Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pikëpamja e Biblës

Kush mund ta ndryshojë botën?

Kush mund ta ndryshojë botën?

«Njerëzit kërkojnë përgjigje nga udhëheqësit e tyre. Presin zgjidhje, jo përpjekje sa për të thënë ose justifikime.»​—SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I KOMBEVE TË BASHKURARA BAN KI MUN.

JETOJMË në kohët që Bibla i quan «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Dëgjojmë plot lajme të kobshme për luftëra, terrorizëm, konflikte ekonomike dhe për shkatërrimin që i kanoset natyrës.

A ka shpresë që gjërat të bëhen më mirë? A mund t’i zgjidhin qeveritë njerëzore problemet në botë apo duhet të drejtohemi diku tjetër për ndihmë?

Çfarë pohojnë shumë kombe?

Shumë kombe pohojnë se kanë përkrahjen e Perëndisë. Për shembull, kur njerëzit bëjnë betimin para flamurit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thonë se janë «një komb nën drejtimin e Perëndisë» dhe slogani në monedhat e kartmonedhat amerikane është «Kemi besim te Perëndia».

Natyrisht, shumë njerëz që jetojnë në Shtetet e Bashkuara as nuk besojnë se Perëndia ekziston, dhe kjo vlen edhe për vende të tjera që thonë se kanë mbështetjen e Perëndisë. Edhe ata që besojnë te Perëndia kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me sa ndërhyn ai në çështjet njerëzore.

● Disa thonë se Perëndia është komplet indiferent dhe se ka lënë njeriun që të qeverisë.

● Të tjerë thonë se Perëndia vepron nëpërmjet qeverive njerëzore dhe se ai mund t’i bekojë përpjekjet e tyre për të ndryshuar botën.

A shpreh mendimin tuaj ndonjëra prej këtyre?

Mendoni: Nëse pohimi i parë do të ishte i vërtetë, mjerë ne. Po të ishte e dyta, atëherë do të lindnin pyetjet: «A përkrah Perëndia njërin komb e tjetrin jo? Nëse dy vende hyjnë në luftë me njëri-tjetrin dhe të dyja palët i luten me zjarr për fitore, anën e kujt do të marrë Perëndia?» A mund të ndodhë që të mos jetë me asnjërin?

Çfarë mëson Bibla?

1. Njeriu nuk u krijua për të qeverisur. Bibla thotë: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Historia ka dëshmuar për vërtetësinë e këtij pohimi. Qeverisja nga njeriu nuk ka sjellë një botë më të mirë, edhe kur sundimtarët kishin idealet më të larta dhe qëllimet më të mira. Përkundrazi, «njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij».​—Eklisiastiu 8:9.

2. Perëndia interesohet për hallet tona. Ai nuk i mbyll sytë para halleve tona dhe nuk është i pandjeshëm ndaj tyre. Madje do të veprojë për të na ndihmuar. Si? Me anë të Mbretërisë së tij, e cila «nuk do të shkatërrohet kurrë».​—Danieli 2:44.

3. Mbretëria e Perëndisë është një qeveri reale. Ajo është e njëjta Mbretëri që miliona njerëz të sinqertë e përmendin në lutjen «Ati ynë», që e recitojnë shpesh. Në këtë lutje, njerëzit i përgjërohen Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:10) Siç thotë shkrimi, Mbretëria e Perëndisë nuk ndikon vetëm në qiell; ajo bën të mundur që vullneti i Perëndisë të përmbushet edhe në tokë.

4. Me anë të Mbretërisë së tij, Perëndia mund dhe do ta ndryshojë botën. Nëse nuk e besoni këtë, shqyrtoni çfarë thotë Bibla.

● Perëndia bëri të mundur për racën njerëzore një fillim të përsosur në një vend paqësor.​—Zanafilla 1:27-31.

● Me gjithë problemet që shohim, Perëndia nuk ka hequr dorë nga qëllimi i tij për tokën.​—Psalmi 37:11, 29.

● Perëndia tashmë ka ndërmarrë hapa që toka dhe raca njerëzore të kenë sërish kushtet fillestare që ai kishte për qëllim.—Gjoni 3:16.

A dëshironi të dini më shumë për Mbretërinë e Perëndisë dhe si do ta ndryshojë botën? Dëshmitarët e Jehovait, botuesit e kësaj reviste, do t’ju ndihmonin me kënaqësi. Pse të mos u kërkoni përgjigje për pyetjet e mëposhtme herën tjetër kur t’ju vijnë në shtëpi?

Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

Ç’ndryshime do të sjellë?

Kur dhe si do t’i sjellë këto ndryshime?

A DONI TË DINI?

● Pse qeveritë njerëzore janë të kufizuara në atë që mund të bëjnë?​—Jeremia 10:23.

● Si ka treguar Perëndia se interesohet për ne?​—Gjoni 3:16.

● Çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë për tokën dhe për banorët e saj?​—Psalmi 37:11, 29.

[Diçitura në faqen 27]

A mund t’i zgjidhin qeveritë njerëzore problemet në botë apo duhet të drejtohemi diku tjetër për ndihmë?