Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 1

Perëndia fillon të krijojë

Perëndia fillon të krijojë

TË GJITHA gjërat e mira që kemi, vijnë nga Perëndia. Ai bëri diellin, që të na ndriçojë ditën dhe hënën e yjet, që të kemi pak dritë edhe natën. Perëndia bëri edhe tokën, që ne të jetojmë në të.

Por dielli, hëna, yjet dhe toka nuk ishin gjërat e para që krijoi Perëndia. A e di çfarë bëri në fillim? Perëndia në fillim bëri persona që i ngjajnë atij. Ne nuk mund t’i shohim ata, ashtu si nuk mund të shohim edhe Perëndinë. Në Bibël ata quhen engjëj. Perëndia i bëri engjëjt që të jetojnë me të në qiell.

Engjëlli i parë që bëri Perëndia ishte shumë i veçantë. Ai ishte Biri i parë i Perëndisë dhe punonte bashkë me Atin e tij. E ndihmoi Perëndinë për të bërë të gjitha gjërat e tjera. E ndihmoi për të bërë diellin, hënën, yjet dhe tokën tonë.

Si ishte toka atëherë? Në fillim në tokë s’mund të jetonte dot asnjeri. Nuk kishte asgjë, përveç një oqeani të madh me ujë që mbulonte gjithë tokën. Por Perëndia donte që në tokë të jetonin njerëz. Prandaj filloi t’i përgatiste gjërat për ne. Çfarë bëri?

Para së gjithash, tokës i duhej drita. Prandaj, Perëndia bëri që mbi tokë të shkëlqente drita e diellit. I rregulloi gjërat që të kishte edhe natë, edhe ditë. Pastaj, Perëndia bëri që toka e thatë të dilte sipër ujërave të oqeanit.

Në fillim, në tokë nuk kishte asgjë. Dukej si figura që sheh këtu. Nuk kishte as lule, as pemë, as kafshë. Në oqean nuk kishte as edhe një peshk. Perëndia kishte shumë punë për të bërë që toka të ishte një vend vërtet i bukur ku të jetonin njerëzit dhe kafshët.