Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shpendët me sy të mprehtë peshkatari

Shpendët me sy të mprehtë peshkatari

Shpendët me sy të mprehtë peshkatari

PESHKATARËT​—njerëz a shpendë qofshin—​kanë tri probleme kryesore për të zgjidhur: (1) të gjejnë peshqit, (2) t’u afrohen dhe (3) t’i zënë.

Në kohët e lashta, peshkatarët egjiptianë peshkonin me një fuzhnjë. Këta peshkatarë përdornin të njëjtën teknikë bazë që disa nga familja e çafkave përdornin shumë kohë para se rivalët njerëzorë të dilnin në skenë.

Çafka e përhime, një shpend që haset dendur në deltën e lumit Nil në Egjipt, përdor sqepin e mprehtë si një heshtë për të gjuajtur peshq. Madje mund të kapë me «fuzhnjën» e saj dy peshq njëkohësisht dhe mund të hajë më shumë se 0,5 kg peshk në ditë. Mund të thuhet se çafkat janë më të mprehta e dinake se njerëzit në peshkim.

Në përgjithësi çafkat «specializohen» në gjurmimin dhe goditjen e presë. Çafka i çan dalëngadalë ujërat e cekëta ose ndonjëherë thjesht qëndron pa lëvizur fare, me sqepin gati. Kur një peshk futet brenda zonës së arritshme për shpendin, zhyt kokën në ujë dhe e zë peshkun me sqep. Zakonisht çelësi i suksesit të çafkës është durimi.

Peshkojnë me karrem

Sipas librit Life of Birds, çafkat kurrizgjelbër në Japoni duket se imitojnë njerëzit që i joshin me bukë peshqit në liqenet artificiale. Këta shpendë të shkathët përdorin si karrem copëza buke për t’i afruar peshqit.

Edhe çafkat në Karaibe përdorin të njëjtën teknikë. Madje, ato gjuajnë edhe pa përdorur karrem tjetër veç këmbëve të tyre të verdha. Duke qëndruar në ujëra të cekëta me njërën këmbë, ato luajnë këmbën tjetër për të tërhequr vëmendjen e peshqve kureshtarë.

Metoda kap e ik

Shpendët peshkojnë në mënyra të ndryshme. Shqiponjat peshkngrënëse, që shpesh quhen edhe fajkonj, me të drejtë mund të konsiderohen si peshkatarë që kapin e ikin. Ato fluturojnë mbi ujë, duke vëzhguar me kujdes për ndonjë peshk që noton afër sipërfaqes. Sapo pikasin një, mbledhin krahët dhe turren kryengulthi drejt ujit duke përgatitur zhytjen sipas nevojës para se të rrëmbejnë peshkun me kthetrat e tyre. Kjo metodë kërkon një kohëmatje të përsosur dhe shikim të shkëlqyer.

Ndonjëherë, shqiponja peshkngrënëse e Afrikës kupton se peshku që ka kapur me kthetrat e saj është shumë i rëndë për ta ngritur. Peshku mund të peshojë deri në 2,7 kg. Atëherë, çfarë bën shqiponja? Natyralistët kanë parë se disa e zgjidhin këtë problem duke u pllaquritur me krahë deri në breg.

Zhyten për të siguruar darkën

Edhe sulat e detit zhyten për peshq, por në mënyrë vertikale. Tufa të vogla sulash fluturojnë së bashku në kërkim të tufave të peshqve që notojnë afër sipërfaqes. Kur i sheh nga lart, trupat e argjendtë të këtyre peshqve e ndryshojnë ngjyrën e detit nga blu e errët në jeshile të hapur. Sapo shohin këtë njollë jeshile në ujë, sulat e detit vihen në lëvizje.

Pasi përcaktojnë vendndodhjen e një tufe peshqish, sulat zhyten si shigjeta me një shpejtësi prej deri 97 kilometrash në orë. Këta shpendë krijojnë një spektakël të tillë sa dikush mund ta krahasojë me garat e zhytjeve në Lojërat Olimpike. Edhe tufat e tjera vërejnë atë që po ndodh dhe sulen me të shpejtë për të festuar bashkë me to.

Ndryshe nga çafkat, sulat e detit nuk e kapin peshkun kur zhytin kokën në ujë. Forca me të cilën zhyten, i çon në thellësi. Pastaj ndërsa ngrihen drejt sipërfaqes, e kapin peshkun dhe e kullufitin.

Edhe dallëndyshet e detit janë zhytëse eksperte, por ato ulen vrik dhe patrullojnë shumë pranë ujit. Libri Handbook of the Birds of the World shpjegon se ndryshe nga zhytja zhurmëmadhe e sulave të detit, dallëndyshet e detit veprojnë «me mjeshtëri, hijeshi dhe shkathtësi në fluturim». Ato e nxjerrin peshkun në sipërfaqe. Vetëm për pak dhe rrallëherë e ndjekin peshkun nën ujë.

Peshkojnë si skuadër

Ngaqë kanë sqepa të stërmëdhenj, pelikanët mund të duken të rëndë e të ngathët, por janë të zhdërvjellët në fluturim dhe peshkatarë të mbaruar. Pelikanët e përhimë zakonisht zhyten për të siguruar darkën dhe gjithashtu rrëmbejnë peshq nga rrjetat e peshkatarëve vendës ndërsa ata janë duke i mbledhur. Megjithatë, pelikanët shkëlqejnë kur peshkojnë si skuadër.

Ata kanë prirjen të jetojnë në grup. Një veçanti e tyre është zakoni për të koordinuar përpjekjet kur peshkojnë. Zakonisht një tufë prej rreth dymbëdhjetë pelikanësh ulen në ujë dhe formojnë një gjysmërreth. Duke notuar dalëngadalë, ata çojnë një tufë peshqish drejt një cekëtine të volitshme. Sapo mbërrijnë, të gjithë hapin krahët, zhytin kokat njëkohësisht dhe gllabërojnë peshqit me sqepat e tyre.

Sigurisht, ashtu si peshkatarët njerëz, edhe shpendët shpesh dështojnë në përpjekjet e tyre. Por përqindja e suksesit të tyre është ku e ku më e lartë se ajo e rivalëve njerëzorë.

[Figura në faqen 12]

Shqiponja peshkngrënëse e Afrikës

[Burimi]

Photolibrary

[Figura në faqen 12]

Çafka e përhime

[Figura në faqen 13]

Sula

[Figura në faqen 13]

Dallëndyshja e zakonshme e detit

[Figura në faqen 13]

Pelikanët australianë