Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 24

Jozefi vë në provë vëllezërit e tij

Jozefi vë në provë vëllezërit e tij

JOZEFI dëshiron të dijë nëse 10 vëllezërit e tij janë akoma të ashpër dhe të këqij. Prandaj u thotë: ‘Ju jeni spiunë. Keni ardhur të zbuloni pikën e dobët të vendit tonë.’

—Jo, nuk jemi spiunë,—thonë ata.—Jemi njerëz të ndershëm. Jemi të gjithë vëllezër. Ishim 12, por një vëlla nuk është më, kurse më i vogli është në shtëpi me babanë.

Jozefi bën sikur nuk i beson. Ai mban në burg vëllanë me emrin Simeon dhe i lë të tjerët të marrin ushqime e të shkojnë në shtëpi. Por u thotë: ‘Kur të ktheheni, duhet të sillni me vete vëllanë tuaj të vogël.’

Kur kthehen në shtëpi në Kanaan, vëllezërit i tregojnë babait, Jakobit, gjithçka që ndodhi. Jakobi është shumë i trishtuar. ‘Jozefi nuk është më,—thotë duke qarë,—dhe tani Simeoni nuk është më. Nuk do t’ju lë të më merrni djalin e vogël, Beniaminin.’ Por, kur ushqimi po mbarohet, Jakobi është i detyruar t’i lejojë që ta çojnë Beniaminin në Egjipt për të marrë ushqim përsëri.

Tani Jozefi shikon vëllezërit që po vijnë. Ai është shumë i lumtur që shikon vëllanë e tij të vogël, Beniaminin. Natyrisht, asnjëri prej tyre nuk e di se ky njeri i rëndësishëm është Jozefi. Jozefi tani bën diçka për t’i vënë në provë 10 vëllezërit.

I urdhëron shërbëtorët e tij që t’ua mbushin të gjitha çantat me ushqime. Por, pa e ditur ata, urdhëron që të futin në çantën e Beniaminit kupën e tij të veçantë prej argjendi. Pasi ata largohen dhe bëjnë një copë rrugë, Jozefi dërgon shërbëtorët e tij pas tyre. Kur i arrijnë, shërbëtorët u thonë: ‘Pse keni vjedhur kupën prej argjendi të zotërisë sonë?’

—Ne nuk e kemi vjedhur kupën e tij,—thonë të gjithë vëllezërit.—Po ta gjeni kupën te ndonjë prej nesh, ai njeri le të vritet.

Atëherë shërbëtorët kërkojnë nëpër të gjitha çantat dhe e gjejnë kupën në çantën e Beniaminit, siç mund ta shohësh në figurë. Shërbëtorët thonë: ‘Të tjerët mund të shkojnë, por Beniamini duhet të vijë me ne.’ Çfarë do të bëjnë tani 10 vëllezërit e tjerë?

Kthehen të gjithë bashkë me Beniaminin në shtëpinë e Jozefit. Jozefi u thotë vëllezërve: ‘Ju mund të shkoni të gjithë në shtëpi, por Beniamini duhet të qëndrojë këtu si skllavi im.’

Juda tani merr guxim dhe thotë: ‘Në qoftë se kthehem në shtëpi pa djalin, babai im do të vdesë, sepse ai e do shumë. Prandaj, ju lutem, më mbani mua këtu si skllavin tuaj, por le të shkojë djali në shtëpi.’

Jozefi e kupton se vëllezërit e tij kanë ndryshuar. Nuk janë më të ashpër dhe të këqij. Le të shohim çfarë bën Jozefi tani.