Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A afroheni me Perëndinë kur i shkaktoni dhembje vetes?

A afroheni me Perëndinë kur i shkaktoni dhembje vetes?

Pikëpamja e Biblës

A afroheni me Perëndinë kur i shkaktoni dhembje vetes?

SHUMICA e njerëzve rrëqethen qoftë edhe nga mendimi se dikush mund t’i shkaktojë dhembje vetes. Megjithatë, besimtarët që e kanë torturuar trupin me vetëfshikullim, me agjërim ekstrem ose me rroba shajaku që acarojnë lëkurën, janë ngritur në piedestal si shembuj për të devotshmit. Këto praktika nuk janë thjesht gjurmë të mesjetës. Sipas lajmeve të fundit në media, edhe sot ka krerë të shquar fetarë që praktikojnë vetëfshikullimin.

Ç’gjë i shtyn njerëzit ta adhurojnë Perëndinë në këtë mënyrë? Siç u shpreh zëdhënësi i një organizate të vetëquajtur të krishtere, «vuajtjet që pranohen vullnetarisht janë një mënyrë për t’u bashkuar me Jezu Krishtin dhe me vuajtjet që pranoi vullnetarisht ai, për të na shpenguar nga mëkati». Pavarësisht nga pohimet e krerëve fetarë, çfarë thotë Bibla rreth kësaj?

Çmojeni trupin tuaj

Bibla as rekomandon, as pranon ta adhurojmë Perëndinë duke i shkaktuar dhembje vetes. Në fakt, ata që i druhen Perëndisë, Bibla i nxit haptas të kujdesen për trupin. Për shembull, të marrim përshkrimin që i bën marrëdhënies së ngrohtë mes burrit dhe gruas. Teksa përmend mënyrën si do ta trajtonte normalisht një burrë trupin e vet, Bibla bën këtë thirrje: «Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre . . . Asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të, ashtu siç bën Krishti për kongregacionin.»​—Efesianëve 5:28, 29.

Vallë, a do të kishte kuptim urdhri që burri ta dojë gruan si trupin e vet, sikur besimtarëve t’u kërkohej ta trajtonin mizorisht trupin gjatë adhurimit?! Është e qartë se atyre që i duan parimet biblike, u kërkohet të përkujdesen për trupin, e madje edhe të kenë njëfarë dashurie për të. Kjo dashuri e shëndetshme për veten duhet të përfshijë edhe bashkëshorten.

Jo më kot Bibla përmban mjaft parime që i ndihmojnë lexuesit ta çmojnë trupin e tyre. Për shembull, ajo tregon se është e dobishme të bëjmë fizkulturë me karar. (1 Timoteut 4:8) Gjithashtu, hedh dritë mbi vlerën mjekësore të disa ushqimeve dhe përmend pasojat e dëmshme që vijnë kur jemi të pakujdesshëm në të ngrënë. (Proverbat 23:20, 21; 1 Timoteut 5:23) Shkrimet na nxitin ta ruajmë shëndetin, sepse kështu do të jemi më të gjallë. (Eklisiastiu 9:4) Përderisa lexuesve të Biblës u kërkohet ta mbrojnë shëndetin në këto mënyra, si mund t’u kërkohet edhe ta dëmtojnë trupin?!​—2 Korintasve 7:1.

A duhet të vuajnë të krishterët njësoj si Jezui?

Pavarësisht nga këto, disa organizata përqendrohen gabimisht te vuajtjet që duruan Jezui dhe dishepujt e tij të hershëm, me qëllim që të nxitin vetëtorturimin sot. Mirëpo, vuajtjet që përshkruan në Bibël shërbëtorët e Perëndisë, nuk ishin kurrë të vetëshkaktuara. Kur e drejtuan vëmendjen te vuajtjet e Krishtit, shkrimtarët e krishterë të Biblës donin t’i inkurajonin bashkëbesimtarët të duronin përndjekjet, jo të përndiqnin veten. Prandaj, ata që torturojnë trupin, nuk po imitojnë Jezu Krishtin.

Të bëjmë një shembull. Ta zëmë se një turmë e tërbuar po shan dhe po godet një mikun tuaj që e admironi. Vëreni se ai e përballon sulmin me një qëndrim të qetë e paqësor, pa i kthyer goditjet ose sharjet. Nëse doni të imitoni mikun tuaj, a do të goditnit dhe fyenit veten? S’do mend që jo. Kështu do të imitonit veprimet e turmës. Po t’ju sulmonin edhe ju në mënyrë të ngjashme, thjesht do të mundoheshit të mos ua kthenit flakë për flakë.

Pra, shihet qartë se dishepujve të Krishtit nuk u kërkohet t’i shkaktojnë dhembje vetes, duke imituar turmat e tërbuara që torturuan Jezuin dhe donin ta vritnin. (Gjoni 5:18; 7:1, 25; 8:40; 11:53) Përkundrazi, kur i përndjekin, duhet të imitojnë qëndrimin e qetë dhe paqësor që mbajti Jezui përballë vështirësive.​—Gjoni 15:20.

Një shtrembërim i Shkrimeve

Edhe para epokës së krishtere, Shkrimet Hebraike për adhurimin dhe jetën e judenjve, ndalonin dëmtimin e trupit në çfarëdo mënyre. Për shembull, Ligji i urdhëronte prerazi judenjtë të mos bënin prerje në trup, një zakon që, siç duket, ishte i përhapur ndër kombet e tjera të lashtësisë. (Levitiku 19:28; Ligji i përtërirë 14:1) Pra, Perëndia nuk donte të bënin prerje në trup. Logjikisht nuk do të donte as të bënin vraga me kamxhik. Norma e Biblës është e qartë​—dëmtimi me dashje i trupit në çfarëdo mënyre është i papranueshëm për Perëndinë.

Ashtu si një artist që dëshiron t’i respektohet vepra, Perëndia Jehova, Krijuesi, dëshiron të respektohet trupi njerëzor, krijimi i tij. (Psalmi 139:14-16) Në të vërtetë, mundimi i trupit nuk e forcon marrëdhënien me Perëndinë. Përkundrazi, e sakaton këtë lidhje dhe shtrembëron mësimet e Ungjijve.

I frymëzuar nga Perëndia, apostulli Pavël shkroi për këto doktrina shtypëse të sajuara nga njerëzit: «Ato gjëra shfaqen në një formë adhurimi të vetimponuar, në një përulësi të shtirur dhe në një trajtim të ashpër të trupit, e duken vërtet si mençuri, por nuk kanë kurrfarë vlere në luftën kundër dëshirave të mishit.» (Kolosianëve 2:20-23) Zakonet që ndjekin disa duke i shkaktuar dhembje vetes, «nuk kanë kurrfarë vlere» për t’i afruar me Perëndinë. Kërkesat e adhurimit të vërtetë të Perëndisë janë freskuese, të këndshme dhe të lehta.​—Mateu 11:28-30.

A DONI TË DINI?

● Si e konsideron Perëndia trupin njerëzor?​—Psalmi 139:13-16.

● A ndihmon torturimi i trupit në luftën kundër dëshirave të papërshtatshme?​—Kolosianëve 2:20-23.

● A duhet të jetë i rëndë ose i ashpër adhurimi i vërtetë?​—Mateu 11:28-30.

[Diçitura në faqen 11]

Norma e Biblës është e qartë​—dëmtimi me dashje i trupit në çfarëdo mënyre është i papranueshëm për Perëndinë

[Figura në faqen 10]

Një pelegrin zvarritet me dhembje drejt një kishe

[Burimi]

© 2010 photolibrary.com