Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rritësh fëmijë​—Faza midis foshnjërisë dhe adoleshencës

Të rritësh fëmijë​—Faza midis foshnjërisë dhe adoleshencës

Të rritësh fëmijë​—Faza midis foshnjërisë dhe adoleshencës

«Deri në moshën pesëvjeçare, fëmijët rrethohen nga një ambient i ngrohtë familjar dhe është më e lehtë t’u ngulitësh cilësi të mira. Por, kur hyjnë në shkollë, përballen me ndikimin e atyre që jetojnë dhe flasin ndryshe nga ata.»​—Valteri, Itali.

TEKSA rriten, fëmijët eksplorojnë kufijtë e botës së tyre në zgjerim e sipër. Marrin e japin me më shumë njerëz: shokë loje, shokë shkolle dhe të afërm të tjerë. Siç thotë Valteri që u citua më lart, nuk je më i vetmi që ndikon në jetën e fëmijës, sikurse ishe gjatë foshnjërisë së tij. Kjo shpjegon përse është mjaft e rëndësishme që t’i shfrytëzosh vitet e foshnjërisë për t’i mësuar fëmijës vlerën e bindjes dhe të sjelljes së mirë. Është e rëndësishme edhe ta ndihmosh të dallojë të drejtën nga e gabuara.

Por këto nuk vijnë menjëherë dhe vetvetiu. Ndoshta do të të duhet ‘ta qortosh, t’i heqësh vërejtje, ta nxitësh gjithë shpirtgjerësi dhe art mësimdhënieje’. (2 Timoteut 4:2) Prindërit izraelitë ishin urdhëruar në lidhje me ligjet e Perëndisë: «Ngulitua ato bijve të tu dhe fol për to kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.» (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Siç tregon edhe ky shkrim, drejtimi yt i vazhdueshëm është tepër i rëndësishëm.

Përgjegjësia për rritjen e fëmijëve përfshin mjaft vështirësi. Le të shqyrtojmë vetëm disa prej tyre.

Një kohë për të dëgjuar

Përderisa Bibla thotë se ka «një kohë për të folur», ka edhe një kohë për të dëgjuar. (Eklisiastiu 3:7) Si mund t’i mësosh fëmijët që të mbajnë vesh kur të tjerët, madje edhe ti, janë duke folur? Një mënyrë është duke lënë shembullin tënd. A i dëgjon ti me vëmendje të tjerët, përfshirë fëmijët e tu?

Fëmijët shpërqendrohen lehtë dhe pa dyshim durimi yt do të vihet në provë ndërsa përpiqesh të komunikosh me ta. Çdo fëmijë është ndryshe, prandaj vëzhgoje me kujdes dhe përcakto se çfarë metodash komunikimi do të funksiononin më mirë me fëmijën tënd. Për shembull, Davidi, një baba në Britani, thotë: «I them vajzës që ta përsëritë me fjalët e veta atë që sapo kam thënë. Si rezultat, po mëson të dëgjojë më shumë ndërsa rritet.»

Kur Jezui po i mësonte dishepujt, ai u tha: «Kushtojini vëmendje mënyrës se si dëgjoni.» (Luka 8:18) Nëse të rriturit kanë nevojë ta bëjnë këtë, sa më shumë nevojë kanë të vegjlit!

«Falni bujarisht njëri-tjetrin»

Bibla thotë: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.» (Kolosianëve 3:13) Fëmijët mund të stërviten që të falin. Si?

Ashtu siç thamë edhe për artin e të dëgjuarit, duhet të lësh shembullin e mirë. A të shohin fëmijët që je i gatshëm t’i falësh të tjerët? Marina, një nënë nga Rusia, bën përpjekje për këtë. «Përpiqemi të lëmë një shembull të mirë për fëmijët duke i falur të tjerët, duke bërë lëshime dhe duke mos u fyer,​—thotë ajo.—​Kur e kam gabim, u kërkoj falje fëmijëve. Dua që ata të mësojnë të bëjnë të njëjtën gjë me të tjerët.»

Kur fëmijët të rriten, do t’u duhet të dinë si t’i sheshojnë mosmarrëveshjet dhe të falin. Mësoju që tani të mendojnë për të tjerët dhe të pranojnë përgjegjësinë për gabimet e veta. Në këtë mënyrë do t’u japësh një dhuratë me vlerë që do t’u duhet ndërsa rriten.

«Tregohuni mirënjohës»

Në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», shumë njerëz janë «të dashuruar me veten». (2 Timoteut 3:1, 2) Tani, ndërsa fëmijët e tu janë ende të vegjël, është koha t’u ngulitësh frymën e mirënjohjes. «Tregohuni mirënjohës»,—shkroi apostulli Pavël.—Kolosianëve 3:15.

Edhe kur janë të vegjël, fëmijët mund të mësojnë të sillen mirë dhe të mendojnë për të tjerët. Si? «Mënyra më e mirë për të nxitur frymën e mirënjohjes është duke e shfaqur pa pushim në shtëpi»,—thotë dr. Kajl Prueti për revistën Parents. Ai shton: «Kjo do të thotë të thuash rregullisht se sa e vlerëson ndihmën që të japin ose veprat e tjera të mirëdashjes . . . Duhet bërë zakon.»

Riçardi, një baba nga Britania, bën çmos për këtë. «Unë dhe gruaja tregojmë se si mund t’i falënderojmë ata që janë treguar të mirë me ne, si mësuesit në shkollë ose gjyshërit,—thotë ai.—Sa herë një familje na fton për drekë ose darkë, i shkruajmë një kartolinë falënderimi dhe fëmijët e firmosin ose vizatojnë diçka në të.» Dashamirësia dhe mirënjohja do ta ndihmojnë fëmijën që, kur të rritet, të krijojë marrëdhënie të ngushta dhe të përhershme.

«Mos ia kurse disiplinën»

Teksa rriten, është e rëndësishme që fëmijët të mësojnë se veprimet kanë pasoja. Që në moshë të vogël, ata duhet t’i binden autoritetit jo vetëm në shtëpi, por edhe në shkollë e në komunitet. Mund t’i ndihmosh fëmijët të mësojnë parimin: ç’të mbjellësh, do të korrësh. (Galatasve 6:7) Në ç’mënyrë?

Bibla thotë: «Mos ia kurse disiplinën.» (Proverbat 23:13) Nëse ia ke bërë të qartë se një veprim i gabuar do të ketë një pasojë të caktuar, atëherë vepro siç ke thënë. «Është shumë e rëndësishme të veprosh në përputhje me atë që ke thënë,—thotë Norma, një nënë nga Argjentina.​—Nëse ndryshe bën e ndryshe thua, fëmija do t’i manipulojë situatat sipas dëshirës.»

Prindërit mund t’i shmangin debatet pa fund pasi fëmijët kanë bërë një gabim, duke u siguruar që më përpara se ata i kuptojnë pasojat e mosbindjes. Fëmijët do të bëjnë më pak rezistencë nëse i dinë rregullat, dinë çfarë do të ndodhë nëse i thyejnë ato rregulla dhe nëse kanë arsye të besojnë se pasojat janë të padiskutueshme.

Sigurisht, që disiplina të jetë e efektshme, ajo nuk duhet dhënë në nerva e sipër. Bibla thotë: «Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje.» (Efesianëve 4:31) Disiplina nuk duhet të marrë asnjëherë formën e ndëshkimit brutal dhe kurrë nuk duhet tepruar, qoftë fizikisht, qoftë emocionalisht.

Por, a është e mundur ta kontrollosh veten kur fëmija ta sos durimin? «Nuk është gjithnjë e lehtë,​—pranon Piteri, një baba nga Zelanda e Re,—​por fëmijët duhet të mësojnë se disiplina është pasoja e veprimeve të tyre dhe jo rezultat i mungesës së vetëkontrollit të prindit.»

Piteri dhe gruaja e tij përpiqen t’i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë dobitë afatgjata të korrigjimit. «Edhe nëse fëmijët kanë bërë diçka të rëndë,​—thotë ai,—​arsyetojmë me ta se ajo që kanë bërë nuk i ndihmon të bëhen lloji i personit që duhet të jenë.»

«Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë»

Për korrigjimin që do t’i jepte popullit të vet, Perëndia tha: «Do të të ndëshkoj në masën e duhur.» (Jeremia 46:28) Do të korrni rezultate të mira nëse u jepni korrigjimin e duhur në përputhje me gabimin e kryer. «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë»,​—u shkroi Pavli të krishterëve.—​Filipianëve 4:5.

Të jesh i arsyeshëm do të thotë edhe t’i korrigjosh fëmijët në një mënyrë që nuk cenon dinjitetin e tyre. Santi, një baba nga Italia, thotë: «Nuk e ul kurrë djalin ose vajzën. Përkundrazi, përpiqem të kuptoj rrënjën e problemit dhe i ndihmoj ta korrigjojnë. Nuk i kritikoj në sy të të tjerëve, madje as në sy të njëri-tjetrit, nëse është e mundur. Dhe nuk tallem me mangësitë e tyre as para të tjerëve e as kur jemi vetëm për vetëm.»

Edhe Riçardi, që cituam më parë, ka kuptuar sa e mençur është të jesh i arsyeshëm. «Ndëshkimi nuk duhet rënduar gjithnjë e më shumë duke e dënuar edhe për gabimet e mëparshme,—thotë ai.—Pasi i ke dhënë disiplinën, është e rëndësishme të mos vazhdosh më e të mos ia mbash avaz gabimet.»

Të rritësh fëmijë kërkon shumë punë e vetëmohim, por sjell edhe mjaft bekime. I këtij mendimi është edhe Jelena, një nënë nga Rusia. Ajo thotë: «Kam zgjedhur të punoj me orar të kufizuar që të rri më tepër me djalin. Kjo nënkupton shumë përpjekje dhe të ardhura më të pakta. Por ia vlen barra qiranë kur shoh sa shumë gëzohet djali dhe sa shumë lidhemi me njëri-tjetrin.»

[Figura në faqen 11]

Fëmijët mund të mësojnë të mendojnë për të tjerët

[Figura në faqen 12]

Korrigjoji fëmijët në një mënyrë që nuk cenon dinjitetin e tyre