Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse disa përdorin dhunën?

Pse disa përdorin dhunën?

Pse disa përdorin dhunën?

KUR e pyetën pse u bë pjesëtar i një grupi militant, Hoseba, që jeton në Spanjë, tha: «Shtypja dhe padrejtësitë që hiqnim atëherë, u bënë të padurueshme. Në qytetin e madh të Bilbaos, ku jetoja, policia e kishte zakon të hynte nëpër shtëpi, t’i zhdëpte në dru njerëzit dhe t’i arrestonte.»

Hoseba shtoi: «Një mëngjes më arrestuan ngaqë u shpreha si ndihesha për taktikat e policisë. Vloja nga zemërimi dhe doja të bëja diçka për të ndrequr situatën, qoftë edhe diçka të dhunshme po të ishte nevoja.»

Shtypje dhe hakmarrje

Ndonëse nuk e justifikon dhunën, Bibla e pranon se «shtypja mund ta bëjë të mençurin të veprojë çmendurisht», domethënë kundër logjikës. (Eklisiastiu 7:7) Shumë njerëz tërbohen nga inati kur keqtrajtohen për shkak të racës, fesë ose kombësisë.

Për shembull, Hafeni, i përmendur në artikullin e kaluar, shprehet: «Trojet tona na i zhvatën padrejtësisht. Përderisa kafshët luftojnë për territoret e tyre, dukej e natyrshme të luftonim për tokën e të drejtat tona.» Në një deklaratë që doli pas vdekjes, një militant kamikaz thoshte: «Po të mos i ndalni bombardimet, helmimet me gaz, burgosjet dhe torturat ndaj popullit tim, ne nuk do ta ndalim luftën.»

Motive fetare

Edhe pse në shumë raste militantët mbrojnë kauza jofetare, shpesh ata nxiten nga shkaqe fetare për akte të dhunshme. Një udhëheqës botëror mori këtë faks nga një zëdhënës militant: «S’jemi të çmendur, as të dhënë pas pushtetit. Jemi në shërbim të Zotit, prandaj qëndrojmë të patundur në pozicionin tonë.»

Në lidhje me motivet fetare, Daniel Benxhamini dhe Stiven Sajmëni shkruanin në librin e tyre Epoka e terrorit të shenjtë (anglisht): «Në një botë që sa vjen e bëhet më fetare, më shumë besimtarë të feve kryesore e të kulteve të reja që mbijnë si kërpudhat, po e bëjnë dhunën strumbullarin e besimit të tyre.» Pasi dokumentoi një sërë aktesh që i quajti «akte terrorizmi të bujshme përqark globit», një studiues tjetër tha: «Të gjitha këto i bashkon bindja e terroristëve se veprimet e tyre ishin të miratuara, madje të urdhëruara nga Perëndia.»

Megjithatë, shumë militantë fetarë kanë pikëpamje ekstremiste që nuk pasqyrojnë vlerat dhe mësimet tradicionale të fesë së tyre.

Skalitur në zemra

Hosebën, që u përmend më lart, e rrahën keq kur e arrestuan. Ai thotë: «Mizoria më bindi se urrejtja ime ishte e justifikuar. Po të më duhej të vdisja që të sillja ndryshime, do t’ia vlente.»

Shpesh nxitjet që merren si pjesë e një grupi, i përforcojnë arsyet për të përdorur dhunën. Hafeni tregon: «Gjatë qëndrimit në kampet e refugjatëve, organizoheshin protesta që na mësuan se të bardhët sajonin pareshtur mënyra dhe mjete që të bënin zap të zinjtë.» Cila ishte pasoja?

«Ndieja se si më shtohej urrejtja për të bardhët,—shton ai.—Nuk i zija besë asnjërit prej tyre. Si përfundim, më erdhi aty ku s’mbaja më dhe mendova se brezi ynë duhej të bënte diçka.»

Është interesante që, pavarësisht nga këto qëndrime të prera, si Hoseba, edhe Hafeni i ndryshuan ndjenjat e rrënjosura të urrejtjes dhe mosbesimit. Ç’gjë arriti deri në mendjen e zemrën e tyre? Le ta zbulojmë në artikullin tjetër.

[Diçitura në faqen 6]

«Mizoria më bindi se urrejtja ime ishte e justifikuar. Po të më duhej të vdisja që të sillja ndryshime, do t’ia vlente.»​—Hoseba