Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinjtë pyesin

Cilët kam si shembuj në jetën time?

Cilët kam si shembuj në jetën time?

Në këtë artikull, do të mësosh

PSE ke nevojë për shembuj

KU t’i gjesh

SI t’i imitosh

PSE KE NEVOJË PËR TA

FAKT: Prirja e njeriut është të bëhet si ata që admiron. Kjo mund të jetë gjë e mirë ose e keqe​—varet kë admiron.

Çfarë të duhet: Shembuj që ia vlen t’i imitosh.​—Filipianëve 3:17.

Problemi: Shumë veta i mbajnë sytë te njerëzit e famshëm​—muzikantë, sportistë me emër ose yje të kinemasë—​madje edhe kur kanë reputacion të fëlliqur.

Për të menduar: Bibla i krahason tiparet e personalitetit me një veshje. (Kolosianëve 3:9, 10) Nëse del të blesh rroba, a do të lejoje që një shitës i veshur si mos më keq të të tregonte si të visheshe ti? Atëherë, pse të lejosh që një i famshëm me reputacion të keq të të diktojë ç’lloj njeriu duhet të jesh ti? Nëse ke shembuj të mirë në jetë, nuk do ta lejosh këtë e as do të ndjekësh turmën, por (1) do të zgjedhësh cilësitë që dëshiron të kesh dhe (2) do të imitosh njerëzit që shkëlqejnë në këto cilësi.

KU T’I GJESH

Shëno nëse pohimi i mëposhtëm është i vërtetë apo i rremë.

1. Një model duhet të jetë dikush që e ke takuar.

E vërtetë E rreme

2. Një model duhet të jetë i përsosur.

E vërtetë E rreme

3. Mund të kesh shumë modele në jetë.

E vërtetë E rreme

Përgjigjet

1. E rreme. Shembujt e mirë mund t’i zgjedhësh edhe nga kohët e lashta. Më të shkëlqyerit nga këta i gjen në Bibël. Për shembull, po të lexosh kapitullin 11 në librin biblik të Hebrenjve, do të vëresh se apostulli Pavël përmend 16 burra e gra që kishin një besim shembullor. Ç’është më e rëndësishmja, në kapitullin vijues Pavli na nxit ‘ta mbajmë shikimin të ngulur’ te Jezui dhe ta imitojmë. (Hebrenjve 12:2) Jezui është modeli më i mirë që kemi.​—Gjoni 13:15. *

2. E rreme. Përveç Jezuit, Adami nuk ka pasur asnjë pasardhës të përsosur. (Romakëve 3:23) Madje, edhe profeti heroik Elija ishte «njeri si të gjithë ne». (Jakovi 5:17, ECM) E njëjta gjë mund të thuhet për personazhe, si Miriami, Davidi, Jonai, Marta dhe Pjetri. Bibla flet haptas për gabimet e këtyre burrave dhe grave. Prapëseprapë, ata ishin shembullorë në shumë aspekte të jetës, ndaj mund të jenë shembuj të mirë për ne.

3. E vërtetë. Modele mund të zgjedhësh sa të duash. Dikush mbase shquhet si punëtor, një tjetër mund të dallohet për durimin. Një i tretë ndoshta ruan pikëpamjen pozitive përballë problemeve. (1 Korintasve 12:28; Efesianëve 4:11, 12) Kërko anët e mira te të tjerët dhe do të zbulosh se kanë cilësi që ia vlen t’i imitosh.​—Filipianëve 2:3.

SI T’I IMITOSH

1. Vëzhgoji ata që i sheh si shembuj. Apostulli Pavël u tha të krishterëve të shekullit të parë: «Vëreni ata që jetojnë simbas shembullit që keni në ne.»​—Filipianëve 3:17, Simon Filipaj.

2. Lidhu me ta. Nëse është e mundur, kalo ca kohë me ata që ke zgjedhur si shembuj nga ditët tona. Bibla thotë: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur.»​—Proverbat 13:20.

3. Pasqyro cilësitë e admirueshme të shembujve të tu. Te Hebrenjve 13:7 thuhet: «Ndërsa shqyrtoni me kujdes rezultatin e sjelljes së tyre, imitoni besimin e tyre.»

Je gati të fillosh? Shiko hapat e mëposhtëm se si të imitosh shembujt e mirë, pastaj plotëso hapësirat boshe.

Hapa konkretë

Zgjidh një cilësi që do të të pëlqente ta kishe. (A do të doje të ishe më i shoqërueshëm? Më bujar? Më punëtor? Më i besueshëm? Të mos dorëzoheshe kollaj?)

․․․․․

Zgjidh dikë që shfaq cilësinë që do të të pëlqente të zhvilloje. *

․․․․․

Kur zgjedh një shembull të mirë, qëllimi nuk është të bëhesh fiks si ai njeri. Prapë do të kesh cilësitë e tua të bukura unike. Megjithatë, shembujt e mirë do të të ndihmojnë të nxjerrësh në pah anët e tua më të mira ndërsa rritesh. Jo vetëm kaq, por duke imituar shembullin e tyre, ti vetë do të bëhesh shembull i mirë për të tjerët.

Për më shumë artikuj nga rubrika «Të rinjtë pyesin», mund të shkarkoni numra të tjerë të revistës Zgjohuni! nga adresa e Internetit www.pr418.com

[Shënimet]

^ par. 21 Natyrisht, edhe shumë njerëz të ditëve tona mund të shërbejnë si shembuj të mirë. Mes këtyre mund të jenë prindërit, motra a vëllai, një bashkëbesimtar i pjekur frymësisht që e ke në kongregacion, që e njeh ose për të cilin ke lexuar.

^ par. 32 Mund t’i plotësosh këto pika edhe duke nisur nga fundi. Në fillim, zgjidh dikë që e sheh si shembull. Më pas, pyet veten: «Cila cilësi në veçanti më bën ta admiroj këtë njeri?» Pastaj, duke vërejtur shembullin e tij, përpiqu të imitosh cilësinë që veçove.

[Diçitura në faqen 21]

Pse të lejosh që një i famshëm me reputacion të keq të të diktojë ç’lloj njeriu duhet të jesh ti?

[Kutia dhe figurat në faqet 22, 23]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

Lejla​—Shoqja ime Sandra sheh anën pozitive të gjërave. Gjithashtu, e njeh Biblën në pëllëmbë të dorës, prandaj duket se gjithnjë u gjen zgjidhje tak-fak problemeve. Mund t’i hapem sa herë kam ndonjë problem, të madh a të vogël.

Terensi​—Shokët e mi, Kajli dhe Davidi, nuk i shpërfillin kurrë ndjenjat e të tjerëve. Po të ketë probleme dikush, tregohen përherë të gjindshëm, duke i lënë mënjanë shqetësimet e veta. Janë shembuj të mrekullueshëm për mua.

Emalina​—Modeli që dua të imitoj është mami. Ajo e njeh Biblën në majë të gishtave dhe gjithmonë kërkon raste që t’u flasë të tjerëve për besimin e saj. Beson me gjithë zemër se shërbimi është një privilegj, jo një barrë. E admiroj për këtë.

[Kutia në faqen 23]

LEXO MË SHUMË PËR KËTË

A ke nevojë për ndihmë që të gjesh shembuj të mirë? Lexo kapitullin 11 të Hebrenjve dhe zgjidh një nga burrat a gratë që përmenden atje. Fillo një projekt studimi me synimin që të imitosh cilësitë e tij të admirueshme.

Shembuj të tjerë biblikë mund t’i gjesh në vëllimet 1 dhe 2 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Shih treguesin e «ja një model» në pjesën e brendshme të kapakut të pasmë të secilit libër.

[Kutia në faqen 23]

PSE TË MOS PYESËSH PRINDËRIT?

Bisedo me prindërit për shembujt e tyre në jetë​—shembujt që kishin kur ishin sa ti dhe ata që kanë sot. Si kanë nxjerrë dobi duke pasur shembuj të mirë në jetë?