Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 26

Jobi i qëndron besnik Perëndisë

Jobi i qëndron besnik Perëndisë

A TË vjen keq për këtë njeri të sëmurë? E quajnë Job, kurse ajo është gruaja e tij. A e di çfarë po i thotë ajo Jobit? ‘Mallko Perëndinë e vdis.’ Të shohim pse i tha ajo kështu dhe pse vuajti kaq shumë Jobi.

Jobi ishte një burrë besnik që i bindej Jehovait. Jetonte në vendin e Uzit, jo larg Kanaanit. Jehovai e donte shumë Jobin, por dikush tjetër e urrente. A e di kush?

Ishte Satana Djalli. Të kujtohet, Satanai është engjëlli i keq që e urren Jehovain. Ai arriti ta shtynte Adamin dhe Evën që të mos i bindeshin Jehovait dhe mendonte se mund t’i shtynte të gjithë të tjerët të mos i bindeshin Jehovait. Por, a e bëri dot? Jo. Mendo për gjithë burrat besnikë dhe gratë besnike për të cilët kemi mësuar. Sa mund të kujtosh me emër?

Pasi Jakobi dhe Jozefi vdiqën në Egjipt, Jobi ishte njeriu më besnik ndaj Jehovait në të gjithë tokën. Jehovai donte që Satanai ta dinte se nuk mund t’i bënte të këqij të gjithë njerëzit, prandaj i tha: ‘Shiko Jobin! Shiko sa besnik është ndaj meje.’

Por Satanai e kundërshtoi: ‘Është besnik, sepse ti e bekon dhe ai ka shumë gjëra të mira. Por, në qoftë se ti do t’ia heqësh këto, ai do të të mallkojë.’

Atëherë Jehovai i tha: ‘Mirë, hiqja ato që ka. Bëji Jobit të gjitha gjërat e këqija që dëshiron, e do të shohim nëse ai më mallkon. Vetëm sigurohu të mos e vrasësh.’

Së pari, Satanai vuri njerëz që t’i vidhnin Jobit bagëtinë dhe devetë, kurse delet t’ia vritnin. Pastaj vrau 10 djemtë e vajzat e Jobit me një stuhi. Pastaj, Satanai e goditi me këtë sëmundje të tmerrshme. Jobi vuante shumë. Ja pse i tha gruaja: ‘Mallko Perëndinë e vdis.’ Por Jobi nuk e bëri këtë. Pastaj erdhën edhe tre veta që gjoja ishin shokët e tij dhe i thanë se kishte bërë një jetë të keqe. Por Jobi qëndroi besnik.

Kjo e bëri shumë të lumtur Jehovain dhe, pas kësaj, ai e bekoi Jobin, siç mund ta shohësh në figurë. E shëroi nga sëmundja. Jobi pati edhe 10 fëmijë të tjerë të bukur, si dhe dy herë më shumë bagëti, dele dhe deve, sesa kishte më parë.

A do t’i qëndrosh edhe ti gjithmonë besnik Jehovait, siç bëri Jobi? Nëse po, Perëndia do të të bekojë edhe ty. Do të jetosh përgjithmonë, në një kohë kur e gjithë toka do të bëhet e bukur si kopshti i Edenit.