Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 Pikëpamja e Biblës

A ndikojnë yjet në jetën tënde?

A ndikojnë yjet në jetën tënde?

A më do?

A të udhëtoj sot?

A do ta fitoj atë vend pune?

SHUMË i drejtohen astrologjisë për të marrë përgjigjet e pyetjeve të tilla. * Por, a ndikojnë vërtet në jetën tënde yjet? A mund të të ndihmojnë që të njohësh të ardhmen tënde ose veten? Çfarë thotë Bibla?

A ndikojnë yjet tek e ardhmja jonë?

Shumë njerëz mendojnë se nuk i shpëtojmë dot fatit. Sipas tyre, e ardhmja tashmë është shkruar dhe yjet na e zbulojnë. Por Bibla thotë diçka tjetër. Ajo pohon se Perëndia na jep liri zgjedhjeje, dhe kjo do të thotë se në njëfarë mase i kemi vetë në dorë gjërat që na ndodhin. Për shembull, ai u tha izraelitëve: «Ju kam vënë përpara jetën dhe vdekjen, bekimin dhe mallkimin. Zgjidhni jetën, që të rroni ju dhe pasardhësit tuaj.»​—Ligji i përtërirë 30:19.

Me këto fjalë, Perëndia Jehova ua bëri të qartë se e ardhmja e tyre varej kryesisht nga ata. Në rast se u bindeshin urdhërimeve të  tij, do të merrnin bekime. Nëse jo, do ta futnin veten në telashe.

Mendoni: Në qoftë se e ardhmja e çdo izraeliti do të ishte shkruar tek yjet, a do të kishte kuptim që Perëndia t’i nxiste të zgjidhnin jetën? Për më tepër, a do të ishte e drejtë që Perëndia t’u kërkonte llogari për veprime që nuk vareshin prej tyre?

Mësimi i Biblës është i qartë: drejtimi i jetës sonë varet nga zgjedhjet që bëjmë dhe jo nga yjet.​—Galatasve 6:7.

A ndikojnë yjet te personaliteti ynë?

Shumica e astrologëve e hedhin poshtë idenë e paracaktimit të fatit. «Fatin e bëjmë vetë,—pohoi njëri dhe pastaj shtoi,—megjithatë, dita e lindjes ndikon te formimi i personalitetit tonë.» Mjaft njerëz besojnë të njëjtën gjë. Janë të mendimit se, meqë yjet dhe planetët ushtrojnë ndikim fizik në tokë, pse të mos kenë edhe ndikim metafizik, me fjalë të tjera të mbinatyrshëm? Çfarë thotë Bibla?

Bibla nuk është libër shkencor që shpjegon me hollësi trupin njerëzor dhe universin. Sidoqoftë, shpjegon qëllimin pse Jehovai i krijoi trupat qiellorë. Te Zanafilla 1:14, 15 lexojmë: «Perëndia tha: ‘Të ketë ndriçues në kupën qiellore për të ndarë ditën nga nata; dhe të shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, . . . për të ndriçuar tokën.’»​—Diodati i Ri.

Mendoni: Nëse Perëndia do t’i kishte projektuar yjet që të ndikonin te personaliteti ynë, a nuk do të na e kishte thënë?

Në ç’përfundim arrijmë? Që yjet janë pjesë e veprës krijuese të Perëndisë, por nuk ndikojnë te personaliteti ynë.

Ku të kërkojmë drejtim?

Dëshira për të njohur të ardhmen tonë dhe veten, është e lavdërueshme. Megjithatë ka një vend më të mirë se yjet ku të kërkojmë drejtim.

Bibla e përshkruan Perëndinë Jehova si «Ai që thotë përfundimin qysh në fillim». (Isaia 46:10) Ai ka një qëllim dhe do ta çojë deri në fund me sukses. (Isaia 55:10, 11) Mund të mësojmë për qëllimin e Perëndisë duke lexuar Biblën. Gjithashtu, ky libër i lashtë e i shenjtë shpjegon arsyen pse vuajmë dhe mënyrën si Perëndia do t’u japë fund vuajtjeve të njerëzimit mbarë. *​—2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1-4.

Kur bëhet fjalë për të ditur kush jemi dhe si të bëhemi njerëz më të mirë, Bibla është vendi ideal ku të kërkojmë drejtim. Pse? Sepse, duke e lexuar, arrijmë ta analizojmë me ndershmëri veten. Për shembull, Bibla pohon se Perëndia Jehova është «i mëshirshëm», «nuk zemërohet shpejt» dhe është ‘gati të falë’. (Dalja 34:6; Psalmi 86:5) Por, a jemi edhe ne kështu? Bibla na nxjerr në pah mendimet e gabuara dhe na ndihmon të kuptojmë ku duhet të përmirësojmë.

Prandaj nuk ka nevojë të shikojmë yjet për të njohur të ardhmen tonë ose veten. Drejtimin më të mirë e gjejmë në Bibël, e cila është ‘e frymëzuar nga Perëndia dhe e dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi’.​—2 Timoteut 3:16, 17.

^ par. 6 Astrologjia studion diellin, hënën, planetët dhe yjet me besimin se këta trupa qiellorë ndikojnë te ne dhe na ndihmojnë të kuptojmë veten.

^ par. 19 Për më shumë informacion rreth qëllimit të Perëndisë, shih kapitullin 3 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.