Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Libri i martirëve nga Zhan Krespeni

Libri i martirëve nga Zhan Krespeni

Libri i martirëve nga Zhan Krespeni

NË VITIN 1546, 14 burra nga komuna e Mosë, Francë, u shpallën fajtorë për herezi dhe u dënuan me djegie për së gjalli. Ç’krime kishin kryer? Mbanin mbledhje nëpër shtëpi, luteshin, këndonin psalme, kremtonin Darkën e Zotërisë dhe deklaronin se nuk do t’i pranonin kurrë «idhujtaritë papnore».

Ditën e ekzekutimit, mësuesi katolik Fransua Pikard u bëri pyetje sfiduese të dënuarve rreth bindjeve të tyre për Darkën e Zotërisë. Ata iu kthyen me pyetje për doktrinën katolike të transubstancimit, sipas së cilës buka dhe vera gjatë atij kremtimi shndërrohen me një mrekulli në mishin dhe gjakun e Jezuit. Të dënuarit pyetën: «A ka shije mishi ajo bukë? Po vera, a ka gjë shije gjaku?»

Edhe pse nuk u dhanë dot përgjigje, 14 burrat i lidhën në shtylla dhe i dogjën të gjallë. Të gjithë ata që nuk u ishte prerë gjuha, kënduan psalme. Priftërinjtë që rrinin përqark sheshit të ekzekutimit, u munduan t’i mbytnin zërat e tyre duke kënduar më fort. Të nesërmen, në po atë vend Pikardi shpalli se ata të 14-të ishin dënuar përjetësisht në ferr.

Në vitet 1500, Evropa ishte një vend i rrezikshëm për jokonformistët fetarë. Shumë prej atyre që iu kundërvunë doktrinave të pranuara të kishës, hoqën vuajtje të llahtarshme nga kundërshtarët fetarë. Një burim faktesh për këto vuajtje është Le Livre des martyrs (Libri i martirëve) nga Zhan Krespeni, që u botua në Gjenevë të Zvicrës, më 1554. Kjo vepër njihet edhe si Histoire des martyrs. *

Një avokat hyn në radhët e Reformës

Krespeni lindi rreth vitit 1520 në qytetin e Arrasit, në veri të Francës së sotme, dhe studioi për drejtësi në Luven, Belgjikë. Mbase atje u njoh me idetë reformiste. Më 1541, Krespeni shkoi në Paris që të punonte si sekretar i një juristi me emër. Atëherë pa me sytë e tij në Place Maubert të Parisit se si dogjën Klod Lë Penkrenë, të dënuar si heretik. Krespeni u prek thellë nga besimi i atij djaloshi arpunues dhe pohoi se e ekzekutuan ngaqë «u shpalli të vërtetën prindërve e miqve».

Në atë kohë, Krespeni zuri të punonte si avokat në Arras. Mirëpo, s’kaloi shumë dhe e akuzuan për herezi për shkak të bindjeve të reja që mbështeste. Që t’i shpëtonte gjyqit, u arratis në Strasburg të Francës, e më vonë u vendos në Gjenevë, Zvicër. Atje Krespeni u shoqërua me përkrahësit e Reformës. Hoqi dorë nga karriera si avokat dhe u bë botues.

Krespeni botoi vepra fetare të reformatorëve, si Xhon Kalvin, Martin Luter, Xhon Noks dhe Teodor Beza. Ai shtypi tekstin grek të asaj pjese të Biblës që zakonisht quhet Dhiata e Re, si edhe Biblën e plotë ose pjesë të saj në anglisht, frëngjisht, italisht, latinisht dhe spanjisht. Gjithsesi, Krespeni mori famë pasi shkroi Librin e martirëve. Në të renditeshin emrat e shumë të ekzekutuarve për herezi në periudhën 1415-1554.

Pse shkruhej historia e martirëve?

Një pjesë e mirë e literaturës së reformatorëve demaskonte mizorinë e autoriteteve katolike. Ajo i jepte zemër popullit duke e paraqitur «heroizmin» e martirëve protestantë si vijim të vuajtjeve të shërbëtorëve të Perëndisë në kohët më të hershme, përfshirë edhe të krishterët e shekullit të parë. Krespeni përpiloi një listë të atyre që kishin rënë theror për besimin, që t’u jepte bashkëbesimtarëve protestantë shembuj për t’i imituar. *

Libri i Krespenit është një përmbledhje e seancave gjyqësore, procedurave ligjore të Inkuizicionit, tregimeve të dëshmitarëve okularë dhe dëshmive të shkruara nga të akuzuarit kur ishin në burg. Përfshin edhe letra inkurajimi që iu dërguan të burgosurve, disa prej të cilave janë plot me citate nga Bibla. Krespeni mendonte se besimi i të akuzuarve që shkruan dëshmitë, ishte «i denjë të skalitej në kujtesë në jetë të jetëve».

Në pjesët doktrinale të librit, Krespeni ndalet kryesisht te grindjet e famshme mes katolikëve dhe protestantëve. Për shembull, përndjekësit dhe të përndjekurit haheshin rreth çështjeve të tilla, si: purgatori, lutjet për të vdekurit, nëse duheshin përdorur shëmbëlltyrat në adhurim, nëse flijimi i Jezuit përsëritej gjatë meshës katolike dhe nëse papa ishte përfaqësuesi i Perëndisë.

Libri i martirëve është dëshmi e polemikave dhe intolerancës që karakterizonte ato kohë plot dhunë. Edhe pse Krespeni u përqendrua te përndjekja e protestantëve nga katolikët, s’duhet harruar se hera-herës edhe protestantët i kanë përndjekur katolikët me po aq egërsi.

Gjatë gjithë historisë, fetë e rreme janë përlyer me ‘gjakun e profetëve, e të shenjtëve dhe të tërë atyre që u vranë pa mëshirë mbi tokë’. S’ka dyshim se gjaku i martirëve që Perëndia i njeh si besnikë të tij, thërret për hakmarrje nga Ai. (Zbulesa 6:9, 10; 18:24) Disa nga ata që vuajtën e vdiqën për hir të besimit në ditët e Zhan Krespenit, patjetër që po e kërkonin të vërtetën fetare me sinqeritet.

[Shënimet]

^ par. 5 Një përkthim i njërit prej titujve të veprës së Krespenit është Libri i martirëve, pra, një përmbledhje për disa martirë që u përballën me vdekjen në emër të Zotërisë tonë Jezu Krisht, që nga Jan Husi deri në këtë vit, më 1554. Gjatë jetës së Krespenit, dolën një sërë botimesh të rishikuara e të zgjeruara, me ndryshime në titull dhe përmbajtje; të tjera u botuan pas vdekjes së tij.

^ par. 11 Dy histori të tjera për martirët u botuan më 1554, po atë vit që Krespeni botoi Librin e martirëve. Njëra u shkrua në gjermanisht, nga Ludvig Rabusi, kurse tjetra në latinisht, nga Xhon Foksi.

[Figura në faqen 12]

Kopertina e «Librit të martirëve» nga Krespeni (botim i 1564-ës)

[Figura në faqen 13]

Ekzekutim i protestantëve në sy të mbretit të Francës Henri II dhe oborrtarëve të tij

[Burimi i figurave në faqen 13]

Figurat e të dy faqeve: © Société de l’Histoire du Protestantisme Français, Paris