Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është i kudondodhur Perëndia?

A është i kudondodhur Perëndia?

Pikëpamja e Biblës

A është i kudondodhur Perëndia?

SHUMË njerëz besojnë se Perëndia është i kudondodhur, domethënë gjendet kudo dhe në çdo gjë në kuptimin e mirëfilltë. Mbreti i mençur Solomon i kërkoi Jehovait në lutje: «Dëgjo nga qiejt, nga vendbanimi yt i qëndrueshëm.» (1 Mbretërve 8:30, 39) Pra, sipas Biblës, Perëndia Jehova ka një vendbanim. Solomoni e quajti atë vend «qiejt». Ç’kuptim ka kjo?

Bibla nganjëherë i përdor fjalët ‘qiell’ dhe ‘qiej’ për universin fizik përreth Tokës. (Zanafilla 2:1, 4) Sidoqoftë, përderisa Perëndia krijoi gjithçka, vendbanimi i tij duhet të ketë ekzistuar para se të bënte universin fizik. Kështu, Perëndia duhet të jetë në një botë që nuk kushtëzohet nga gjërat materiale. Prandaj, kur flet për qiellin si vendbanimi i Perëndisë Jehova, Bibla nuk e ka fjalën për një vend të caktuar në qiell ose hapësirë, por për një botë frymore, domethënë jo materiale.

Një vegim mbresëlënës

Në Bibël shpaloset një pamje magjepsëse e vendbanimit të Jehovait me anë të një vegimi që iu dha apostullit Gjon. Në atë vegim, Gjoni pa një derë të hapur në qiell e pastaj dëgjoi një zë që i tha: «Ngjitu këtu.»​—Zbulesa 4:1.

Më tej, atij iu paraqit një vegim mbresëlënës i vetë Perëndisë Jehova. Pjesërisht, Gjoni pa këtë pamje: «Një fron është në qiell . . . Ai që rri ulur, i ngjan një guri diaspri dhe një guri të çmuar të kuq, ndërsa rreth e përqark fronit ka një ylber, që ngjan si smerald. . . . Nga froni dalin vetëtima, zëra dhe bubullima. . . . Përpara fronit është diçka si një det i qelqtë që i ngjan kristalit.»​—Zbulesa 4:2-6.

Ç’përshkrim i gjallë i bukurisë rrëzëlluese dhe i madhështisë së paparë të Jehovait! Të mendojmë edhe për ambientin përqark fronit të Jehovait. Ylberi të sjell ndër mend prehjen dhe paqen. Vetëtimat, zërat dhe bubullimat theksojnë fuqinë e Perëndisë. Deti i qelqtë e tërheq vëmendjen te pastërtia e gjithë atyre që janë në praninë e Perëndisë.

Paçka se është simbolike, kjo tablo na zbulon shumë për vendbanimin e Perëndisë. Jehovai mban një rregullsi të përsosur në qiell, e kështu në vendbanimin e tij nuk ka kaos.

A ndodhet kudo në çdo çast?

Fakti që Jehovai ka një vendbanim tregon se nuk ndodhet kudo në çdo çast. Atëherë, si mund ta dijë gjithnjë se çfarë po ndodh? (2 Kronikave 6:39) Një mënyrë është me anë të frymës së tij të shenjtë ose forcës vepruese. Psalmisti shkroi: «Ku do të shkoja larg frymës sate? Ku do të ikja larg fytyrës sate? Sikur të ngjitesha në qiell, ti do të ishe atje. Sikur ta vija shtratin në Sheol, edhe atje do të ishe.»​—Psalmi 139:7-10.

Për të kuptuar se si mund të ndikojë fryma e shenjtë e Perëndisë në shumë vende njëherazi, le të përfytyrojmë diellin. Ai ndodhet në një vend specifik, por e përhap energjinë në një pjesë tejet të madhe të Tokës. Po ashtu, Perëndia Jehova ka një vend ku banon, por mund të realizojë gjithçka që dëshiron në çfarëdo vendi të universit. Veç kësaj, Jehovai mund ta përdorë frymën e tij të shenjtë për të dalluar ç’ndodh kudo dhe në çdo kohë. Në fakt, te 2 Kronikave 16:9 thuhet: «Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij.»

Gjithashtu, Perëndia ka nën drejtimin e tij një organizatë me krijesa frymore që quhen engjëj. Bibla tregon se numri i këtyre krijesave mund të jetë qindra milionë​—mbase miliarda a më shumë. * (Danieli 7:10) Në Bibël ka kushedi sa raste kur engjëjt vepruan si përfaqësues të Perëndisë dhe erdhën në tokë, folën me njerëz e u kthyen t’i tregonin Perëndisë. Për shembull, në ditët e Abrahamit, engjëjt hetuan rreth një britme ankimi për Sodomën dhe Gomorrën. Perëndia vendosi t’i shkatërronte ato qytete, me sa duket pasi mori raportin nga engjëjt.​—Zanafilla 18:20, 21, 33; 19:1, 13.

Pra, Bibla tregon se nuk ka nevojë që Perëndia Jehova të ndodhet kudo në kuptimin e mirëfilltë. Me anë të frymës së tij të shenjtë dhe të forcave engjëllore, atij s’i shpëton asgjë që ndodh me krijimin e tij.

Shihet qartë se falë Biblës mund ta njohim më mirë Krijuesin tonë. Ajo na mëson se Perëndia ka një vendbanim të qëndrueshëm që quhet qiell, një botë frymore përtej qiellit fizik. Bashkë me të janë me miliona krijesa frymore të fuqishme, që po ashtu banojnë në botën frymore. Banesën e tij e karakterizojnë paqja, fuqia dhe pastërtia. Bibla na siguron se, në kohën e duhur, njerëzimi do të shijojë në tokë kushte paqësore si ato që ekzistojnë në qiej.​—Mateu 6:10.

[Shënimi]

^ par. 13 Zbulesa 5:11 tregon se përreth fronit të Perëndisë qëndronin «dhjetë mijë herë dhjetëra mijë» engjëj. Dhjetë mijë herë dhjetë mijë do të ishin 100 milionë. Por duhet vërejtur se në greqisht, shprehja origjinale është në shumës, «dhjetëra mijë», që tregon se mund të ekzistojnë me miliarda krijesa frymore.

A DONI TË DINI?

● A është kudo Perëndia?​—1 Mbretërve 8:30, 39.

● Deri ku shtrihet veprimi i frymës së Perëndisë?​—Psalmi 139:7-10.

[Diçitura në faqen 29]

Dielli ndodhet në një vend të caktuar, por energjia e tij ndihet në një zonë tejet të madhe. Po ashtu, Perëndia ka një vendbanim, por fryma e tij e shenjtë mund të ndihet në çfarëdo vendi të universit që do ai