Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kompjuteri me kapacitetin më të madh në univers»

«Kompjuteri me kapacitetin më të madh në univers»

«Kompjuteri me kapacitetin më të madh në univers»

TRURI i një foshnjeje me të drejtë është quajtur «kompjuteri me kapacitetin më të madh në univers». Kur një fëmijë vjen në jetë, ai është gati të thithë çdo pamje, tingull ose ndjesi përreth tij. *

Mbi të gjitha, foshnjës i ngjallin kureshtje njerëzit e tjerë, fytyrat, zërat dhe prekjet e tyre. Në librin Babyhood, shkruar nga Penelope Liçi, thuhet: «Janë bërë shumë studime për pamjet që e grishin më tepër një foshnjë, për tingujt që e magjepsin dhe ndjesitë që kërkon më tepër t’i provojë përsëri. Të gjitha këto vijnë kryesisht dhe më shpesh nga një i rritur që kujdeset për të.» Ja pse prindërit luajnë një rol kaq të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës.

«Flisja si foshnjë»

Prindërit dhe pediatrët mahniten nga aftësia e një të sapolinduri për të mësuar një gjuhë vetëm me të dëgjuar. Studiuesit kanë zbuluar se brenda pak ditëve, foshnja mësohet me zërin e së ëmës dhe parapëlqen më shumë zërin e saj se zërin e një të panjohuri; brenda pak javëve, mund të bëjë dallimin midis tingujve të gjuhës amtare të prindërve dhe atyre të gjuhëve të tjera; brenda pak muajve, dallon ndarjen midis fjalëve e kështu mund të kuptojë ndryshimin midis të folurit normal dhe tingujve të pakuptimtë.

Pavli, apostulli i krishterë, shkroi: «Kur isha foshnjë, flisja si foshnjë.» (1 Korintasve 13:11, Modern King James Version) Si flet një foshnjë? Zakonisht me një vërshim të paqartë gugatjesh. A janë këto gugatje vetëm zhurmë? Aspak! Në librin e saj What’s Going On in There?​—How the Brain and Mind Develop in the First Five Years of Life, dr. Liza Elioti na kujton se akti i të folurit është «një aftësi e ndërlikuar motorike që kërkon koordinimin e shpejtë të dhjetëra muskujve që kontrollojnë buzët, gjuhën, qiellzën dhe laringun». Ajo shton: «Vërtet gugatjet e një foshnjeje mund të duken si një mënyrë magjepsëse për të tërhequr vëmendje, por ato shërbejnë edhe si një gjimnastikë mjaft e rëndësishme për procesin e ndërlikuar të të folurit.»

Prindërit u përgjigjen gugatjeve të foshnjës me gjeste të ekzagjeruara dhe kjo gjithashtu ka të mirat e saj. Këto gjeste e nxitin foshnjën të reagojë. Ky shkëmbim reciprok i mëson foshnjës bazën e të biseduarit, dhe kjo është një aftësi që do t’i duhet gjithë jetën.

Ndryshim rolesh

Prindërit janë mjaft të zënë duke plotësuar nevojat e përditshme të të sapolindurit. Sapo foshnja qan, shkojnë për ta ushqyer. Sapo foshnja qan, shkojnë për ta ndërruar. Sapo foshnja qan, shkojnë për ta marrë në krahë. Kjo përkujdesje është e përshtatshme dhe e nevojshme. Është një mënyrë kryesore se si prindërit përmbushin rolin e tyre si përkujdesës.​1 Selanikasve 2:7.

Duke pasur parasysh këto që sapo thamë, është më se normale që foshnja të mendojë se ai është qendra e universit dhe se të rriturit, sidomos prindërit, jetojnë vetëm për t’i shërbyer atij. Kjo pikëpamje është e gabuar, por më se e kuptueshme. Mos harroni se, për më shumë se një vit, foshnja i ka parë prindërit në këtë rol. Në mendjen e tij, ai është mbreti i një mbretërie të populluar nga njerëz të mëdhenj që janë aty për t’i shërbyer atij. Xhon Rouzmondi, këshilltar për jetën familjare, shkruan: «Duhen vetëm dy vjet për të krijuar këtë ide fantastike, por duhen të paktën gjashtëmbëdhjetë vite të tjera për ta ndrequr atë. Dhe, megjithëse paradoksale, kjo është detyra e prindit: ta bëjë foshnjën të besojë në këtë fantazi, dhe pastaj ta plasë, veçse me takt, flluskën që ka krijuar foshnja.»

Aty nga mosha dyvjeçare, flluska plas vërtet kur prindi ndërron rolet nga përkujdesës udhëzues. Tani fëmija e kupton se prindërit nuk janë nën urdhrat e tij; përkundrazi, pritet që ai t’i bindet drejtimit të tyre. Mbretëria e foshnjës është rrëzuar dhe ai mund të mos e presë mirë regjimin e ri. I acaruar, ai përpiqet të mos e humbasë pushtetin. Si?

Shpërthimet e zemërimit

Kur janë rreth dy vjeç, shumë foshnja shfaqin një ndryshim rrënjësor në sjellje, shpesh duke reaguar me shpërthime zemërimi. Kjo periudhë është kaq e lodhshme për prindërit sa është cilësuar si «dyshi i tmerrshëm». Papritmas, përgjigjja e tij e preferuar është: «Jo» ose «S’dua». Mund të mërzitet si me veten ashtu edhe me prindërit ndërsa lufton me ndjenjat e veta kontradiktore. Do që të rrijë larg e njëkohësisht afër teje. Për prindërit e pështjelluar, duket sikur asgjë nuk ka kuptim dhe sikur asgjë nuk funksionon. Çfarë po ndodh?

Mendoni pak për ndryshimin rrënjësor që ka ndodhur në jetën e vogëlushit. Deri më tani, i është dashur vetëm të lëshonte pak zërin dhe të rriturit vinin me vrap. Tani fillon të kuptojë se «sundimi» i tij ishte vetëm i përkohshëm dhe se të paktën disa gjëra do t’i duhet t’i bëjë vetë. Gjithnjë e më shumë, ai e kupton se duhet të nënshtrohet, dhe kjo mund të përmblidhet nga ky varg biblik: «Fëmijë, jini të bindur ndaj prindërve në çdo gjë.»—Kolosianëve 3:20.

Gjatë kësaj periudhe të vështirë, prindërit duhet të shtrëngojnë frerët e autoritetit. Nëse e bëjnë këtë me vendosmëri, por me dashuri, fëmija do ta pranojë rolin e ri. Dhe do të jetë i përgatitur për faza të tjera të mrekullueshme të rritjes.

Karakteri

Kafshët, madje edhe pajisjet, mund t’i dallojnë fjalët dhe të imitojnë të folurit. Por vetëm njeriu mund të ndalojë e të analizojë veten. Pra, qëkurse është dy ose tre vjeç, një fëmijë arrin të ndiejë emocione të tilla, si krenari, turp, faj dhe siklet. Këto janë hapat e parë për t’u bërë një i rritur me cilësi të mira, një i rritur që do të mbrojë me vendosmëri atë që është e drejtë, edhe kur të tjerët bëjnë diçka të gabuar.

Pak a shumë në këtë periudhë, prindërit mahniten kur shohin një mrekulli tjetër. Fëmija e tyre po bëhet i vetëdijshëm për ndjenjat e të tjerëve. Nëse kur ishte dy vjeç thjesht luante, tani mund të ndërveprojë e të luajë me të tjerë. Ai gjithashtu e kupton kur ndihen mirë prindërit dhe do që t’u pëlqejë. Pra, ka të ngjarë të bëhet më i modelueshëm.

Më tepër se kurrë, një trevjeçar fillon të mësojë konceptin e së drejtës dhe të së gabuarës, të së mirës dhe të së keqes. Qartë, kjo është koha që prindërit t’i stërvitin fëmijët me synimin që të bëhen të rritur të përgjegjshëm.

[Shënimi]

^ par. 2 Për thjeshtësi, në këtë revistë do t’i referohemi fëmijës në gjininë mashkullore. Megjithatë, parimet e shqyrtuara vlejnë për të dyja gjinitë.

[Diçitura në faqen 5]

Brenda pak ditëve, foshnja mësohet me zërin e së ëmës dhe parapëlqen më shumë zërin e saj se zërin e një të panjohuri

[Diçitura në faqen 6]

Më tepër se kurrë, një trevjeçar fillon të mësojë konceptin e së drejtës dhe të së gabuarës, të së mirës dhe të së keqes

[Kutia në faqen 6]

PSE VAZHDOJNË SHPËRTHIMET E ZEMËRIMIT?

«Disa prindër mendojnë se shpërthimet e zemërimit ndodhin ngaqë ata kanë gabuar në lidhje me plotësimin e kërkesave të fëmijës,—shkruan Xhon Rouzmondi në librin New Parent Power.—Mendojnë se, nëse e kanë fajin ata për shpërthimin e zemërimit të fëmijës, atëherë duhet të bëjnë menjëherë diçka për ta ndrequr. Prandaj, pasi kanë thënë jo, tani thonë po. Ose pasi i kanë dhënë ndonjë shuplakë, ia plotësojnë kërkesën më shumë se ç’kishte kërkuar në fillim, që të largojnë ndjenjat e fajit. Këto manovra funksionojnë. Fëmija qetësohet, prindi lehtësohet dhe fëmija, pasi mëson se shpërthimet e zemërimit janë një mjet i mirë për të arritur atë që do, e praktikon edhe më shumë e më fort.»