Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 38

Dymbëdhjetë zbuluesit

Dymbëdhjetë zbuluesit

SHIKO frutat që po mbajnë këta burra. E shikon sa i madh është veshi i rrushit? Duhen dy burra për ta mbajtur në një shkop. Shiko fiqtë dhe shegët. Nga vijnë këto fruta të bukura? Nga toka e Kanaanit. Të kujtohet, Kanaani është vendi ku jetonin dikur Abrahami, Isaku dhe Jakobi. Por, për shkak të zisë së bukës atje, Jakobi dhe familja e tij shkuan në Egjipt. Tani, rreth 216 vjet më vonë, Moisiu po i udhëheq izraelitët për në Kanaan. Kanë ardhur në një vend në shkretëtirë që quhet Kadesh.

Në tokën e Kanaanit jetojnë njerëz të ligj. Prandaj Moisiu dërgon 12 zbulues e u thotë: ‘Zbuloni sa njerëz jetojnë atje dhe sa të fortë janë. Zbuloni nëse toka është e mirë për të kultivuar bimë. E mos harroni që të sillni me vete disa fruta.’

Kur kthehen në Kadesh, zbuluesit i thonë Moisiut: ‘Është vërtet një vend shumë i mirë.’ E për ta provuar i tregojnë Moisiut disa fruta. Por 10 prej tyre thonë: ‘Njerëzit që jetojnë atje janë të mëdhenj e të fortë. Do të na vrasin, po të përpiqemi t’u marrim vendin.’

Kur dëgjojnë këtë, izraelitët frikësohen. ‘Më mirë të kishim vdekur në Egjipt ose edhe këtu në shkretëtirë,—thonë ata.—Do të vritemi në luftë dhe gratë tona dhe fëmijët do t’i kapin robër. Le të zgjedhim një udhëheqës tjetër në vend të Moisiut dhe të kthehemi në Egjipt!’

Por dy zbulues besojnë te Jehovai dhe përpiqen ta qetësojnë popullin. Këta quhen Josi dhe Kaleb. Ata thonë: ‘Mos kini frikë. Jehovai është me ne. Do ta kemi të lehtë ta marrim vendin.’ Mirëpo, populli nuk i dëgjon. Madje duan t’i vrasin Josiun dhe Kalebin.

Kjo e zemëron shumë Jehovain, që i thotë Moisiut: ‘Asnjë njeri nga 20 vjeç e lart nuk do të hyjë në tokën e Kanaanit. Kanë parë mrekullitë që kam bërë në Egjipt e në shkretëtirë, por prapë nuk kanë besim tek unë. Prandaj do të enden në shkretëtirë për 40 vjet, derisa të vdesë edhe i fundit nga këta. Vetëm Josiu dhe Kalebi do të hyjnë në tokën e Kanaanit.’