Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ti je «krijuar në mënyrë të mrekullueshme»!

Ti je «krijuar në mënyrë të mrekullueshme»!

Ti je «krijuar në mënyrë të mrekullueshme»!

A TË vjen pak zili nganjëherë kur mendon për aftësitë e jashtëzakonshme të disa kafshëve? Mbase do të kishe qejf të ngriheshe fluturim si albatrosi, të notoje si delfini, të kishe vështrimin e shqiponjës ose të rendje si gatopardi.

Vërtet, kafshët kanë disa aftësi që të lënë pa fjalë. Por ama, edhe ne kemi! Në fakt, trupi i njeriut është përshkruar si një makineri e përkryer. Natyrisht, jemi ku e ku më lart se një makineri. Kemi aftësi krijuese, kërshëri, fantazi dhe mendjemprehtësi​—cilësi që na nxitin të shpikim makineri me të cilat mund të bëjmë thuajse çdo gjë që na shkon nëpër mend. Mund të fluturojmë, madje me shpejtësi më të madhe se e zërit; të lundrojmë sipër e poshtë sipërfaqes së oqeaneve të paana; të vëzhgojmë rreth 14 miliardë vite-dritë larg në hapësirë; të hulumtojmë qelizën e gjallë; të shpikim ilaçe, terapi e teknologji për të diagnostikuar e kuruar sëmundjet.

Madje edhe me fare pak mjete ndihmëse ose pa to, disa njerëz të shëndetshëm e të stërvitur mirë arrijnë të bëjnë gjëra të mrekullueshme. Për shembull, në Lojërat Olimpike, gjimnastët, zhytësit që hidhen nga lartësi të mëdha, patinatorët, skiatorët e të tjerë bëjnë lëvizje të mahnitshme me një zhdërvjelltësi, mjeshtëri, fantazi e hijeshi që e lë gojëhapur auditorin.

A i çmon dhuratat e pashoqe që ke si njeri? Kuptohet, ndoshta nuk je sportist Olimpiade, por prapë ke shumë dhurata për të cilat duhet të jesh mirënjohës. Një shkrimtar i lashtë i Biblës e shprehu me këngë çmueshmërinë ndaj Perëndisë: «Do të të përlëvdoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë.» * (Psalmi 139:14) Pse të mos i mbash në mend këto fjalë ndërsa lexon artikujt vijues? Në to do të shqyrtohen më hollësisht disa mrekulli të trupit të njeriut, si edhe veçori të tjera shumë më të rëndësishme që na bëjnë vërtet unikë.

[Shënimi]

^ par. 5 Lexuesit që janë të interesuar për çështjen e krijimit dhe të evolucionit, i ftojmë të lexojnë broshurat A u krijua jeta? dhe Origjina e jetës​—Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh. Këto broshura mund t’i merrni nga Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj ose nga botuesit e kësaj reviste.

[Kutia në faqen 3]

PROJEKT QË KURSEN ENERGJI

Falë aftësisë për të ndenjur në këmbë, harxhojmë pak energji, pasi muskujve nuk u duhet të sforcohen edhe aq që ta mbajnë trupin në pozicion vertikal. Në fakt, sipas specialistit të neuroshkencës Xhon R. Skoils, ne ‘përdorim vetëm 7% më shumë energji kur rrimë në këmbë sesa kur shtrihemi’. Ai shton se qentë përdorin rreth 70 për qind më shumë energji kur rrinë me katër këmbë sesa kur janë shtrirë.