Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Hapi 4—Mbrojeni shëndetin

Hapi 4—Mbrojeni shëndetin

«Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» (Proverbat 22:3) Me disa masa mbrojtëse të thjeshta mund të shmangni shumë sëmundje e vuajtje dhe të kurseni kohë e pará.

Mbajeni të pastër trupin. Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, «larja e duarve është gjëja më e rëndësishme që mund të bëni, që të parandaloni përhapjen e infeksioneve dhe të jeni shëndoshë e mirë». Thuhet se jo pak, por 80 për qind e infeksioneve merren nga duart e palara. Prandaj, lajini duart shpesh gjatë gjithë ditës. Kjo është e rëndësishme sidomos para se të hani, të gatuani, të mjekoni një plagë ose edhe vetëm ta prekni, si edhe pasi të prekni një kafshë, të shkoni në banjë ose t’i ndërroni pelenat një foshnje.

Larja me ujë e sapun është më e efektshme sesa përdorimi i dezinfektuesve të duarve me bazë alkooli. Fëmijët kanë shëndet më të mirë kur prindërit i mësojnë të lajnë duart dhe të mos prekin gojën e sytë. Gjithashtu, po të bëni banjë përditë dhe t’i mbani akull të pastra rrobat e çarçafët, do t’ju përmirësohet shëndeti.

Mbrohuni nga sëmundjet ngjitëse. Mos iu afroni tepër atyre që janë me grip ose të ftohur dhe mos përdorni të njëjtat enë, lugë e pirunj. Sëmundja mund t’ju ngjitet edhe ju me anë të pështymës a sekrecioneve të hundës. Sëmundjet që transmetohen nëpërmjet gjakut, si hepatiti B e C dhe HIV/​SIDA, merren kryesisht nga kontakti seksual, injektimi i drogës dhe transfuzioni. Edhe pse vaksinimi mund të parandalojë disa infeksione, prapëseprapë është e mençur të merrni masa mbrojtëse kur jeni me dikë që ka sëmundje ngjitëse. Mbrohuni nga pickimet e insekteve. Mos u rehatoni ose mos flini jashtë të pambrojtur kur mushkonjat a insekte të tjera që mbartin sëmundje, janë në vrullin e punës. Përdorni rrjeta krevati, veçanërisht për fëmijët, dhe solucione kundër insekteve. *

Mbajeni të pastër shtëpinë. Bëni çmos ta mbani shtëpinë xixë dhe të rregullt, brenda e jashtë. Sigurohuni që nuk ka ndonjë vend ku mblidhet uji dhe shtohen mushkonjat. Mbeturinat, pisllëqet, plehrat dhe ushqimet e pambuluara tërheqin insekte e minj, që sjellin mikrobe dhe sëmundje. Nëse nuk keni banjë, bëni një të thjeshtë, në vend se të shkoni diku jashtë. Mbulojeni gropën e WC-së që të mos vijnë miza, të cilat mbartin infeksionet e syrit dhe sëmundje të tjera.

Mbrohuni nga dëmtimet. Ndiqni rregullat e sigurisë kur punoni, kur i jepni biçikletës a motorit ose kur ngitni makinën. Sigurohuni se ai mjet nuk ka ndonjë defekt që mund t’ju rrezikojë jetën. Përdorni veshjet dhe pajisjet e duhura mbrojtëse, si syze të posaçme, kaskë, këpucë të përshtatshme, rripa sigurimi dhe pajisje mbrojtëse për dëgjimin. Mos qëndroni gjatë në diell, pasi kjo shkakton kancer dhe plakje të parakohshme të lëkurës. Nëse pini duhan, lëreni. Po ta lini tani, do të ulni ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës, kancerit të mushkërive dhe iktusit. *

^ par. 5 Shih serinë «Kur insektet përhapin sëmundje», në Zgjohuni!, 22 maj 2003.

^ par. 7 Shih serinë «Si ta lësh duhanin?», në Zgjohuni!, maj 2010.