Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E doja dhunën

E doja dhunën

E doja dhunën

Treguar nga Salvador Garza

KUR isha i ri, e doja dhunën dhe zihesha me këdo që më ngrinte nervat. Një kampion vendës i boksit e vuri re këtë dhe më mësoi boksin. Me kohë, fillova të udhëtoja nëpër Shtetet e Bashkuara si boksier profesionist. Më vonë, punova si truprojë e një gangsteri.

E doja dhunën edhe pasi u martova e u bëra me gjashtë fëmijë. Në atë kohë drejtoja një klub nate. Disa herë u përpoqën të më vritnin, por kjo më pëlqente se më dukej emocionuese. Një herë, në grindje e sipër, qëllova me pistoletë dy burra dhe i plagosa rëndë. Madje, me disa shokë planifikuam të merrnim peng një politikan me emër. Por policia e zbuloi komplotin dhe më arrestuan. Kur policia gjeti pjesën tjetër të grupit, u hap zjarr dhe shokët e mi u vranë. Prandaj, mirë që isha në burg në atë kohë.

Vite më vonë, u lirova dhe gjeta punë. Një ditë, duke u kthyer nga puna në shtëpi, papritur më filloi një dhembje koke që gati më paralizoi. U tremba kaq shumë, sa u luta për ndihmë. Doloresi, gruaja ime, që studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, më kishte thënë se Perëndia ka një emër: Jehova. (Psalmi 83:18) Prandaj iu luta atij me emër.

Kur e mora veten, Doloresi më inkurajoi të ndiqja mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait në Sallën e Mbretërisë. M’u mbushën sytë me lot nga dashamirësia dhe interesi i sinqertë i Dëshmitarëve. Si rezultat, edhe unë fillova të studioja Biblën dhe e gjithë pikëpamja ime për jetën pak nga pak ndryshoi. E doja atë që po mësoja.

Por m’u desh më shumë kohë të mësoja vetëkontrollin. Për shembull, një ditë kur po predikonim nga shtëpia në shtëpi me Antonion, shokun tim, takuam një burrë që filloi të na shante. M’u ndez zemërimi dhe iu vërsula. Mirë që më mbajti Antonio! Më pas, me durim më kujtoi si qëndroi Jezui përballë shumë talljeve dhe keqtrajtimeve. Apostulli Pjetër, që bashkëpunoi ngushtë me Jezuin, shkroi: «Kur e shanin, ai nuk e kthente sharjen.» (1 Pjetrit 2:23) Më prekën ato fjalë dhe ua vura veshin.

Kur mendoj për ndryshimet që kam bërë ndër vite, falënderoj gjithmonë Jehovain për frymën e shenjtë, që na ndihmon të ushtrojmë vetëkontroll dhe të bëhemi vërtet paqësorë. (Galatasve 5:22, 23) Kam një familje të bashkuar e të lumtur dhe gëzojmë një jetë të qetë plot paqe. Veç këtyre, kam privilegjin të shërbej si predikues në kohë të plotë dhe i ndihmoj të tjerët të gjejnë paqen e Perëndisë.

[Figura në faqen 9]

Studimi i Biblës e ndihmoi Salvadorin të gjente paqe