Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 10

Përmbytja e madhe

Përmbytja e madhe

JASHTË arkës, njerëzit vazhdonin të bënin të njëjtat gjëra si më parë. Ende nuk e besonin se do të vinte Përmbytja. Ndoshta talleshin e qeshnin edhe më tepër se më parë. Por shpejt pushuan së qeshuri.

Papritur filloi të bjerë shi. Binte me rrebesh nga qielli, sikur po derdhnin ujë me kova. Noeja kishte pasur të drejtë! Por tani ishte tepër vonë, sepse askush tjetër nuk mund të hynte në arkë. Jehovai e kishte mbyllur fort derën.

Shpejt, të gjitha fushat u mbuluan. Ujërat u bënë si lumenj të mëdhenj. Ato shkulnin pemët dhe rrokullisnin gurë të mëdhenj, duke bërë shumë zhurmë. Njerëzit kishin frikë dhe filluan të ngjiten nëpër vendet më të larta. Ah, sikur ta kishin dëgjuar Noenë dhe të kishin hyrë në arkë kur dera ishte ende e hapur! Por tani ishte tepër vonë.

Uji vazhdonte të ngjitej lart e më lart. Për 40 ditë e 40 net, ai u derdh nga qielli pa pushim. U ngrit në shpatet e maleve dhe shpejt mbuloi edhe malet më të larta. Pra, siç kishte thënë Perëndia, të gjithë njerëzit dhe kafshët që ishin jashtë arkës vdiqën. Por të gjithë ata që ishin brenda, shpëtuan.

Noeja dhe djemtë e tij e kishin ndërtuar mirë arkën. Uji e ngriti lart dhe ajo qëndronte në sipërfaqe. Pastaj, një ditë, pasi kishte pushuar shiu, filloi të shkëlqente dielli. Çfarë pamjeje! Kudo shtrihej vetëm një oqean i madh. E vetmja gjë që të zinte syri ishte arka që qëndronte mbi ujë.

Gjigantët nuk ishin më. Nuk do t’u bënin më keq njerëzve. Të gjithë kishin vdekur, bashkë më nënat e tyre dhe me njerëzit e tjerë të këqij. Po me baballarët e tyre, çfarë ndodhi?

Në të vërtetë, baballarët e gjigantëve nuk ishin njerëz si ne. Ata ishin engjëj që kishin zbritur për të jetuar si njerëz në tokë. Prandaj, kur erdhi Përmbytja, nuk vdiqën si të tjerët. Lanë trupat njerëzorë që kishin bërë dhe u kthyen prapë në qiell si engjëj. Por nuk u lejuan më të ishin në familjen e engjëjve të Perëndisë. Atëherë u bënë engjëj të Satanait. Në Bibël ata quhen demonë.

Perëndia bëri të fryjë një erë dhe ujërat e përmbytjes filluan të uleshin. Pesë muaj më vonë, arka u ndal në majë të një mali. Kaluan edhe shumë ditë të tjera dhe ata që ishin brenda arkës mund të vështronin jashtë e të shihnin majat e maleve. Ujërat vazhdonin të uleshin poshtë e më poshtë.

Pastaj, Noeja lëshoi jashtë arkës një zog të zi që quhet korb. Ai fluturonte pak dhe pastaj kthehej prapë, sepse nuk gjente një vend tjetër për të ndaluar. E bëri këtë disa herë dhe gjithmonë kthehej për të pushuar në arkë.

Noeja donte të dinte nëse ujërat kishin ikur nga toka, prandaj herën tjetër dërgoi jashtë arkës një pëllumb. Por edhe pëllumbi u kthye, sepse nuk gjeti vend për të pushuar. Noeja e dërgoi jashtë për herë të dytë dhe pëllumbi solli një gjethe ulliri në sqep. Kështu, Noeja e kuptoi se ujërat ishin ulur. E dërgoi pëllumbin jashtë për herë të tretë dhe kësaj radhe ai gjeti një vend të thatë për të qëndruar.

Tani, Perëndia i tha Noesë: ‘Dil nga arka. Merr me vete gjithë familjen dhe kafshët.’ Kishin qëndruar në arkë më shumë se një vit. Prandaj e kuptojmë sa të lumtur ishin që dolën përsëri jashtë dhe që ishin gjallë!