Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Rreth 17 për qind e 10 deri 13-vjeçarëve në Brazil, janë përfshirë në sulme psikologjike e fizike nëpër shkolla—qoftë si viktima, qoftë si autorë të këtyre sulmeve.​—O ESTADO DE SÃO PAULO, BRAZIL.

Tani edhe fëmijët nën 12 vjeç po diagnostikohen me tension të lartë të gjakut, kolesterol të lartë, gur në veshka dhe probleme në mëlçi. Cilat janë shkaqet kryesore? Jeta sedentare, tepër ushqime pa vlera dhe mbipesha.​—ABC, SPANJË.

Sipas një llogaritjeje qeveritare, kostoja e rritjes së një fëmije të lindur në vitin 2008 deri në moshën 18-vjeçare në një familje me të ardhura mesatare në Shtetet e Bashkuara, është «rreth 221.190 dollarë (ose duke marrë parasysh edhe inflacionin 291.570 dollarë)».​—DEPARTAMENTI I BUJQËSISË I SHTETEVE TË BASHKUARA.

Kanë harruar si të luajnë

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, një e pesta e prindërve në Britani thonë se kanë harruar «si të luajnë me fëmijët». Një e treta e pranojnë se lojërat u duken të mërzitshme, kurse të tjerët thonë se nuk kanë kohë ose ide. Në lidhje me këtë, profesoresha Tanja Bajroni, psikologe në një klinikë, thotë: «Ka katër elemente të rëndësishme për ta bërë të frytshme një lojë midis prindërve dhe fëmijëve. Gjatë lojës, fëmijët duhet të mësojnë për tema të reja, të zhvillojnë aftësitë krijuese e të mësojnë si të sillen e të komunikojnë me të tjerët.» Megjithëse 1 në 3 prindër zgjedhin të luajnë lojëra elektronike me fëmijët, pjesa dërrmuese e të vegjëlve parapëlqejnë t’i luajnë vetëm ato. Ndër aktivitetet që shumica e 5 deri 15-vjeçarëve duan të bëjnë me prindërit, janë lojërat në natyrë ose lojërat në tavolinë.

Përrallat para gjumit

Një shërbim Interneti u ofron ndihmë baballarëve që janë tepër të zënë për t’u lexuar fëmijëve përralla para gjumit. «Një program i teknologjisë së lartë regjistron zërin e babait duke lexuar një përrallë, i shton muzikë dhe efekte zanore dhe e poston elektronikisht që ta dëgjojë fëmija»,​—shpjegon gazeta Daily Telegraph e Sidneit. Megjithatë, ekspertët për marrëdhëniet njerëzore janë mosbesues për këtë. «T’i lexosh fëmijës do të thotë të ndërtosh një marrëdhënie me të»,—​thotë dr. Riçard Fleçeri, autori kryesor i një programi kërkimor mbi familjet në Universitetin e Njukasllit në Australi. Sipas tij, do të thotë që babai të japë e të marrë me fëmijën, ta përkëdhelë dhe të qeshë me të. Asnjë letër elektronike nuk mund të ketë të njëjtin efekt që ka kur ulesh afër fëmijës dhe i lexon.