Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 19

Jakobi bëhet me familje të madhe

Jakobi bëhet me familje të madhe

SHIKO sa familje e madhe është kjo! Këta janë 12 djemtë e Jakobit. Por Jakobi kishte edhe vajza. A e di emrin e ndonjërit prej fëmijëve? Le të mësojmë si quheshin disa.

Lea lindi Rubenin, Simeonin, Levin dhe Judën. Kur Rakela pa se nuk po bënte fëmijë, u trishtua shumë. Prandaj i dha Jakobit shërbëtoren e saj, Bilhanë, dhe kjo lindi dy djem që e kishin emrin Dan dhe Neftali. Pastaj Lea i dha Jakobit shërbëtoren e saj, Zilpën, dhe kjo lindi Gadin dhe Asherin. Më pas Lea bëri dhe dy djem, Isakarin dhe Zabulonin.

Më në fund, Rakela arriti të kishte një fëmijë. Ia vuri emrin Jozef. Më vonë, do të mësojmë më shumë për Jozefin, sepse ai u bë një njeri shumë i rëndësishëm. Këta ishin 11 djemtë që i lindën Jakobit kur jetonte me babanë e Rakelës, Labanin.

Jakobi kishte edhe disa vajza, por Bibla jep vetëm emrin e njërës prej tyre. Atë e quanin Dina.

Erdhi koha kur Jakobi vendosi të ikte nga Labani dhe të kthehej prapë në Kanaan. Prandaj mblodhi familjen e tij të madhe, tufën e madhe të deleve dhe kopetë me lopë, dhe filloi udhëtimin e gjatë.

Pak kohë pasi Jakobi dhe familja e tij u kthyen në Kanaan, Rakela lindi një djalë tjetër. Kjo ndodhi kur ishin në një udhëtim. Rakela vuajti shumë dhe vdiq ndërsa po lindte. Por djali i vogël ishte mirë. Jakobi ia vuri emrin Beniamin.

Duhet t’i mbajmë mend emrat e 12 djemve të Jakobit, sepse i gjithë kombi i Izraelit erdhi prej tyre. Madje 12 fiset e Izraelit i morën emrat nga 10 djemtë e Jakobit dhe dy djemtë e Jozefit. Isaku jetoi edhe shumë vjet pasi lindën të gjithë këta djem dhe, me siguri, ishte i lumtur që kishte shumë nipër. Por, le të shohim se çfarë ndodhi me mbesën e tij, Dinën.