Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 49

Dielli ndalon

Dielli ndalon

SHIKO Josiun! Ai po thotë: ‘Ndalu, o diell!’ Dhe dielli ndalet me të vërtetë. Qëndron atje në mes të qiellit, një ditë të tërë. Këtë gjë e bën Jehovai! Por le të shohim pse Josiu do që dielli të vazhdojë të ndriçojë.

Kur pesë mbretërit e ligj të vendit të Kanaanit fillojnë luftën kundër gibeonitëve, këta dërgojnë një njeri për t’i kërkuar ndihmë Josiut. ‘Hajde shpejt te ne!—thotë ky njeri.—Na shpëto! Të gjithë mbretërit nga kodrat përreth kanë ardhur të luftojnë kundër shërbëtorëve të tu.’

Josiu dhe luftëtarët e tij shkojnë menjëherë. Marshojnë gjithë natën. Kur arrijnë në Gibeon, ushtarët e pesë mbretërve frikësohen dhe fillojnë të ikin me vrap. Atëherë Jehovai bën që të bjerë një breshër me kokrra të mëdha nga qielli. Më shumë ushtarë vdesin të goditur nga kokrrat e breshrit, sesa të vrarë nga luftëtarët e Josiut.

Josiu shikon se, së shpejti, dielli do të perëndojë. Do të erret dhe shumë ushtarë të pesë mbretërve të ligj do të arrijnë të shpëtojnë. Ja pse Josiu i lutet Jehovait e pastaj thotë: ‘Ndalu, o diell!’ Kur dielli vazhdon të ndriçojë, izraelitët arrijnë ta mbarojnë luftën e të fitojnë.

Në Kanaan ka shumë mbretër të tjerë të ligj që e urrejnë popullin e Perëndisë. Josiut dhe ushtrisë së tij i duhen rreth gjashtë vjet për t’i mundur 31 mbretërit e këtij vendi. Kur mbaron kjo, Josiu sigurohet që vendi i Kanaanit të ndahet midis atyre fiseve që ende s’kanë territor.

Kalojnë shumë vjet dhe Josiu vdes në moshën 110-vjeçare. Gjatë kohës që ai dhe miqtë e tij janë gjallë, populli i bindet Jehovait. Por kur vdesin këta burra të mirë, populli fillon të bëjë gjëra të këqija dhe hyn në telashe. Në këtë kohë ata me të vërtetë kanë nevojë për ndihmën e Perëndisë.