Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 28

Si shpëtoi vogëlushi Moisi?

Si shpëtoi vogëlushi Moisi?

SHIKO këtë fëmijë të vogël që po qan dhe po i shtrëngon gishtin kësaj gruas. Ky është Moisiu. A e di kush është kjo grua e bukur? Është një princeshë egjiptiane, vajza e faraonit.

Mamaja e fshehu Moisiun derisa ky u bë tremuajsh, sepse nuk donte që ta vritnin egjiptianët. Por ajo e dinte se Moisiun mund ta gjenin, prandaj shiko çfarë bëri për ta shpëtuar.

Mori një shportë dhe e leu me katran, që të mos i futej uji brenda. Pastaj e vuri Moisiun në shportë dhe e vendosi shportën në mes të kallamave të lartë në lumin Nil. I tha Miriamit, motrës së Moisiut, të qëndronte aty afër për të parë se çfarë do të ndodhte.

S’kaloi shumë dhe në lumin Nil erdhi për t’u larë vajza e faraonit. Papritur, ajo pa shportën midis kallamave. Thirri një nga shërbëtoret e saj dhe i tha: ‘Shko e merre atë shportë.’ Kur princesha hapi shportën, pa një fëmijë të vogël, po sa i bukur që ishte! Moisiu i vogël po qante dhe princeshës i erdhi keq për të. Nuk donte që ai të vritej.

Atëherë u afrua Miriami. Mund ta shohësh në figurë. Ajo e pyeti vajzën e faraonit: ‘A të shkoj të thërras një grua izraelite që t’i japë të pijë qumësht foshnjës?’

—Po, të lutem,—tha princesha.

Kështu, Miriami vrapoi me shpejtësi t’i tregonte nënës. Kur erdhi nëna e Moisiut, princesha i tha: ‘Merre këtë fëmijë, jepi të pijë qumësht dhe unë do të të paguaj.’

Pra, nëna e Moisiut u kujdes për fëmijën e vet. Më vonë, kur Moisiu u rrit pak, ajo e çoi te vajza e faraonit, e cila e adoptoi si birin e saj. Ja si ndodhi që Moisiu u rrit në shtëpinë e faraonit.