Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’duhet të di për rrjetet shoqërore?​—Pjesa 1

Ç’duhet të di për rrjetet shoqërore?​—Pjesa 1

Të rinjtë pyesin

Ç’duhet të di për rrjetet shoqërore?​—Pjesa 1

«Kam miq në shtete të tjera dhe mënyra më e mirë për të mbajtur lidhjet me ta janë rrjetet shoqërore. Sa më pëlqen që kemi mundësi të flasim, edhe pse jemi shumë, shumë larg.»​—Suzi, 17 vjeçe. *

«Për mua rrjetet shoqërore janë humbje kohe, jeta shoqërore që zgjedhin përtacët. Komunikimi sy më sy është e vetmja mënyrë për të mbajtur miqësitë.»​—Gregori, 19 vjeç.

CILI nga pohimet e mësipërme i afrohet më shumë pikëpamjes sate? Cilido qoftë, një gjë është e sigurt: rrjetet shoqërore përdoren goxha. * Mendo pak për këtë: radios iu deshën 38 vjet për të arritur 50 milionë dëgjues, televizionit iu deshën 13 vjet për të tërhequr po kaq shikues, kurse Internetit iu deshën 4 vjet për të pasur të njëjtin numër përdoruesish. Kohët e fundit, sitit të rrjetit shoqëror Facebook iu shtuan mbi 200 milionë përdorues brenda 12 muajve.

Është i vërtetë apo i rremë pohimi i mëposhtëm?

Adoleshentët përbëjnë përqindjen më të madhe të përdoruesve të rrjeteve shoqërore. ․․․․․ E vërtetë ․․․․․ E rreme

Përgjigjja: e rreme. Afro dy të tretat e anëtarëve të rrjetit shoqëror më të përdorur janë 25 vjeç e lart. Në 2009-ën, përqindja më e madhe e rritjes u has te përdoruesit e moshës mbi 55 vjeç.

Sidoqoftë, me miliona të rinj përdorin sitet e rrjeteve shoqërore, e për disa kjo është bërë metoda e preferuar e komunikimit. Një adoleshente që quhet Xhesika, thotë: «E çaktivizova profilin tim, por pastaj e riaktivizova, se në telefon nuk më merrte njeri. Po të mos jesh në një rrjet shoqëror, njerëzit sikur harrojnë që ekziston.»

Pse janë tërheqëse rrjetet shoqërore? Përgjigjja është e thjeshtë: njerëzit janë programuar të komunikojnë me njëri-tjetrin. E rrjetet shoqërore janë tamam për këtë. Të shohim arsyet pse shumë veta i josh ideja që të bëhen anëtarë të tyre.

1. Është praktike

«Mund të jetë e vështirë të mbash lidhjet me miqtë, por ama, sa kollaj është kur i ke të gjithë në një sit.»​—Lea, 20 vjeçe.

«Vë një koment dhe është si t’u kem shkruar të gjithë miqve njëherësh.»​—Kristina, 20 vjeçe.

2. Presioni i shoqërisë

«Më vijnë orë e minutë ftesa për t’u futur në listën e miqve të dikujt, por nuk mundem ngaqë s’jam anëtare.»​—Natalia, 22 vjeçe.

«Kur u them të tjerëve se kam vendosur të mos hap një profil, më shohin sikur thonë: ‘Po kjo, nga ç’planet vjen?!’»​—Eva, 18 vjeçe.

3. Presioni i mediave

«Mediat ushqejnë idenë se, po të mos komunikosh me lloj-lloj mjetesh elektronike, s’do të kesh shokë. E nëse s’ke shokë, bën jetë boshe. Domethënë, nëse nuk je në një rrjet shoqëror, je një hiç.»​—Katrina, 18 vjeçe.

4. Shkolla

«Mësuesit e mi përdorin një rrjet shoqëror. Disa vënë mesazhe aty që të na njoftojnë nëse së shpejti do të kemi ndonjë test. Ose për shembull, nëse nuk kuptoj diçka në matematikë, mund të vë një mesazh në faqen që ka mësuesi dhe ai më ndihmon ta zgjidh problemin online.»​—Marina, 17 vjeçe.

5. Puna

«Disa të papunë përdorin rrjetet shoqërore. Nganjëherë kjo i ndihmon të gjejnë punë.»​—Emi, 20 vjeçe.

«Në punën që bëj, përdor një rrjet shoqëror. Kështu klientët mund të shohin projektet e punimeve grafike që kam në dorë.»​—Dejvidi, 21 vjeç.

Po ti, a duhet të jesh anëtar i një rrjeti shoqëror? Në rast se jeton me prindërit, u takon atyre ta vendosin. * (Proverbat 6:20) Nëse prindërit nuk duan të bësh pjesë në to, respektoje dëshirën e tyre.​—Efesianëve 6:1.

Nga ana tjetër, disa prindër i lejojnë fëmijët e tyre të pjekur të futen në sitin e një rrjeti shoqëror dhe mbikëqyrin përdorimin e tij. Nëse edhe prindërit e tu bëjnë kështu, a po të cenojnë privacitetin? Aspak! Një rrjet shoqëror është mjet i fuqishëm dhe prindërit merakosen me të drejtë për mënyrën si e përdor. Ç’është e vërteta, komunikimi në rrjetet shoqërore​—thuajse si çdo përdorim tjetër i Internetit—​ka rreziqet e veta. Nëse prindërit të lejojnë të jesh anëtar i një rrjeti shoqëror, si mund t’i shmangësh këto rreziqe?

«Udhëto» i sigurt

Të përdorësh Internetin është pak a shumë si të ngasësh makinën. Mbase e ke vënë re se jo kushdo që ka patentë është shofer i përgjegjshëm. Në fakt, plot aksidente të tmerrshme vijnë nga pakujdesia ose neglizhenca.

Diçka e ngjashme ndodh me përdoruesit e Internetit. Disa janë të papërgjegjshëm kur «udhëtojnë» në të; të tjerë tregohen moskokëçarës. Nëse prindërit të kanë lejuar të hapësh profil në një rrjet shoqëror, kanë besim se do të lundrosh me kujdes në një zonë goxha të rrezikshme të Internetit. Ç’lloj «shoferi» je? A ke treguar se ‘e ruan mençurinë dhe aftësinë për të menduar’?​—Proverbat 3:21.

Në këtë artikull, do të ndalemi te dy aspekte të komunikimit në rrjetet shoqërore që ia vlen t’i mendosh mirë—privaciteti dhe koha jote. Në numrin tjetër të Zgjohuni!, artikulli «Të rinjtë pyesin» do të trajtojë ndikimin e këtyre rrjeteve te reputacioni dhe te miqësitë.

PRIVACITETI YT

Kur është fjala për rrjetet shoqërore, privaciteti mund të jetë gjëja e fundit për të cilën e vret mendjen. Fundja, gjithë puna është të shoqërohesh me të tjerët, apo jo? Megjithatë, nëse nuk merr disa masa, mund të futesh në telashe të mëdha.

Ta ilustrojmë: zëre se ke një dorë të mirë parash. A do t’i nxirrje sheshit që t’i shihnin të gjithë ndërsa shëtit në rrugë me shokët? Do të ishte marrëzi, sikur po kërkon të të grabitin. Nëse je i zgjuar, do t’i fshehësh në një vend që s’duken.

Mendoji informacionet e tua personale si pará. Me këtë në mendje, hidhi një sy listës poshtë dhe shëno gjërat për të cilat do të ndiheshe në siklet t’ia tregoje një të panjohuri.

․․․․․ adresa e shtëpisë

․․․․․ adresa e email-it

․․․․․ ku e bëj shkollën

․․․․․ oraret kur jam në shtëpi

․․․․․ oraret kur s’kam njeri në shtëpi

․․․․․ fotografitë e mia

․․․․․ pikëpamjet e mia

․․․․․ preferencat dhe interesat

Edhe sikur të jesh tipi më i hapur në botë, ka shumë mundësi të jesh dakord se të paktën disa gjëra nga lista e mësipërme nuk duhet t’ia tregosh kujtdo. Mirëpo mjaft të rinj, madje dhe të rritur, pa dashje ia kanë dhënë këto hollësi të panjohurve. Si ta shmangësh këtë kurth?

Nëse prindërit të lejojnë të përdorësh një rrjet shoqëror, duhet të njihesh mirë me opsionet e privacitetit që të ofron dhe t’i përdorësh. Mos ia lër në dorë sitit të të mbrojë privacitetin. Në të vërtetë, opsionet e tij standarde mund të lejojnë që faqen tënde ta shohin e ta komentojnë më shumë njerëz nga ç’ta merr mendja. Kjo është një arsye pse një vajzë e quajtur Alisona i rregulloi opsionet në mënyrë që vetëm rrethi i ngushtë i miqve të saj të arrinte të shihte çfarë vinte në faqen e vet. «Disa nga miqtë e mi kishin miq që s’i njihja,​—thotë ajo,—​dhe nuk doja që ata të panjohur të lexonin gjërat e mia.»

Edhe nëse komunikon vetëm me miqtë e afërt, duhet të tregosh kujdes. Korina 21-vjeçare thotë: «Mund të bëhesh e fiksuar pas komenteve që merr nga miqtë, e kështu nis të nxjerrësh më shumë informacione personale nga ç’duhet.»

Asnjëherë mos harro se, kur bëhet fjalë për Internetin, termi «privacitet» është thjesht relativ. Pse? «Sitet e mëdha të Internetit u bëjnë kopje informacioneve të tyre»,—shpjegon Guen Shurgin O’Kefe në librin e saj CyberSafe. Pastaj shton: «Gjërat që futim në Internet, nuk fshihen kurrë me të vërtetë. Ta flemë mendjen që aty do të mbeten, sepse ka shumë të ngjarë të ketë një kopje gjëkundi; është budallallëk ta mendosh ndryshe.»

KOHA JOTE

Jo vetëm privaciteti, por edhe koha jote është si një dorë e mirë parash. Prandaj, si të thuash, nuk duhet ta shpenzosh pa hesap. (Eklisiastiu 3:1) Kur vjen puna te çdo përdorim i Internetit, përfshirë rrjetet shoqërore, kjo është një nga vështirësitë më të mëdha. *

«Kushedi sa herë kam thënë: ‘Do të rri veç një minutë me këtë.’ Por kalon një orë dhe jam akoma në Internet.»​—Amanda, 18 vjeçe.

«Më ishte bërë ves. Sa herë kthehesha nga shkolla, për orë të tëra kontrolloja ç’thoshin të tjerët për gjërat që kisha vënë në faqen time e shihja ç’kishin vënë ata.»​—Kera, 16 vjeçe.

«Mund të hyja në sit me celularin tim, e kështu e shihja rrugës për në shkollë, në shkollë dhe rrugës nga shkolla në shtëpi. Pastaj, me të vajtur në shtëpi, ndizja kompjuterin. E dija se më ishte bërë fiksim, por s’doja të ndalesha.»​—Riana, 17 vjeçe.

Nëse prindërit të lejojnë të përdorësh sitin e një rrjeti shoqëror, mendo sa kohë do të ishte e arsyeshme të harxhoje për të çdo ditë. Pastaj shiko me kujdes çfarë bën. Mbaj shënim për një muaj sa kohë të ha komunikimi në rrjetin shoqëror dhe shih nëse po qëndron brenda kufijve që ke vënë. Mos harro, koha është si paraja. Ndaj mos lejo që një rrjet shoqëror të të lërë «trokë». Në fund të fundit, në jetë ka gjëra më të rëndësishme.​—Efesianëve 5:15, 16; Filipianëve 1:10.

Disa të rinj kanë marrë masa që të sigurohen se e mbajnë nën kontroll kohën. Shiko, për shembull, rastet e mëposhtme.

«Pasi e çaktivizova profilin tim, kisha kohë plot. Sa e lirë ndihesha! Kohët e fundit e kam aktivizuar prapë, por çdo gjë e kam nën kontroll. Ndodh të mos e kontrolloj për ditë të tëra. Nganjëherë madje e harroj fare. Nëse komunikimi në rrjetin shoqëror më bëhet prapë problem, thjesht do ta çaktivizoj profilin.»​—Alisona, 19 vjeçe.

«Kam bërë ‘pushime nga rrjeti’, duke e çaktivizuar profilin për pak muaj. Këtë e bëj sa herë që kuptoj se po më ha shumë kohë. Tani s’jam më aq e dhënë pas tij sa dikur. Pasi ta përdor për atë që më duhet, do ta lë me kaq.»​—Ana, 22 vjeçe.

Thelbi i çështjes

Ka edhe një aspekt tjetër të rrjeteve shoqërore që duhet ta mbash parasysh. Për ta kuptuar këtë, vër një ✔ anash pikës që të duket më e përshtatshme.

Siti i një rrjeti shoqëror është kryesisht . . .

(A) ․․․․․ biznes.

(B) ․․․․․ klub shoqëror.

(C) ․․․․․ formë argëtimi.

Cila është përgjigjja e saktë? Mbase nuk e beson, por është pika A. Mbi të gjitha, rrjeti shoqëror është biznes. Synimi i tij është të nxjerrë fitime, kryesisht nëpërmjet reklamave. Për reklamuesit, vlera e rrjetit rritet dora-dorës që shtohet numri i përdoruesve dhe faqet e këtyre anëtarëve i shohin sa më tepër njerëz. Fundja, sa më shumë kohë të kalosh ti a çdokush tjetër në rrjet, aq më shumë reklama do të shihen.

Ky fakt të ndihmon të kuptosh se rrjeti shoqëror nuk humbet gjë​—e reklamuesit fitojnë goxha—​nëse informacionet e tua i përhap te më shumë njerëz se ç’duhet ose nëse kalon tepër kohë në rrjet. Prandaj, në rast se përdor një rrjet shoqëror, mbroje me çdo kusht privacitetin dhe kontrollo sa kohë harxhon në të.

NË ARTIKULLIN TJETËR «TË RINJTË PYESIN»

Rrjetet shoqërore mund të ndikojnë te reputacioni dhe te miqësitë e tua. Zbulo se si.

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull, emrat janë ndryshuar.

^ par. 5 Një rrjet shoqëror është një sit në Internet që u jep mundësi anëtarëve të komunikojnë me një grup miqsh të zgjedhur.

^ par. 24 Zgjohuni! as përkrah, as dënon ndonjë rrjet shoqëror në veçanti. Të krishterët duhet të sigurohen se mënyra si e përdorin Internetin, nuk i shkel parimet biblike.​—1 Timoteut 1:5, 19.

^ par. 47 Për më shumë informacione, shih «Të rinjtë pyesin . . . A jam i varur ndaj medias elektronike?», në Zgjohuni! të janarit 2011. Vëreni sidomos kutinë në faqen 26, «Isha e varur pas sitit të një rrjeti shoqëror».

[Diçitura në faqen 25]

Radios iu deshën 38 vjet që të kishte 50 milionë dëgjues

[Diçitura në faqen 25]

Kohët e fundit, brenda 1 viti, sitit të rrjetit shoqëror Facebook iu shtuan mbi 200 milionë përdorues

[Kutia në faqen 27]

PSE TË MOS PYESËSH PRINDËRIT?

Bisedo me prindërit për privacitetin në Internet. Cilat gjëra është më mirë të mbahen private dhe pse? Çfarë të dhënash mund të kthehen në rrezik po të vihen në çfarëdo vendi të Internetit? Gjithashtu, kërkoju prindërve këshilla se si ta ekuilibrosh shoqërimin në Internet me komunikimin ballë për ballë. Nëse mendojnë se ka vend për ndonjë ndryshim, çfarë sugjerojnë?

[Figura në faqen 26]

Aktivitetet e tua në një rrjet shoqëror mund të mos jenë aq private sa ç’kujton

[Figura në faqen 27]

Koha është si paraja. Po e harxhove të gjithën në një vend, do të mbetesh keq kur të të duhet