zemëruar në Lindjen e Mesme, mes hinduistëve dhe myslimanëve në Azinë Jugore dhe mes komuniteteve fetare indigjene në Afrikë dhe Indonezi. . . . Individët e përfshirë në këto konflikte kanë përdorur fenë si pretekst për të krijuar ndarje politike dhe për të përligjur ideologji hakmarrëse.»​—Terror në emër të Perëndisë​—Rritja globale e dhunës fetare, anglisht.

● «Është paradoksale, por në kombet ku njerëzit janë fetarë më të zjarrtë, bëhen edhe ligësitë më të rënda shoqërore. . . . Zelli fetar nuk ka arritur të parandalojë krimet e rënda. . . . Përfundimi duket i qartë: për të gjetur kushte jetese të sigurta, të përshtatshme, të rregullta dhe ‘të civilizuara’, shmang vendet shumë fetare.»​—Urrejtje e shenjtë, anglisht.

● «Baptistët njihen më shumë për frymën e luftës sesa të paqes. . . . Kur çështja e skllavërisë [amerikane] dhe zhvillime të tjera ndanë fetë dhe pastaj kombin në shekullin e 19-të, baptistët e veriut e të jugut e përkrahën luftën si një kryqëzatë të drejtë dhe mendonin se Perëndia ishte në anën e tyre. Baptistët u përfshinë edhe në luftërat nacionale me Anglinë (1812), Meksikën (1845) dhe Spanjën (1898), duke u justifikuar se dy të fundit ishin ‘kryesisht për t’u dhënë lirinë fetare popujve të shtypur dhe për të hapur territore të tjera për veprën misionare’. Çështja nuk është se baptistët dëshironin më shumë luftën se paqen, por se, në të shumtën e rasteve, kur lufta fillonte, baptistët e përkrahnin dhe merrnin pjesë në të.»​—Komente dhe shtjellime​—Një gazetë teologjie baptiste, anglisht.

● «Historianët kanë parë nxitjen fetare për të luftuar në shumë epoka dhe mes pothuajse të gjithë popujve e kulturave të ndryshme të botës, dhe zakonisht në të dyja palët e çfarëdo lufte. Thirrja e vjetër ‘perënditë janë në anën tonë’ ka qenë ndër nxitjet më të hershme dhe më të fuqishme për luftë.»​—Epoka e luftërave të fesë, 1000-1650​—Enciklopedia e luftërave dhe e civilizimit global, anglisht.

● «Krerët fetarë . . . duhet të mendojnë më seriozisht për dështimin e tyre për të siguruar një udhëheqje më të mirë dhe për të dëshmuar se bindjet e tyre fetare kanë në themel vlera të vërteta. . . . Është e vërtetë se të gjitha fetë dëshirojnë paqen, por është me pikëpyetje nëse e kanë përmbushur ndonjëherë këtë rol.»​—Dhunë në emër të Perëndisë​—Feja në epokën e konfliktit, anglisht.

Gjatë gjithë historisë, kleri i të gjitha feve kryesore të të ashtuquajturit krishterim (feja katolike, ortodokse dhe protestante) ka siguruar priftërinj dhe kapelanë të panumërt për të ngritur moralin e trupave ushtarake dhe për t’u lutur për të vdekurit e për ata në prag të vdekjes​—në të dyja palët e çdo konflikti. Me këtë mbështetje, ata kanë toleruar gjakderdhjen dhe u kanë dhënë bekimin e tyre të gjitha forcave ushtarake.

Prapëseprapë disa mund të arsyetojnë se feja nuk mund të fajësohet për luftërat. Por çështja është: a ka pasur sukses ndonjë përpjekje e fesë për të bashkuar njerëzimin?

[Kutia në faqen 5]

«Shkëlqesia e tij, dr. Çarls O. Itën, pastor i Kishës Baptiste të Bulevardit Medison, njoftoi dje nga katedra e tij se shtëpia e pastorëve të kishës do të kthehej në një qendër rekrutimi për ata që dëshironin të regjistroheshin në ushtri ose në marinë.

Ai ishte një prej dymbëdhjetë klerikëve në qytet që predikonte për luftën gjatë shërbesave të të dielave në mëngjes dhe që nxiste burra e gra t’i tregonin besnikërinë kombit dhe demokracisë duke i kontribuar luftës në rastin më të parë. Flamurët zbukuronin mjaft kisha.»​—«The New York Times», 16 prill 1917.