Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 8

Gjigantë në tokë

Gjigantë në tokë

ÇFARË do të mendoje po të shikoje një njeri që vjen drejt teje dhe është aq i gjatë, sa arrin deri te tavani i shtëpisë? Është një gjigant! Ka pasur një kohë kur në tokë kishte vërtet gjigantë. Bibla tregon se baballarët e tyre ishin engjëj që kishin zbritur nga qielli. Po si ka mundësi?

Mos harro se Satanai, engjëlli i keq, po i nxiste dhe po ndikonte te njerëzit që të ishin të këqij. Po përpiqej t’i shtynte edhe engjëjt e Perëndisë që të bëheshin të këqij. Pas ca kohësh, disa nga këta engjëj filluan ta dëgjonin Satanain. Ata e lanë punën që Perëndia u kishte dhënë për të bërë në qiell. Zbritën në tokë dhe bënë trupa njerëzorë për veten e tyre. A e di pse?

Bibla thotë se këta bij të Perëndisë panë gratë e bukura në tokë dhe donin të jetonin me to. Prandaj erdhën në tokë dhe u martuan me këto gra. Bibla thotë që kjo ishte e gabuar, sepse Perëndia i bëri engjëjt që të jetonin në qiell.

Më vonë këto gra mbetën shtatzëna dhe lindën fëmijë, por këta ndryshonin nga fëmijët e tjerë. Në fillim, ndoshta ata nuk dukeshin shumë ndryshe. Por, duke u rritur, bëheshin gjithnjë e më të gjatë e shumë më të fortë, derisa u bënë gjigantë.

Këta gjigantë ishin të këqij. Meqë ishin kaq të mëdhenj e të fortë, ata u bënin keq të tjerëve. Donin t’i detyronin të gjithë që të ishin të këqij si ata vetë.

Enoku kishte vdekur, por tani në tokë ishte një njeri tjetër i mirë. Emrin e kishte Noe. Ai bënte gjithmonë atë që Perëndia dëshironte prej tij.

Një ditë Perëndia i tha Noesë se kishte ardhur koha që Ai të shkatërronte të gjithë njerëzit e këqij. Por Perëndia do ta shpëtonte Noenë, familjen e tij dhe shumë kafshë. Le të shohim si e bëri Perëndia këtë.