Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinjtë pyesin

Kush jam unë?

Kush jam unë?

Mikeli sheh Brendin teksa afrohet dhe i trembet asaj që mund të ndodhë. «Ej Kelo, provoje njëherë këtë!»—thotë Brendi ndërsa hap dorën. Mikeli sheh tamam atë që priste, një cigare marihuane të sapodredhur. Nuk dëshiron ta pranojë, por as të duket qullac. «Shiko,—thotë Mikeli me gjysmë zëri—ndoshta njëherë tjetër . . . Mirë?»

Xhesika sheh Brendin teksa afrohet dhe është e përgatitur për atë që mund të ndodhë. «Ej, Xhes, provoje njëherë këtë!»—thotë Brendi ndërsa hap dorën. Xhesika sheh tamam atë që priste, një cigare marihuane të sapodredhur. «Jo faleminderit,—thotë ajo me bindje.—Unë për vete kam ndër mend të jetoj akoma. Pastaj Brendi, . . . të dija më të zgjuar!»

PSE Xhesika arrin t’i rezistojë më mirë presionit në skenat e mësipërme? Sepse ajo ka diçka që Mikeli nuk e ka. A e di çfarë? Ka një identitet. Nuk e kemi fjalën për një kartë me emër dhe fotografi. Identiteti është ndjesia e brendshme që të tregon se kush je dhe cilat janë bindjet tua. I pajisur me këtë njohuri, ke forcën për t’u thënë jo telasheve, për ta kontrolluar ti jetën tënde e jo të tjerët. Si mund ta përvetësosh këtë siguri te vetja? Shqyrtimi i këtyre pyetjeve është një fillim i mirë.

1 CILAT JANË PIKAT E MIA TË FORTA?

Pse ka rëndësi? Kur i di aftësitë e tua dhe cilësitë e mira që ke, do të kesh më shumë besim te vetja.

Mendo për këtë: çdo njeri ka dhunti të ndryshme. Për shembull, disa janë të talentuar në art ose muzikë, kurse të tjerë kanë prirje për sport. Rakelës i jepet për të riparuar makina. * «Kur isha rreth 15 vjeçe,—thotë ajo—kuptova se doja të bëhesha mekanike.»

Shembuj biblikë: Apostulli Pavël shkroi: «Edhe nëse nuk jam i zoti në të folur, sigurisht që nuk jam i tillë në njohuri.» (2 Korintasve 11:6) Me kuptueshmërinë e tij të thellë për Shkrimet, Pavli ishte në gjendje t’u bënte ballë sfidave të të tjerëve. Nuk lejoi që vendosmëria e tij të lëkundej nga qëndrimi i tyre negativ.​—2 Korintasve 10:10; 11:5.

Analizo veten. Shkruaj më poshtë një talent ose aftësi që ke.

․․․․․

Tani përshkruaj një nga pikat e forta të karakterit tënd. (Për shembull, a je i kujdesshëm, bujar, i besueshëm apo i përpiktë?)

․․․․․

«Përpiqem të jem e gjindshme. Edhe nëse jam e zënë, kur dikush ka nevojë të flasë, e lë punën që kam në dorë dhe e dëgjoj.»​​—Briana.

Nëse e ke të vështirë të gjesh një pikë të fortë të karakterit, mendo për një aspekt ku je bërë më i pjekur që nga fëmijëria dhe shkruaje më poshtë.—Për disa shembuj, shih kutinë  «Ja ç’thonë moshatarët e tu».

․․․․․

2 CILAT JANË PIKAT E MIA TË DOBËTA?

Pse ka rëndësi? Ashtu si fortësia e një zinxhiri varet nga hallka e tij më e dobët, edhe identiteti yt mund të vihet në rrezik nëse i lejon të metat e tua të mbizotërojnë.

Mendo për këtë: Askush nuk është i përsosur. (Romakëve 3:23) Të gjithë kemi ndonjë të metë që do të donim ta ndryshonim. «Pse mërzitem edhe për gjërat më koti,—thotë një vajzë me emrin Sejxha.—Edhe vogëlsirat më ngrenë nervat dhe befas shpërthej.»

Shembuj biblikë: Pavli ishte i vetëdijshëm për pikat e tij të dobëta. Ai shkroi: «Në të vërtetë, njeriu që jam përbrenda, kënaqet me ligjin e Perëndisë, kurse në gjymtyrët e mia shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit.»​—Romakëve 7:22, 23.

Analizo veten. Çfarë pikash të dobëta të duhet të mbash nën kontroll?

․․․․․

«Kam vënë re se, pasi shoh një film romantik, trishtohem pak dhe dëshiroj të bie në dashuri. Kështu, tani e di se duhet të bëj kujdes me këtë lloj zbavitjeje.»​—Brixhita.

3 ÇFARË SYNIMESH KAM?

Pse ka rëndësi? Kur ke synime, jeta ka një qëllim e merr drejtim. Gjithashtu, ka shumë mundësi të shmangësh njerëz dhe situata që mund të të pengojnë të arrish atë që ke ndër mend.

Mendo për këtë: A do të hipje në një taksi dhe t’i thoshe shoferit t’i binte vazhdimisht rreth e qark lagjes derisa t’i mbaronte karburanti? Do të ishte marrëzi dhe e kushtueshme. Synimet të ndihmojnë të mos sorollatesh kot në udhët e jetës. Ke si pikësynim për të shkuar diku dhe një plan se si të arrish atje.

Shembuj biblikë: Pavli shkroi: «Mënyra se si vrapoj nuk është e pasigurt.» (1 Korintasve 9:26) Ai nuk e la jetën e tij në mëshirë të rastësisë, por vuri synime e pastaj jetoi në përputhje me to.​—Filipianëve 3:12-14.

Analizo veten. Shkruaj më poshtë tri synime që do të doje të arrije brenda vitit tjetër.

  1. ․․․․․

  2. ․․․․․

  3. ․․․․․

Tani, nga këto, zgjidh synimin më të rëndësishëm për ty dhe shkruaj më poshtë çfarë mund të fillosh të bësh që tani për ta arritur.

․․․․․

«Nëse nuk e zë kohën me diçka, shoh që filloj të sillem vërdallë kot. Është më mirë të kesh synime e të bësh hapa për t’i arritur.»​—Hozeja.

4 CILAT JANË BINDJET E MIA?

Pse ka rëndësi? Nëse nuk ke bindje, do të jesh i lëkundur. Si një kameleon, do të ndryshosh ngjyrë që të përshtatesh me bashkëmoshatarët, një shenjë e qartë kjo që tregon se nuk ke identitetin tënd.

Mendo për këtë: Bibla i inkurajon të krishterët ‘të vërtetojnë se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë’. (Romakëve 12:2) Kur vepron sipas bindjeve që ke, atëherë jeton në përputhje me identitetin tënd, pavarësisht se çfarë bëjnë të tjerët.

Shembuj biblikë: Kur ishte adoleshent, profeti Daniel «ishte i vendosur në zemër» t’i bindej ligjeve të Perëndisë, edhe pse larg familjes dhe bashkadhuruesve. (Danieli 1:8) Kështu, jetoi në përputhje me atë që kishte vendosur. Ai jetoi sipas bindjeve të veta.

Analizo veten. Cilat janë bindjet e mia? Për shembull:

  • A beson te Perëndia? Nëse po, pse? Çfarë të bind ty se Ai ekziston?

  • A beson se normat morale të Perëndisë janë për të mirën tënde? Nëse po, pse? Për shembull, çfarë të bind se, po t’u bindesh ligjeve të Perëndisë për seksin, do të jesh më i lumtur sesa po të ndjekësh stilin «e lirë» të jetesës së bashkëmoshatarëve të tu?

Këto nuk janë pyetje që mund t’u përgjigjesh menjëherë. Merr kohë për të shqyrtuar arsyet e bindjeve të tua. Kështu do të jesh më i aftë për t’i mbrojtur.​—Proverbat 14:15; 1 Pjetrit 3:15.

«Në shkollë, shokët të ngacmojnë për gjërat që nuk je i sigurt, prandaj doja të isha e sigurt për besimin tim. Kështu u përpoqa të gjeja arsye të qarta e të forta për bindjet e mia. Në vend që t’u thosha të tjerëve: ‘S’mund ta bëj këtë se nuk më lë feja,’ duhej të thosha: ‘Unë nuk mendoj se është e drejtë.’ Ishin bindjet e mia.»​—Daniela.

Si përfundim, ti çfarë do të doje të ishe: një gjethe e rënë që e çon ngado një puhizë e lehtë apo një pemë që i qëndron edhe stuhive të egra? Forco identitetin tënd dhe do të jesh si kjo pemë. Kjo do të të ndihmojë t’i përgjigjesh pyetjes: kush jam unë?

Kur ke identitet të fortë, je si një pemë me rrënjë të patundura që mund t’u qëndrojë stuhive të egra

^ par. 8 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.