Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Emri i Zotit me shkronja hebraike shfaqet shumë herë në dorëshkrimet e hershme të Biblës

PIKËPAMJA E BIBLËS

Emri i Zotit

Emri i Zotit

Miliona njerëz i drejtohen Zotit me tituj që tregojnë respekt si: Perëndi, i Përjetshmi, Allah ose thjesht Zot. Megjithatë Zoti e ka një emër. A duhet ta përdorësh?

Cili është emri i Zotit?

ÇFARË THONË DISA

 

Shumë nga ata që thonë se janë të krishterë besojnë se Zoti e ka emrin Jezu. Të tjerë pohojnë se, meqë ka vetëm një Perëndi të Plotfuqishëm, s’ka nevojë ta thërrasësh me emër. E të tjerë akoma arsyetojnë se është e papërshtatshme t’i vësh emër Zotit.

ÇFARË THOTË BIBLA

 

Perëndia i Plotfuqishëm nuk e ka emrin Jezu, pasi Jezui nuk është Perëndia i Plotfuqishëm. Në fakt Jezui i mësoi bashkadhuruesit t’i luteshin Zotit me fjalët: «Atë, u shenjtëroftë emri yt.» (Luka 11:2) Vetë Jezui iu lut Perëndisë: «O Atë, jepi lavdi emrit tënd!»​Gjoni 12:28.

Në Bibël, Zoti deklaron: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im. Lavdinë time nuk do t’ia jap askujt tjetër.» (Isaia 42:8) «Jehova» është përkthimi në shqip i katër bashkëtingëlloreve hebraike JHVH që përbëjnë emrin hyjnor. Ky emër shfaqet rreth 7.000 herë në Shkrimet Hebraike. * Pra më shumë se çdo titull, si «Zot», «i Plotfuqishëm» ose «Perëndi», dhe më shpesh se çdo emër, si Abraham, Moisi ose David.

Jehovai nuk e ndalon askund në Bibël përdorimin me respekt të emrit të tij. Madje Shkrimet tregojnë se shërbëtorët e Perëndisë e përdorën lirshëm emrin hyjnor. E përfshinë edhe në emrat që u vendosën fëmijëve, si Elija që do të thotë «Perëndia im është Jehovai» dhe Zakaria që do të thotë «Jehovai ka kujtuar». Ata nuk ngurruan ta përdornin emrin e Perëndisë në bisedat e përditshme.​—Rutha 2:4.

Perëndia dëshiron që ne t’ia përdorim emrin. Bibla na nxit ‘të falënderojmë Jehovain, të thërrasim emrin e tij’. (Psalmi 105:1) Ai madje u kushton vëmendje atyre që «mendojnë thellë për emrin e tij».​—Malakia 3:16.

«Që ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.»​—Psalmi 83:18.

Ç’domethënie ka emri i Zotit?

Disa studiues besojnë se në hebraisht emri Jehova do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Ky përkufizim tregon se Zoti mund të zgjedhë të bëhet ose të shkaktojë që krijimi i tij të bëhet çfarëdo të jetë e nevojshme për të përmbushur qëllimin e Tij. Vetëm Krijuesi i Plotfuqishëm mund ta mbajë me të drejtë këtë emër.

Ç’DOMETHËNIE KA PËR TY

 

Po të njohësh emrin e Zotit do të ndryshosh pikëpamjen për të. Do ta kesh më të lehtë t’i afrohesh. Tekefundit, si mund të jesh i afërt me dikë që nuk i di as emrin? Ndaj vetë fakti që Zoti të ka treguar si quhet do të thotë se dëshiron që t’i afrohesh.—Jakovi 4:8.

Mund të jesh plotësisht i sigurt se Jehovai do të veprojë gjithmonë në përputhje me emrin e tij si Perëndi që e mban gjithnjë fjalën. Ja pse Bibla thotë: «Ata që e njohin emrin tënd, do të kenë besim te ti.» (Psalmi 9:10) Do të të forcohet besimi teksa mëson se emri i Jehovait lidhet pandashmërisht me cilësitë e tij, si dashuria besnike, mëshira, dhembshuria dhe drejtësia. (Dalja 34:5-7) Sa zemër marrim kur kuptojmë që Jehovai e mban gjithnjë fjalën dhe nuk vepron kurrë në kundërshtim me cilësitë e tij!

S’ka dyshim se është privilegj të njohësh emrin e Perëndisë së Plotfuqishëm. Mund të të hapë derën për bekime tani e në të ardhmen. Zoti premton: «Do ta mbroj, sepse njeh emrin tim.»​—Psalmi 91:14.

«Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.»​—Joeli 2:32.

Emri i Zotit në gjuhë të ndryshme

^ par. 9 Në shumë përkthime të Biblës emri Jehova është hequr dhe është zëvendësuar me titullin «ZOT» me shkronja të mëdha, ndërsa në të tjera emri i Zotit gjendet vetëm në vargje të caktuara ose në shënime. Në Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re emri hyjnor përdoret gjerësisht në të gjithë tekstin.