Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 48

Gibeonitët e mençur

Gibeonitët e mençur

SHUMË qytete të Kanaanit po përgatiten tani të luftojnë kundër Izraelit. Mendojnë se mund të fitojnë. Por njerëzit që banojnë në qytetin e Gibeonit aty afër nuk mendojnë kështu. Janë të bindur se Perëndia po i ndihmon izraelitët dhe nuk duan të luftojnë kundër Perëndisë. Prandaj, e di çfarë bëjnë gibeonitët?

Vendosin të duken sikur jetojnë diku në një vend shumë të largët. Kështu, disa burra veshin rroba të rreckosura dhe sandale të grisura. I ngarkojnë gomarët me thasë të grisur dhe marrin pak bukë të vjetër e të tharë. Pastaj shkojnë te Josiu dhe i thonë: ‘Kemi ardhur nga një vend shumë i largët, sepse dëgjuam për Perëndinë tuaj të madh, Jehovain. Dëgjuam gjithë gjërat që ka bërë për ju në Egjipt. Prandaj udhëheqësit tanë na thanë të përgatitim pak ushqim për udhëtim dhe të vijmë e t’ju themi: “Jemi shërbëtorët tuaj. Na premtoni se nuk do të luftoni kundër nesh.” Ju e shikoni se rrobat tona janë grisur nga udhëtimi i gjatë dhe se bukët tona janë tharë e vjetruar.’

Josiu dhe udhëheqësit e tjerë u besojnë gibeonitëve dhe premtojnë se nuk do të luftojnë kundër tyre. Por tri ditë më vonë marrin vesh se gibeonitët, në të vërtetë, banojnë aty afër.

—Pse na thatë që keni ardhur nga një vend i largët?—i pyet Josiu.

—Vepruam kështu sepse na thanë që Perëndia juaj, Jehovai, ka premtuar t’ju japë gjithë tokën e Kanaanit. Prandaj kishim frikë se mos na vritnit,—përgjigjen gibeonitët. Por izraelitët e mbajnë premtimin e tyre dhe nuk i vrasin gibeonitët. Në vend të kësaj, i bëjnë shërbëtorë të tyre.

Mbreti i Jerusalemit është shumë i inatosur, sepse gibeonitët kanë bërë paqe me Izraelin. Prandaj u thotë katër mbretërve të tjerë: ‘Hajdeni e më ndihmoni të luftoj kundër Gibeonit.’ E kështu bëjnë këta pesë mbretër. A u treguan të mençur gibeonitët që bënë paqe me Izraelin, pasi kjo tani i shtyn këta mbretër të luftojnë kundër tyre? Do ta shohim.