Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ja ç’thonë prindërit

Ja ç’thonë prindërit

Ja ç’thonë prindërit

Nëse je prind i një fëmije në moshën parashkollore, ka të ngjarë që has vështirësi. Për shembull, çfarë të bësh kur fëmija ka shpërthime zemërimi? Si mund t’i mësosh të dallojë të drejtën nga e gabuara dhe ta korrigjosh me ekuilibër? Vër re se si kanë vepruar disa prindër në këto situata.

SHPËRTHIMET E ZEMËRIMIT

«Gjatë ‘dyshit të tmerrshëm’, fëmija pret të marrë atë që do. Djali ynë e kishte këtë problem. Nëse nuk ia plotësoje kërkesat, ai hidhte çfarë të kishte. Ishte fëmija i parë dhe nuk dinim si të vepronim. Të tjerët na thoshin që ishte normale, por kjo nuk na ndihmonte kushedi çfarë.»​—Suzana, Kenia.

«Kur ishte dy vjeçe, vajza jonë shtrihej në dysheme, bërtiste, qante, shkelmonte . . . Ishte acaruese. Edhe po të flisje me të në ato momente, nuk ndryshonte gjë. Kështu që unë dhe burri e çonim në dhomën e vet dhe i thoshim me qetësi se, kur të ndihej më mirë, mund të dilte dhe të flitnim bashkë. Kur qetësohej, njëri prej nesh i shkonte në dhomë dhe e ndihmonte të kuptonte pse sjellja e saj ishte e papranueshme. Kjo metodë funksiononte. Madje njëherë dëgjuam rastësisht që po i lutej Perëndisë dhe po i kërkonte falje. Me kalimin e kohës, shpërthimet e zemërimit u rralluan derisa ndaluan fare.»​—Jolanda, Spanjë.

«Fëmijët provojnë se deri ku mund ta shtyjnë kufirin. Po t’i lejosh të bëjnë atë që më parë ua ke ndaluar qartë, kjo u përcjell një mesazh të gabuar. Kuptuam se kur ishim të vendosur dhe vepronim gjithmonë sipas asaj që thoshim, fëmijët pak nga pak mësonin se nuk do ta fitonin atë që donin me të bërtitura.»​—Nili, Britani.

DISIPLINA

«Kur fëmija është nën pesë vjeç, është e vështirë të kuptosh nëse po ta vë veshin. Çelësi për këtë është përsëritja. Duhet t’ua përsëritësh e t’ua përsëritësh, me sa duket mijëra herë, bashkë me gjeste dhe një ton të vendosur.»​—Serzhi, Francë.

«Edhe pse u rritën bashkë, secili prej katër fëmijëve tanë ishte unik. Njëra qante vetëm nga mendimi se na kishte zhgënjyer; tjetra përpiqej të provonte se deri ku mund ta shtynte kufirin. Në disa raste mjaftonte vetëm një shikim i vëngër ose një qortim, kurse në raste të tjera na duhej t’u jepnim një dënim.»​—Nejthëni, Kanada.

«Është e rëndësishme të mos bësh kompromis. Por në të njëjtën kohë, prindi nuk duhet të jetë dogmatik ose joelastik. Ndonjëherë kur fëmija pendohet vërtet, mendojmë se është më mirë të jemi të arsyeshëm dhe ta lehtësojmë disiplinën.»​—Matjëja, Francë.

«Përpiqem të mos vë shumë rregulla, por ato që kam vënë janë të padiskutueshme. Djali im trevjeçar i di pasojat e mosbindjes dhe kjo e ndihmon të sillet mirë. Është e vërtetë se, kur jam e lodhur do ta kisha më të lehtë të mbyllja një sy para gabimeve të tij. Por për të mos u treguar e luhatur, detyrohem të marr masa. Kjo gjë është shumë e rëndësishme.»​—Natalia, Kanada.

KOHERENCA

«Fëmijët e vegjël duket sikur kanë një mikroqark në tru që regjistron çdo rast që prindi nuk është koherent ose që nuk vepron gjithmonë siç ka thënë.»​—Miltoni, Bolivi.

«Ndonjëherë djali im pyet për të njëjtën gjë në mënyra të ndryshme për të parë nëse do të përgjigjemi njësoj. Nëse unë them diçka dhe e ëma thotë diçka tjetër, ai e konsideron këtë si një të çarë në rregullat e vendosura dhe përpiqet të përfitojë.»​—Anheli, Spanjë.

«Ndonjëherë, kur isha me humor të mirë, i shpërfillja gabimet e djalit, por kur isha me humor të keq e ndëshkoja ashpër. Kuptova se kjo e bënte të sillej akoma më keq.»​—Giongoku, Kore.

«Është e rëndësishme që të vegjlit të kuptojnë se, nëse një sjellje e caktuar është e gabuar sot, do të jetë e gabuar gjithmonë.»​—Antonioja, Brazil.

«Nëse prindërit lëkunden, fëmija do të mendojë se mami dhe babi janë të paparashikueshëm dhe se vendimet e tyre janë në varësi të gjendjes së tyre emocionale. Por nëse prindërit u përmbahen parimeve të tyre, fëmijët do të kuptojnë se e gabuara është gjithmonë e gabuar. Kjo është një mënyrë se si prindërit japin siguri dhe dashuri.»​—Zhilmari, Brazil.

«Fëmijët mund të përfitojnë nga situata, si për shembull kur janë në prani të të tjerëve, kur një prind duket se s’ka nga t’ia mbajë veçse të dorëzohet e t’ia plotësojë kërkesën. Nëse kam vendosur për jo, ia them që në fillim djalit dhe ia bëj të qartë se nuk do t’ua vë veshin kërkesave të tij të vazhdueshme.»—Çangsoku, Kore.

«Të dy prindërit duhet të formojnë një front të bashkuar. Nëse gruaja dhe unë nuk jemi të një mendjeje për diçka, e diskutojmë vetëm për vetëm. Fëmijët arrijnë ta dallojnë kur prindërit nuk janë dakord me njëri-tjetrin dhe përpiqen të përfitojnë nga situata.»​—Hesusi, Spanjë.

«Fëmija fiton siguri kur e di se prindërit janë në unitet dhe se nuk mund të manipulohen. E di se çfarë duhet të presë, qoftë kur bindet, qoftë kur nuk bindet.»​—Damarisa, Gjermani.

«Për mua dhe gruan është e rëndësishme ta mbajmë fjalën edhe kur i kemi premtuar vajzës diçka të mirë. Kështu ajo mëson se mund të ketë besim te premtimet tona.»​—Hendriku, Gjermani.

«Nëse punëdhënësi im do të m’i ndryshonte vazhdimisht kërkesat e punës, do të acarohesha. Edhe fëmijët kështu janë. Ata gjejnë siguri kur i dinë rregullat dhe kur e dinë se rregullat s’kanë për të ndryshuar. Gjithashtu, duhet të dinë pasojat e mosbindjes dhe se as këto nuk do të ndryshojnë.»​—Gleni, Kanada.

[Diçitura në faqen 8]

«Po-ja juaj le të jetë Po dhe Jo-ja juaj, Jo.»—Jakovi 5:12

[Kutia dhe figurat në faqen 9]

PËRVOJË NGA JETA FAMILJARE

Shtatzëni e paplanifikuar: Si u përshtatëm?

Treguar nga Tom dhe Junhi Hani

Tomi: Kishim vetëm gjashtë muaj martuar kur gruaja ime, Junhi, zbuloi se ishte shtatzënë. Nga jashtë dukesha i qetë, ngaqë doja ta siguroja Junhin se mund të mbështetej tek unë për ngushëllim e forcë. Por nga brenda isha i tmerruar.

Junhi: Ndihesha përtokë dhe e frikësuar. Nuk pushoja së qari; nuk ndihesha as gati e as e aftë për t’u bërë nënë.

Tomi: As unë nuk ndihesha gati për t’u bërë baba. Por pasi folëm me prindër të tjerë, pak nga pak kuptuam se shtatzënia e paplanifikuar ishte më e zakonshme se ç’mendonim. Një gjë tjetër që na ndihmoi, ishte edhe kur dëgjuam nga prindër të tjerë për gëzimin që provon kur je nënë ose baba. Pak nga pak, frika dhe pasiguria u larguan dhe mezi prisja derisa të lindte.

Junhi: Pasi lindi Amanda, dolën ca vështirësi të tjera. Qante pa pushim dhe nuk arrija të flija për javë të tëra. Nuk kisha oreks dhe nga kjo ndihesha jashtë mase e këputur. Në fillim nuk doja fare të rrija me të tjerë. Por pastaj e kuptova që nuk do më bënte mirë të izolohesha në shtëpi. Prandaj bisedoja me nëna të tjera të reja. Kjo na jepte mundësinë të shkëmbenim mendime dhe kështu kuptova se nuk isha e vetmja me probleme.

Tomi: Bëja çmos që të ruaja rutinën e familjes sonë. Për shembull, si Dëshmitarë të Jehovait, unë dhe Junhi ishim të vendosur të ishim të rregullt në shërbim dhe në mbledhje. Gjithashtu, rritja e fëmijës kërkon shpenzime, madje edhe të paparashikuara. Përpiqeshim të jetonim me aq sa kishim që të mos futeshim në borxh, pasi kjo do të na stresonte më shumë.

Junhi: Në fillim mendova se nuk ishte shumë praktike të dilja në shërbim, pasi fëmijët mund të bëhen pengesë. Por në të vërtetë, njerëzve u pëlqejnë fëmijët. Kjo më ndihmoi të vazhdoja shërbimin dhe të kisha një pikëpamje më pozitive për vajzën time.

Tomi: Bibla thotë se fëmijët janë «trashëgimi nga Jehovai» dhe «shpërblim». (Psalmi 127:3) Për mua këto fjalë tregojnë se fëmija është një dhuratë e çmuar. Ashtu si me çdo trashëgimi, ke të drejtën e zgjedhjes: ose të bësh një investim të mençur ose ta shpërdorosh. Po mësoj se çdo fazë e rritjes së një fëmije është unike dhe duhet të bëhem pjesë e jetës së vajzës në çdo fazë, sepse një herë të jepet mundësia.

Junhi: Ndonjëherë, jeta na bën surpriza dhe të bëhesh me fëmijë, megjithëse nuk e ke planifikuar, nuk është një surprizë e keqe. Amanda tani është gjashtë vjeçe dhe nuk e imagjinoj dot jetën pa të.

[Figura]

Tomi dhe Junhi me vajzën e tyre, Amandën