Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një ngjarje historike në Malavi​—1.000 Salla Mbretërie!

Një ngjarje historike në Malavi​—1.000 Salla Mbretërie!

Një ngjarje historike në Malavi​—1.000 Salla Mbretërie!

«KURRË s’mendoja se do të ndodhte në Malavi»,—tha i emocionuar Ogëstini. E kishte fjalën për ndërtimin e shumë Sallave të Mbretërisë, siç i quajnë Dëshmitarët e Jehovait vendet e tyre të adhurimit. Në vitin 1993, në Malavi, një vend i vogël në Afrikën Juglindore, 30.000 Dëshmitarët nuk kishin vende të përshtatshme për të adhuruar dhe për të studiuar Biblën.

Mirëpo tani gjërat janë shumë ndryshe. Në Blantair, në shtator të 2010-s, Dëshmitarët në Malavi përfunduan të njëmijtën Sallë Mbretërie! * Si u rrit në 30.000 veta numri i Dëshmitarëve para se të fillonin të ndërtonin vendet e tyre të adhurimit? Si mundën të ndërtonin 1.000 salla brenda një kohe relativisht të shkurtër në një vend me të ardhura të kufizuara? Dhe në fund, çfarë ndikimi pati ky program i mahnitshëm ndërtimi te Dëshmitarët dhe fqinjët e tyre?

Kohë sprove

Në fillim të viteve 1900, Dëshmitarët e Jehovait që atëherë njiheshin si Studentët e Biblës, nisën t’ua mësonin të vërtetat e Biblës njerëzve në Malavi. Aty nga viti 1967, numri i Dëshmitarëve ishte rritur në rreth 17.000. Ashtu si të krishterët e shekullit të parë, ata njiheshin si njerëz që respektonin ligjin dhe autoritetet. Gjithashtu, njësoj si të krishterët e hershëm, me vendosmëri qëndronin asnjanës në çështjet politike.​—Gjoni 18:36; Veprat 5:29.

Mjerisht, nga mesi i viteve 60, qëndrimi i bazuar në Bibël i futi Dëshmitarët në konflikt me qeverinë dhe, në vitin 1967, vepra e tyre u ndalua. S’kaloi shumë dhe një numër të madh Dëshmitarësh i përzunë padrejtësisht nga puna e kundërshtarët u konfiskuan ose u shkatërruan pronat. Nga përndjekja e ashpër dhe frika e një gjenocidi të mundshëm, mijëra Dëshmitarë shkuan në Mozambikun e Zambien fqinje.

Më në fund, gjërat nisën të përmirësoheshin për Dëshmitarët e Jehovait në Malavi, pjesa më e madhe e të cilëve ishin riatdhesuar aty nga fillimi i viteve 90. Sa u gëzuan kur më 12 gusht 1993, ndalimi i gjatë 26-vjeçar i aktivitetit të tyre u hoq! Sidoqoftë, u gjendën para një vështirësie të re. Tani që ishin më shumë se 30.000 Dëshmitarë në 583 kongregacione, nuk kishin vende të përshtatshme ku të mblidheshin për të adhuruar. Ç’të bënin?

Dashuri me vepra!

Gjashtë vitet e para pas heqjes së ndalimit, Dëshmitarët vendës bënë një punë të lavdërueshme duke ndërtuar Salla Mbretërie me ato pak të ardhura që kishin. Kjo nuk qe e lehtë, pasi brenda një viti Dëshmitarët shtoheshin më shpejt sesa numri i sallave. Si u zgjidh ky problem? Duke zbatuar parimin biblik që gjendet te 2 Korintasve 8:14. ‘Teprica’ në disa vende të tjera ‘plotëson mungesën’ në vende si Malavia. Për këtë qëllim, në vitin 1999, Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait i dha shtysë një programi të veçantë për ndërtimin e vendeve të adhurimit në shtete me të ardhura të kufizuara. Me këtë mbështetje të dashur, ndërtimi i Sallave të Mbretërisë për Dëshmitarët në Malavi eci me ritme shumë më të shpejta. *

Më parë, kongregacionet në Malavi i mbanin mbledhjet nëpër klasa shkolle, nëpër strehë të përkohshme ose edhe nën pemë. Tani, 1.230 kongregacionet e atjeshme kanë mundësi të mblidhen për të adhuruar e për të marrë mësime biblike në ndërtesa dinjitoze kushtuar përparimit të adhurimit të vërtetë. Siç mund ta merrni me mend, më shumë se 75.000 Dëshmitarët në Malavi janë shumë mirënjohës për mbështetjen e vëllezërve e motrave të krishtere anekënd botës.

Një tjetër faktor që i ndihmoi Dëshmitarët të ndërtonin kaq shumë vende adhurimi brenda një periudhe mjaft të shkurtër, ishte dëshira e tyre për salla modeste dhe funksionale. Ata nuk donin ndërtesa për të rënë në sy, por të thjeshta e dinjitoze që i sjellin nderim Perëndisë dhe janë të rehatshme për diskutimin dhe studimin e Biblës.

Dobi për komunitetet vendëse

Më parë, Dëshmitarët e Jehovait në Malavi viheshin në lojë si feja që s’kishte vende adhurimi. Nga kjo disa Dëshmitarë nganjëherë ndiheshin në siklet të ftonin të interesuarit në mbledhje. Prandaj, imagjinoni si janë ndier kur kishin Salla Mbretërie aq tërheqëse. Tani ftonin me kënaqësi në mbledhjet e tyre fqinjë e të interesuar. Faktikisht, kongregacioni i një zone u emocionua tek pa 698 të pranishëm në një mbledhje në Sallën e sapondërtuar!

Shumë Dëshmitarë e të tjerë thanë se kurrë s’e kishin menduar që një ditë do të kishin një sallë kaq të bukur e të fortë në zonën e tyre. Ogëstini, i përmendur në fillim, kujton që një kongregacion i mbante mbledhjet nën një pemë. «Në stinën e thatë kishte lezet,—thotë Ogëstini,—por, kur fillonin shirat, ishte problem!» Nëse e keni provuar ndonjëherë rrebeshin tropikal, e kuptoni ku e ka fjalën Ogëstini.

Ai sjell ndër mend një nga vizitat e tij në kongregacionin e Çimvanjes. «E mbajtëm mbledhjen në një strehë të vogël me trarë druri dhe çati kashte,—thotë ai.—Por nuk e dinim që çatia ishte bërë foleja e një merimange të madhe helmuese. Papritur e pakujtuar, në mes të fjalimit, ajo u var poshtë dhe qëndroi afër këmbës sime. I trembur, një nga të pranishmit bërtiti: ‘Shtype Ogëstin, shtype!’ S’do mend që e shtypa. Siç e shihni, jam ende gjallë.» Tani që kongregacioni ka një Sallë të re Mbretërie, nuk ka më shqetësime të tilla.

«Një xhevahir për komunitetin»

Ky program kaq emocionues për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë ka ngjallur te komunitetet dhe zyrtarët vendës admirimin e respektin për Dëshmitarët e Jehovait. Ja disa përshtypje:

✔ «Ndërtimi i një vendi të ri adhurimi, bashkë me dashurinë dhe unitetin që tregojnë Dëshmitarët e Jehovait, është një xhevahir për komunitetin, që vlen të imitohet nga kishat e tjera.»​—Kryetari i zonës në Çabuenzi.

✔ «Te Dëshmitarët admiroj më shumë unitetin e tyre. Kemi nisur ndërtimin e kishës sonë dhjetë vjet më parë, por s’ka mbaruar ende, dhe kushedi se kur do të mbarojë. Dua t’ju falënderoj që keni bërë një ndërtesë kaq të bukur në zonën tonë.»​—Kryetari i fshatit Çiguenembe.

✔ «Mahnitem kur ju shoh si punoni. Jeni shumë të shpejtë, e megjithatë shumë të rregullt! Duhet të jeni shumë të bashkuar.»​—Kryetari i zonës në Çiuzira.

Programi i ndërtimit të Sallave të Mbretërisë ka rënë kaq shumë në sy, sa ka tërhequr edhe vëmendjen e botuesve të Fjalorit Çiçeua/​Çinianja​—​Anglisht, ku për Dëshmitarët thuhet: «Dëshmitarët e Jehovait kanë ndërtuar shumë [Salla Mbretërie].»

«Kjo Sallë Mbretërie është një mrekulli»

Më 30 janar 2011, Kongregacioni i Maniouës në Blantair, që përmendëm më lart, bëri kushtimin e Sallës së re të Mbretërisë​—e njëmijta që u ndërtua në Malavi. «Kjo Sallë Mbretërie është një mrekulli,—tha një pjesëtar i kongregacionit.—Është si një ëndërr e bërë realitet.»

«Nuk humba as edhe një ditë gjatë ndërtimit,—kujton një vajzë nga Kongregacioni i Maniouës.—Jam shumë e lumtur që mora pjesë në ndërtimin e një vendi të përshtatshëm adhurimi për territorin tonë.»

«E patëm të vështirë të merrnin leje nga autoritetet lokale për ndërtimin e Sallës sonë të Mbretërisë,—shpjegoi një nga pleqtë e kongregacionit.—Zyrtarët nuk pranuan disa herë me radhë të nënshkruanin lejet që nevojiteshin. Megjithatë, znj. Lines Çikaoneka, kryetarja e zonës, bëri çmos t’i bindte nëpunësit të nënshkruanin lejet.»

Një ditë, znj. Çikaoneka shoqëroi një nga pleqtë e kongregacionit për të marrë një leje. «Dua që Dëshmitarët e Jehovait ta ndërtojnë Sallën e Mbretërisë në fshatin tim,—i tha nëpunësit.—Ata janë njerëz të mirë. Në gjyqin tradicional nuk më është dashur asnjëherë të zgjidh probleme ku të përfshiheshin ata.» Atëherë nëpunësi i nënshkroi letrat.

Znj. Çikaonekën s’e mbante vendi nga gëzimi kur u kushtua Salla e Mbretërisë. «Jam shumë e lumtur dhe krenare,—tha ajo,—që në fshatin tim ka një ndërtesë kaq të bukur!»

Në mbarë Malavinë, Dëshmitarët e Jehovait dhe fqinjët e tyre vazhdojnë të shprehin mirënjohje për programin e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë. Falë frymës së tyre shembullore të vetësakrifikimit dhe punës së palodhur, ndryshe nga viti 1993, Dëshmitarët e Jehovait në këtë vend e kanë mbushur boshllëkun e madh për Salla Mbretërie. Është e vërtetë se do të vazhdojnë të kenë nevojë për më shumë Salla ndërkohë që njerëzit e pranojnë ‘lajmin e mirë për mbretërinë [e Perëndisë]’ e formohen kongregacione të reja. (Mateu 24:14) Kështu, Dëshmitarët e vlerësojnë thellësisht mbështetjen e dashur dhe bujarinë e Dëshmitarëve në të katër anët e botës. *

Por, mbi të gjitha, Dëshmitarët i janë mirënjohës Jehovait, Perëndisë së tyre. Ata shprehin të njëjtat ndjenja si psalmisti, i cili tha: «Të gjitha kombet që ke bërë, do të vijnë e do të përkulen para teje, o Jehova, dhe emrit tënd do t’i japin lavdi. Se ti je i madh e bën gjëra të mahnitshme.»​—Psalmi 86:9, 10.

[Shënimet]

^ par. 3 Tani ka më tepër se 1.030 Salla Mbretërie.

^ par. 9 Që nga viti 1999, Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën kanë ndërtuar 23.786 Salla Mbretërie në 151 vende me të ardhura të kufizuara.

^ par. 28 Në mbarë botën, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait mbështetet plotësisht nga kontributet vullnetare.

[Figura në faqen 24]

Para se të fillonte programi për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, shpesh vendet e mbledhjeve nuk ishin më shumë sesa strehë të mbuluara me kashtë

[Figura në faqen 24]

Tani kongregacionet mblidhen në Salla Mbretërie si kjo