Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Drejtësi e vërtetë nën qeverinë e Perëndisë

Drejtësi e vërtetë nën qeverinë e Perëndisë

Drejtësi e vërtetë nën qeverinë e Perëndisë

PROFECITË e Biblës zbulojnë se pas pak sistemit të sotëm do t’ia zërë vendin një sistem i ri që do ta vendosë Perëndia. Për më tepër, ai sistem ose botë e re do të ketë një qeveri të vetme​—Mbretërinë e Perëndisë, që ka si Mbret Jezu Krishtin. (Zbulesa 11:15) Si do t’i çrrënjosë padrejtësitë Mbretëria e Perëndisë? Duke vepruar në dy plane.

1. Mbretëria e Perëndisë do të asgjësojë sundimin e padrejtë dhe të paaftë të njeriut. Te Danieli 2:44 thuhet: «Në ditët e atyre mbretërve [qeverive], Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri. . . . Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive [të vendosura nga njeriu], dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»

2. Mbretëria e Perëndisë do të shfarosë të ligjtë dhe do të ruajë të drejtët. Psalmi 37:10 thotë: «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më.» Në vargun 28 lexojmë: «Jehovai e do drejtësinë dhe nuk do t’i braktisë besnikët e vet. Ata do të jenë gjithmonë të mbrojtur.»

«Besnikët» do të shohin me sytë e tyre plotësimin e këtyre fjalëve që tha Jezui në lutjen model: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:10) Cili është vullneti i Perëndisë për tokën?

Kur në tokë të sundojë Mbretëria e Perëndisë . . .

Nuk do të ketë më korrupsion dhe shtypje. Te Hebrenjve 1:9 thuhet për Jezu Krishtin: «Ti e deshe drejtësinë dhe e urreve paligjshmërinë.» Si një Sundimtar vërtet i drejtë, Jezui «do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon. . . . Nga shtypja dhe dhuna, do t’ua shpengojë shpirtin, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar në sytë e tij».​—Psalmi 72:12-14.

Të gjithë do të gëzojnë begati. «Toka do të japë prodhimin e saj. Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.» (Psalmi 67:6) «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.» (Psalmi 72:16) Me anë të një mrekullie, Jezui ushqeu mijëra veta njëherazi, duke treguar në një shkallë të vogël çfarë do të realizojë nëpërmjet Mbretërisë së Perëndisë.​—Mateu 14:15-21; 15:32-38.

Drejtësia nuk do të pengohet nga kufizimet njerëzore. «Nuk ka krijesë që të mos jetë e dukshme përpara [Perëndisë], por të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari.» (Hebrenjve 4:13) Për Krishtin lexojmë: «Ai nuk do të gjykojë nga ajo që i shohin sytë dhe as do të qortojë vetëm sipas fjalëve që i kanë rënë në vesh. Do t’i gjykojë të përvuajturit me drejtësi dhe do të qortojë me ndershmëri, në mënyrë që zemërbutët e tokës të nxjerrin dobi.»​—Isaia 11:3, 4.

Sundimi i Mbretërisë është në prag

Bota po katandiset gjithnjë e më keq, dhe kjo provon se fundi i saj është fare pranë. «Të ligjtë mbijnë si bari dhe të gjithë ata që merren me të këqija, lulëzojnë, vetëm që të shfarosen përgjithmonë»,—thuhet te Psalmi 92:7. Ç’mund të bësh që të mos meritosh gjykimin e pafavorshëm të Perëndisë dhe të jesh mes atyre që ai do t’i ruajë gjallë? Jezu Krishti tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»​—Gjoni 17:3.

A dëshiron ta marrësh këtë njohuri të vyer? Nëse po, pse të mos flasësh për këtë me Dëshmitarët e Jehovait, ashtu siç bënë Hajdi, Dorotia dhe Firodini, që u përmendën më parë? Ata do t’u përgjigjen me kënaqësi pyetjeve të tua pa kërkuar para.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

KUR VETË JETA DUKET E PADREJTË

Emilia, që jeton në Shtetet e Bashkuara, u diagnostikua me leucemi kur ishte shtatë vjeçe. Ndërkohë që shoqet e saj kalojnë hera-herës ndonjë grip a të ftohur, Emilia duron prej vitesh terapi intensive, duke përfshirë kimioterapinë. «Leucemia është e frikshme»,​—thotë ajo.

Ndonëse jeta i ka dhënë një goditje të rëndë, Emilia nuk është bërë pesimiste. Përkundrazi, ajo pret ditën kur do të sundojë Mbretëria e Perëndisë dhe «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» (Isaia 33:24) Emilia tregon: «Shkrimi që më pëlqen më shumë është Marku 12:30: ‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.’ Kur i lutem Jehovait, ai më bën të fortë. E falënderoj Jehovain që më ka dhënë familjen, kongregacionin dhe shpresën e jetës së përhershme në një botë të re parajsore. Kjo shpresë më ka ndihmuar goxha.»

[Figurat në faqet 8, 9]

Nën Mbretërinë e Perëndisë, gjithë njerëzimi do të kënaqet me ushqim të bollshëm, do të gëzojë drejtësi të vërtetë dhe do të shijojë jetën pa paragjykime